Peticioni i Bahtirit për Bashkimin e Mitrovicës dorëzohet të mërkurën në tri institucionet e mëdha

15:47 | 14 Janar 2019
V. S.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në prani të drejtorëve komunal sot ka mbajtur konferencën e thirrur për media në lidhje me peticionin e  iniciuar për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Qëllimi i kësaj konference ishte që të njoftohen qytetarët dhe institucionet më shumë me veprimet që janë ndërmarrë dhe me organizimin e nënshkrimit të peticionit për ndryshim- plotësimin e ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave.

Në fjalën e tij kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se peticionin për bashkimin e Mitrovicës, për vetëm 7 ditë ka arritur të mbledh rreth 16, 594 nënshkrime të qytetarëve nga të gjitha nacionalitetet, me të cilin nga Kuvendi i Kosovës, kërkojnë që të njëjtin ta procedojnë tutje, për miratim, me qëllim të bashkimit të komunës së Mitrovicës, por duke mos cenuar në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Siç është thënë edhe më parë, meqenëse në veri të Mitrovicës është krijuar një realitet i ri, si dhe fakti që nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, janë të zhvendosur mbi 15 mijë shqiptarë, pjesa dërrmuese e të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur të kthehen në pronat e tyre, me ç’rast në mënyrë brutale u janë shkelur të drejtat elementare, dhe se me gjithë përpjekjet që janë bërë për stabilizimin e plotë të gjendjes në qytetin e Mitrovicës, e posaçërisht në pjesën veriore, edhe pse janë arritur rezultate të mira dhe se gjendja e sigurisë është normalizuar, strukturat drejtuese të komunës në veri të qytetit nuk kanë qenë në shërbim të qytetarëve dhe nuk kanë marrë masa për funksionimin e shtetit ligjor dhe zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës”, tha kryetari Bahtiri.

Kështu kryetari Bahtiri, tha se peticioni do të dërgohet të mërkurën në tri institucionet e Kosovës, tek Qeveria, Kuvendi, si dhe tek Presidenti, me ç’rast kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të miratojnë këtë nismë të ndërmarrë nga qytetarët e Mitrovicës për bashkimin e qytetit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme