Trump shpall strategjinë e re për mbrojtjen nga raketat

19:49 | 17 Janar 2019
Arbresh.info

Duke e deklaruar hapësirën si sferën e re të luftërave të ardhshme, Presidenti Donald Trump premtoi SHBA do të zhvillojnë një sistem të pashoq të mbrojtjes nga raketat për t’u bërë ballë kërcënimeve të avancuara me raketa hipersonike dhe kruz nga rivalët dhe kundërshtarët.

Presidenti Trump tha në një fjalim të enjten në Pentagon se SHBA do të bëjnë atë që duhet “për të zbuluar dhe shkatërruar çdo raketë të lëshuar kundër Shteteve të Bashkuara kudo, në çdo kohë dhe në çdo vend”.

Zoti Trump nuk e përmendi Rusinë, Kinën apo Korenë e Veriut në fjalimin e tij që zgjati rreth 20 minuta. Por strategjia e re e Pentagonit e bën të qartë se plani amerikan për një sistem më agresiv me bazë në hapësirë për mbrojtjen nga raketat, synon mbrojtjen përballë kërcënimeve ekzistuese nga Koreja e Veriut dhe

Irani dhe përballjen me sistemet e avancuara të armëve që po krijohen nga Rusia dhe Kina.

Rishikimi i strategjisë është i pari që nga viti 2010. Ai arrin në përfundimin se për të mbrojtur si duhet Amerikën, Pentagoni duhet të zgjerojë teknologjitë e mbrojtjes me bazë në hapësirë dhe t’i përdorë këto sisteme për të zbuluar dhe shkatërruar më shpejt raketat që lëshohen nga kundërshtarët.

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Pat Shanahan, i cili foli gjithashtu të enjten, tha se konkurrentët si Rusia dhe Kina po ndjekin në mënyrë agresive krijimin e raketave të reja që janë më të vështira për t’u diktuar, për t’u ndjekur dhe shkatërruar.

Në mënyrë të veçantë, SHBA po kërkojnë të instalojnë një sistem sensorësh në hapësirë për të zbuluar më shpejt raketat armike kur ato lëshohen, sipas një zyrtari të lartë të administratës, i cili i informoi gazetarët të mërkurën. SHBA e shohin hapësirën si një zonë me rëndësi kritike për zhvillimin e aftësive të përparuara të një brezi të ri teknologjik, për t’u dalë përpara kërcënimeve, tha zyrtari.

Administrata gjithashtu ka në plan të studiojë idenë e vendosjes së interceptorëve në hapësirë, në mënyrë që SHBA të mund të godasin raketat armike gjatë minutave të para të lëshimit, kur motorët shtytës janë ende në punë.

Strategjia e re kërkon studime. Deri tani nuk është dhënë urdhër për testime dhe nuk janë marrë vendime përfundimtare.

Kongresi, i cili kërkoi rishikimin e strategjisë, ka udhëzuar Pentagonin që të veprojë më me ngulm drejt kësaj qasjeje të re, por zyrtarët synojnë të studiojnë se sa e realizueshme është kjo ide dhe të eksplorojnë mënyrat se si mund të bëhet.

Strategjia e re synon mbrojtjen më të mirë të SHBA-së ndaj kundërshtarëve të mundshëm, si Rusia dhe Kina, të cilët kanë zhvilluar dhe dislokuar një gamë shumë më të gjerë raketash të avancuara ofensive që mund të kërcënojnë Amerikën dhe aleatët e saj. Kërcënimi nuk vjen vetëm nga raketat tradicionale balistike dhe kruz, por edhe nga armët hipersonike.

Për shembull, Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia zotëron armë të reja strategjike që ai pretendon se nuk mund të diktohen. Njëra është një mjet hipersonik, i cili mund të fluturojë 20 herë më shpejt se zëri dhe të bëjë manovra të mprehta për të mos u zbuluar nga sistemet e mbrojtjes nga raketat.

“Zhvillimet në fushën e shtytjes hipersonike do të revolucionarizojnë luftën duke siguruar aftësinë për të goditur objektivat më shpejt, në distanca më të mëdha dhe me fuqi më të madhe zjarri”, tha vitin e kaluar gjenerali Robert Ashley, drejtor i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes”. Kina po zhvillon gjithashtu raketa balistike gjithnjë e më të sofistikuara dhe mjete hypersonic në përpjekje për të luftuar sistemet e mbrojtjes nga raketat, tha ai.

Armët aktuale amerikane të mbrojtjes nga raketat janë të bazuara në tokë dhe në bordin e anijeve. Presidenti Trump dhe nënpresidenti Mike Pence kanë theksuar mjetet me bazë në hapësirë si hapin e ardhshëm të mbrojtjes kundër raketave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme