Edhepse në Maqedoni po ulet shkalla e papunësisë, megjithatë ajo është shumë larg shkallës në Eurozonë dhe ende është problemi kyç në shoqëri.
Sipas raportit të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, shkalla e papunësisë është 20.8 për qind, ndërsa në BE ajo është 7.9 për qind, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë, të paktën në shikim të parë, më interesante është pyetja se si është e mundur të ulet numri i të papunëve edhe pse e ngadalësuar kur nuk kemi rritje të ekonomisë në vitet e fundit. Ekspertët ekonomik e shpjegojnë këtë me fshirjen e atyre që shpërngulen nga evidenca në Agjencinë e Punësimit.
“Punësimi është një prej mënyrave për uljen e varfërisë dhe shkalla e papunësisë po ulet si rezultat i hapjes së vendeve të reja të punës, por edhe për shkak të largimit të të rinjve jashtë vendit”, thotë kryetari i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë (OPM), Angel Dimitrov.
Nga ana tjetër, ai shton se një numër shumë i madh i vendeve të punës mbeten të paplotësuara për shkak të zbrazëtirës së ofertës dhe kërkesës. Prandaj, sipas tij, Maqedonia duhet të punojë shumë në harmonizimin e nevojave nga profesione të ndryshme dhe ofertës së fuqisë punëtore. “Personat e rrezikuar nga varfëria kanë nevojë për më shumë mjete në buxhetin familjar. Ajo mund të arrihet përmes punësimit të të papunëve në familje dhe përmes rikualifikimeve dhe trajnimeve për vende të punës që paguhen më mirë. Në treg mungojë shumë profesione dhe zeje, ndërsa personat e rrezikuar nga varfëria nuk kanë njohuri dhe kualifikime për ato profesione”, thekson Dimitrov. Profesori Abdulmenaf Bexheti para do kohe theksoi se ngadalësimi i rritjes ekonomike, edhe nga ana tjetër, ulja e papunësisë nuk janë për shkak të përmirësimit ekonomik dhe rritjes së BPV-së.
“Bëhet fjalë për operacion tekniko-statistikor, i cili me siguri nënkupton fshirje të të papunëve nga sistemi i të dhënave, si dhe shpërngulja nga vendi”, ka theksuar për mediat Bexheti. Sipas Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së Bizneseve në Maqedoni, punësimi dhe ulja e papunësisë duhet të përmirësojnë gjendjen socio-ekonomike të popullatës, në atë mënyrë nxitet dhe përmirësohet edhe konsumimi i shoqërisë, gjegjësisht ekonomisë.
“Kur vite me radhë shkalla e papunësisë është shumë e lartë ose, nga ana tjetër, është larg shkallës evropiane, duhet të trajtohet në drejtim të lehtësimit të shpenzimeve për bërje të biznesit, posaçërisht të mikro-ndërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla, ndërsa përmes asaj do të ulej edhe ndihma sociale, gjegjësisht shpenzimet për ndihmë sociale. Shteti duhet të decentralizohet në planin ekonomik, si për shembull – të privatizohen disa prej shërbimeve publike në nivel nacional dhe nivel lokal, të investohet në infrastrukturën lokale, të lehtësohet qasja deri te karburantet dhe logjistika. Duhet të mundësohet hapja e të gjitha resurseve energjetike, ekonomike dhe arsimore në mënyrë të barabartë për të gjithë”, tha Boshkov.
Por, siç ka shpjeguar kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, i tërë procesi i uljes së papunësisë duhet të fillojë shumë më herët, me avancimin e sistemit të arsimit në pajtim me nevojat e biznesit, përmes vendosjes së parimeve dualiste në arsimin e mesëm profesional.
“Rezultati nga kjo është që të prodhojmë kuadro të profilizuara që njohuritë e arritura teorike në shkollë do t’i avancojnë, kontrollojnë dhe realizojnë edhe në mënyrë praktike, përmes punës së drejtpërdrejtë praktike në kompani, që pastaj duke mbajtur llogari për nevojat e fuqisë punëtore në treg. E gjithë kjo do të thotë edhe kontributi ynë konkret në harmonizimin e programeve arsimore me nevojat e biznesit, që do të ketë implikime të drejtpërdrejta edhe ndaj uljes së shkallës së papunësisë. Kryesisht, është fakt që në vendet ku funksionon sistemi i arsimit dualist, shkalla e papunësisë është më e ulët prej 10 për qind”, thekson Azeski./koha.mk/
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Dy të lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...