Qeveria tenton prap sot të zbehë vendimin për taksën për produktet serbe

12:49 | 15 Janar 2019
arbresh.info

Qeveria e Kosovës pritet që të marrë vendimin lidhur me mallrat që kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës para vendosjes së masës prej 100% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, mëson arbresh.info.

Në pikën e katërt të rendit të ditës pritet të jepen sqarimet rreth kësaj çështjeje, e që sipas ekonomistëve zbehë vendimin aktual.

Në mbledhjen e kaluar ky vendim përplasi ministrat e koalicionit duke u cilësuar si vendim i gabuar.

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Abelard Tahiri në mbledhjen e Qeverisë, të premten, tha se një propozim i tillë do të duhej të shikohej mirë edhe nga MTI dhe institucionet e Kosovës.

“Çdo prekje e vendimit për taksën është vendim i gabuar. Mendoj që duhet të qëndrojmë në atë vendim që e kemi marrë më herët dhe në asnjë rrethanë pavarësisht kostos dhe çdo lëvizje tjetër është gabim i madh sepse po hapim mundësi për keqpërdorime të reja që si Qeveri do ta kemit ë pamundur t’i kontrollojmë. Mendoj që ky vendim duhet rrëzuar me votë dhe nuk duhet larguar nga rendi i ditës. Është gabim i madh në çfarëdo rrethane të lëvizim nga pozicionet derisa nuk e kemi realizuar qëndrimin tonë politik. Unë e kuptoj edhe interesin e bizneseve por si shtet në fund të fundit duhet marr koston përsipër dhe të mos tolerojmë në asnjë rrethanë lëvizje nga pozicioni që kemi kur e kemi ndërmarr taksën. “Ne nuk kemi marrë për bazë analiza të tilla më herët sa i përket zhvillimit të vendit. Si vendim politik duhet të mbetet i tillë”, deklaroi Tahiri.

Institucionet e Kosovës po përballen me presione të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare rreth taksës. Bashkimi Evropian edhe një herë ka kërkuar heqjen e taksës në takimin konsultues që pati Ekipi Negociator me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme