Këshillimorja e Fëmijëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, në të cilën nënat merrnin këshilla nga mjekët për rritjen e tyre, është mbyllur më 3 janar të këtij viti.
Kjo pasi që duhej të përmbushej udhëzimi administrativ i dërguar nga Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë.
Në udhëzim ndër të tjera thuhet: “qytetarë dhe banorë me vështirësi shëndetësore është i obliguar të lajmërohet fillimisht tek mjeku familjar, me përjashtim të rasteve emergjente”, gjë që rezulton në moszbatim të ligjit për shëndetësi nga QKMF.
Sami Uka, kryeshef i departamentit të mjekësisë familjare, ka thënë se në mesin e obligimeve që Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare duhej të përmbushte, ishte edhe mbyllja e Këshillimores, pavarësisht së këtë nuk e ka rekomanduar Inspektorati i Shëndetësisë, duke shtuar se nuk do të mungojë asnjë shërbim për pacientët.
“Këshillimorja është mbyll si rezultat i zbatimit të udhëzimit administrativ 08/2017, që na është kërkuar në mënyrë decidive prej Inspektoratit të Shëndetësisë.
Zbatimi i këtij udhëzimi nënkupton edhe mbylljen e këshillimores, ndaj nga 1 shkurti, fëmijët tek pediatria do të dërgohen vetëm me udhëzim të mjekut familjar”, ka thënë Uka për SyriKosova.
Nga ana tjetër Inspektorati i Shëndetësisë, për Syri Kosova, thotë se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, kanë bërë vetëm inspektim dhe rekomandim, por jo urdhër për të mbyllë këshillimoren.
“Ka qenë një inspektim në bazë të ankesës së një doktoreshe që sipas saj QKMF nuk po zbaton konceptin e mjekësisë familjare. Në bazë të këtyre informatave kemi inspektu, dhe është konstatu se nuk është zbatu ligji për shëndetësi, udhëzimi administrativ që rregullon kujdesin parësor në institucionet publike shëndetësore dhe nuk është zbatu statuti i kësaj QKMF-je. Për të përmbledhur gjithë këtë, qytetari fillimisht duhet të lajmërohet të mjeku familjar, dhe pastaj mjeku familjar i bën referimin e brendshëm që do të thotë te specialisti brenda kujdesit parësor ose referimin e jashtëm te specialisti dytësor ose tretësor të kujdesit shëndetësor.
QKMF nuk e ka respektuar këtë dhe fëmijët janë drejtuar të kontrollohen drejtpërdrejt të pediatri, që është në kundërshtim me këto akte ligjore që i përmenda”, ka thënë për SyriKosova Ardita Baraku, kryeinspektore.
Hamide Latifaj është doktoresha që kishte bërë ankesë në Ministrinë e Shëndetësisë, me kërkesën që të bëhej inspektim nga ky institucion, pasi që sipas saj nuk është zbatuar ligji.
Latifaj për SyriKosova thekson se informatën për mbylljen e kësaj këshillimoreje e ka marrë nëpërmjet mediave, madje ajo nga QKMF ishte akuzuar se po punon edhe në klinikën e saj private dhe Këshillimorja ia ka vështirësuar punën asaj në ordinancë private, gjë që sipas saj kjo nuk qëndron.
“Unë kam disa probleme të mia shëndetësore dhe lajmin e kam marrë nga mediat. Është e logjikshme që unë se kam atë fuqi as me hapë e as me mbyllë një këshillimore, aq më pak kur unë kam dhënë kontribut që të pasurohet këshillimorja”, ka thënë Latifaj për SyriKosova.
Tutje ajo ka shtuar se një këshillimore e tillë do i mungojë së pari fëmijëve sepse ajo ishte e vetmja mënyrë që bebet të jenë më të mbrojtura nga rreziqe të shumta shëndetësore, e pastaj edhe për nënat, ndaj sipas saj mbyllja e këshillimores është shokuese dhe e pabazë.
Derisa palët e involvuara kanë mendime të ndryshme, Këshillimorja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka qenë e vetmja në Kosovë, e cila ka funksionuar edhe para luftës, ku nënat janë drejtuar për të marrë këshilla për rritjen e fëmijëve.
Buffon: Neymar ka merituar t’i fitojë pesë Topa të Artë
“Nuk duhet me vendos lojën para teje!”, Xuxi dhe Rovena kësh...
Oda Amerikane mirëpret kthimin për rishqyrtim të Ligjit për ...
Borrell: Kërcënimet bërthamore të Rusisë janë të papërgjegjs...
Osmani: Të mbijetuarat e dhunës seksuale mishërojnë qëndrues...
”Ne e urrejmë atë”/ Reagojnë ashpër familjarët e Arionit pas...