Komuna e Prishtinës me datë 24 dhjetor të vitit 2018, ka marrë vendim për të kryer pagesën e këstit prej 550 mijë eurove, për kredinë që e ka marrë Ndërmarrja Trafiku Urban për blerjen e autobusëve të rinj.
Ndërmarrja “Trafiku Urban” në vitin 2016 kishte marrë kredi prej 10 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), për blerjen e 51 autobusëve të rinj në Prishtinë.
Garantues i parë i kredisë ishte Komuna e Prishtinës, ndërsa nëse nuk do të arrinte as Komuna ta paguajë këstin, atëherë atë do ta paguante Ministria e Financave, si pjesë e marrëveshjes së kredimarrjes.
Në fillim të vitit 2017 në Prishtinë kishin arritur 30 autobusët e parë, ndërsa kryetari Ahmeti në ceremoninë e dorëzimit kishte thënë se “Vënia në operim e këtyre autobusëve shënon fillimin e një reforme të konsiderueshme në transportin urban në Prishtinë”.
Në ceremoni kishin marrë pjesë Ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë Ivo Silhavy dhe Udhëheqësja e BERZH-it në Kosovë Elena Petrovska.
Pjesa e dytë prej 21 autobusëve edhe pse ishte parashikuar të arrinte nga mesi i vitit 2018, në Prishtinë arritën në shtator të atij viti, deri sa kryetari Ahmeti vazhdimisht arsyetohej për vonesën e tyre.
Miranda Mullafazliu, zyrtare për media në Komunën e Prishtinës, për KALLXO.com, ka thënë se Komuna tash e tutje do ta paguajë Trafikun Urban në bazë të kilometrave që kalon, pa treguar arsyen e pagesës së këstit nga Komuna.
“Vitin e kaluar nuk ka pasur rishikim të buxhetit nga ana e Qeverisë dhe si rrjedhojë nuk ka mundur të ndërrohet destinimi i mjeteve. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shërbime me Trafikun Urban të iniciuar nga BERZh-i, Komuna tash e tutje do ta paguajë Trafikun Urban në bazë të kilometrave që kalon dhe si rrjedhojë do të ketë stabilitet financiar në ndërmarrje. Kjo nënkupton që Trafiku Urban do të ketë të hyra të rregullta, e nuk do të varet më nga shitja e biletave dhe pagesa e kredisë nuk do të jetë më problem”, ka thënë Mullafazliu.
Me ardhjen e autobusëve të rinj, Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim që për pensionistët transporti urban të jetë falas.
Edhe ndërmarrja “Trafiku Urban” e ka konfirmuar që pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shërbime Publike të Transportit, do të kenë stabilitet financiar dhe do ta kenë mundësinë për ta paguar kredinë.
“Meqenëse është shtyrë afati i fillimit të implementimit të marrëveshjes për shërbime publike të transportit ku Komuna do ta paguajë Trafikun Urban për kilometra të kaluara për shërbim të transportit, sepse me inkasimin që e kemi nga biletat, nuk mund të gjenerohen mjete për kredi, atëherë Komuna ka bërë transferin e mjeteve për këstin e dytë. Obligimi i ynë që të paguhen këstet e kredisë është që nga fillimi i implementimit të marrëveshjes së lart përmendur”, thuhet në përgjigjen zyrtare të ‘Trafikut Urban’.
“Trafiku Urban” kishte marrë kredinë prej 10 milionë eurove nga BERZh-i në afat prej 10 viteve, me dy këste në vit me nga 500 mijë euro, ndërsa marrëveshja për blerjen e autobusëve ishte lidhur me kompaninë çeke ‘Iveco’.
Donald Trump: Do të rris tarifat për Kanadanë, Meksikën dhe ...
“Travel and Tour World”: Shqipëria, një yll në rritje në tur...
Drenusha e ashpër ndaj Gjestit, sebep gota e verës
Trump kërcënon me tarifa të larta Kanadanë, Meksikën dhe Kin...
Përmbytjet në Indonezi, të paktën 19 viktima
Aksident me vdekje në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”