Prokurorët e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale kanë nisur intervistimet e para me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndër të parët që i është nënshtruar këtij procesi është ish-komandanti për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa- Remi.
Vlen të përmendim faktin se intervistimi i tij ditën e djeshme ka zgjatur hiç më pak se 9 orë.
Xhevdet Qeriqi nga Shoqata e Veteranëve të Luftës, thotë se qysh në fillim janë deklaruar kundër themelimit të kësaj gjykate, pasi që konsideron se është e padrejtë dhe e njëanshme.
“Ne qysh në fillim kemi qenë kundër themelimit të kësaj gjykate, për arsye se është e padrejtë dhe e njëanshme, ne nuk jemi kundër një hetimi të plot të secilit rast, por si e tillë është e papranueshme, mos të harrojmë se jemi në prag të njëzet vjetorit të masakrës të Reçakut, ku në atë vend u masakruan dhjetëra gra, pleq, fëmijë, civil shqiptarë, kjo masakër në atë kohë kishte tronditur gjithë botën demokratike, pra kjo ishte edhe arsyeja që e shtyri Bashkësinë Ndërkombëtare të intervenoj, duke e bombarduar Serbinë për ta ndalur krimin që po e kryente gjithandej Kosovës. Sot edhe pas njëzet viteve nuk është dënuar asnjë kriminel serb të cilët e kryen këtë masakër”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.
Qeriqi konsideron se fajin për formimin e kësaj gjykate e kanë institucionet tona.
“Një pjesë të fajit për formimin e kësaj gjykate e kanë edhe institucionet tona, për arsye se asnjëherë, qysh prej përfundimit të luftës nuk kanë qenë të interesuara që ta themelojnë një komision qeveritar i cili do të merrej me hetimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë. Pra për mbledhjen e dëshmive për vlerën e dëmeve të shkaktuara nga këta të fundit dhe intervistimin e dëshmitarëve shqiptarë të cilët i kishin përjetuar masakrat dhe torturat e kryera nga regjimi serb. Sikur të formohej ky komision dhe mbledhja e të gjitha këtyre dëshmive, institucionet e republikës të Kosovës do të kishin bazë të mjaftueshme për ta paditur Serbinë në Gjykatat ndërkombëtare, për gjenocid, të kryer ndaj popullatës civile shqiptare”, vlerësoi ai.
Qeriqi përmend masakrat që kriminelët serb kryen në Kosovë, e që për të njëjtat krime thuajse askush nuk ka marrë dënimin e duhur.
“Të tilla masakra të kryera nga aparati shtetëror i Serbisë, kemi gjithandej Kosovës, si për shembull masakra e Mejës, masakra e Izbicës, masakra e Krushës, masakra e Likoshanit e shumë e shumë të tjera. Gjatë luftës të fundit në Kosovë u vranë afër 14 mijë civil shqiptar, u dogjën mijëra shtëpi e prona të shqiptarëve, u plaçkitën shumë prona të shqiptarëve, u torturuan dhe u burgosën mijëra shqiptarë deri te spastrimi etnik ku rreth një milion të popullatës shqiptare u deportuan në Shqipëri e Maqedoni. Edhe pse kanë kaluar gati 20 vite prej përfundimit të luftës, i kemi mbi 1 700 persona të zhdukur, po ashtu janë zbuluar disa varreza masive të shqiptarëve në Serbi”, ka thënë tutje ai.
Sipas tij, Bashkësia Ndërkombëtare është në dijeni për të gjitha këto krime të cilat i ka kryer Serbia në Kosovë, por fatkeqësisht asnjëherë nuk ka qenë e interesuar që të ndërmarr ndonjë hap për t’i dënuar këta kriminel.
“Mos interesimi i institucioneve tona për tu marrë me këto krime, më së shumti i ka konvenuar Serbisë. Ku këta të fundit përmes një propagande, përmes dëshmive të fabrikuara në Beograd, kanë gjetur miq ndërkombëtar në këtë rast Dick Martin i cili në bazë të një raporti të tij, ku jam i bindur se është i pa bazë, kjo do të vërtetohet në të ardhmen, se asgjë nuk ka të vërtet brenda këtij raporti, por që qëllimi i Serbisë ka qenë që përmes, këtij raporti dhe këtyre akuzave ndaj luftëtarëve të UÇK-së, ta dëmtoj imazhin e Kosovës”, shtoi Qeriqi.
Ndryshe, sipas informacioneve janë hiç më pak se 100 ish-ushtarë që do të intervistohen nga Prokurorët e Speciales.
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...
Incidenti në Kuvendin e Serbisë, Kamberi: Motoja “Duar...
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...
Xheneta – Lelës: Anisa u ka treguar Edit dhe Drilonit për rr...