Ambasada amerikane përshëndet prangosjen e Balilit

17:57 | 15 Janar 2019
Arbresh.info

Ambasada amerikane në Tiranë ka përshëndetur arrestimin e një prej personave më të kërkuar nga autoritetet shqiptar, Klement Balilit, i cilësuar edhe si Escobari i Ballkanit.

“Ne përgëzojmë Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligj-zbatuese partnere për arrestimin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Klement Balili”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.

Sipas tyre arrestimi i Balilit “shënon një hap të madh për popullin shqiptar në rrugën drejt sundimit të zbatimit të ligjit, dhe shërben si një përparim i prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE”.

Ndërkohë, ambasada e SHBA kërkon gjykimin sa më të shpejtë të Balilit për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe i “hedh benzinë zjarrit”, duke “kërkuar” arrestime të tjera me një pyetje në fund të reagimit.

“Ne mirëpresim një hetim dhe gjyq të shpejtë dhe të plotë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar. #KushEKaRradhën?”, nënvizohet në reagimin e ambasadës.

Për lajmin më të rëndësishëm të ditës ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili e ka cilësuar arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit” si një hap të rëndësishëm në luftën kundër bandave.

“Fakti që Klement Balili është në burg përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është një prioritet kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE”, është shprehur ai në Twitter./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme