Janar 2019
Gjithë të mirat për vitin 2019!
Po e lemë mënjanë politikën në skenën botërore duke filluar me Kinën, Rusinë deri tek Amerika dhe po flasim për Europën.
Si i ka punët Europa në vitin 2019?
Duket se një sërë problemesh janë bërë bashkë. Si do të duket Europa pas zgjedhjeve europiane në maj 2019? Si do ta ndryshojë Brexiti Europën? Si do shkojë puna me krizën financiare në Itali? Si do e zgjidhë çështjen me revolucionarët e tij, “Jelekët e verdhë” presidenti francez Macron? A do të vazhdojë të përhapet edhe më tej nacionalizmi dhe antipatia ndaj Europës? Sa do të kujdeset Gjermania për fatin e Europës?
Shumë probleme janë mbledhur bashkë. Harruam ndonjë? Ah po, kemi edhe Europën Juglindore!
Çfarë do të ndodhë këtë vit?
Asnjë nuk e di.
Në Serbi janë duke u zhvilluar demonstrata kundër presidentit Vuҁiҁ. Ai i ka hipur kalit dhe po e çon Serbinë hap pas hapi drejt Europës. Ekziston megjithatë pengesa e madhe për njohjen e Kosovës, të cilën politika serbe nuk e ka bërë deri tani.
Në Kosovë kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi nuk janë në gjendje të bien dakord nëse duhet bërë një këmbim territoresh apo jo. Pak vetë janë të interesuar të dëgjojnë se një gjë e tillë mund të çonte në krizë gjithë rajonin. Por, të gjithë janë dakord se Kosova duhet të krijojë ushtrinë e saj.
Maqedonia shpreson t‘ i japë fund grindjes me Greqinë për çështjen e emrit, për të hapur më në fund rrugën drejt Nato-s dhe BE-së. Greqia e ka penguar këtë deri tani.
Në Kroaci, e cila është anëtare e BE që në vitin 2013, njerëzit largohen për të shkuar në Gjermani, gjë që presidentja Grabar-Kitarovic e quajti „rrezik të madh” për Kroacinë. Në vend që të merret me problemin e largimit të njerëzve nga vendi, politika kroate vazhdon të fusë hundët gjithnjë e më shumë në çështjet e brendshme të vendit fqinjë, Bosnjë-Hercegovinës. Duke folur për një „ofensivë diplomatike” që të kujton kohërat e Tuxhmanit në vitet 90.
Erdhëm kështu në problemin më të madh të Europës Juglindore, në Bosnjë Hercegovinë.
Në shikim të parë duket sikur zgjedhjet që u zhvilluan vitin e kaluar, nuk kanë sjellë shumë ndryshime. Por, po të shikosh me vëmendje mund të dallosh disa gjëra. Në presidiumin trevetësh u hoq anëtari nacionalist boshnjako-kroat i presidencës, Çoviҁ, kryetar i partisë HDZ dhe vendin e tij e mori demokrati Komsiҁ, që e quan veten president të gjithë qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë mënyrë pengohet një herë një bashkëpunim i rrezikshëm në presidencë, midis Dodikut dhe Çoviҁit.
Edhe rezultati i zgjedhjeve në kryeqytetin Sarajevë tregon se forcat demokratike janë duke u ngjitur ngadalë. Ky është një sinjal shprese për të ardhmen.
Në Bosnjë-Hercegovinë (BH)ky vit filloi me një zhurmë të madhe goditëse. Prej vitesh Republika Srpska (etniteti më i vogël në BH) feston më 9 janar “Ditën e Republikës”, megjithëse Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias e kanë shpallur këtë si shkelje të kushtetutës.
Në këtë ditë, më 6 janar 1992, serbët e Bosnjës shpallën „Republikën Srpska” nga Republika e atëhershme e Bosnjës dhe Hercegovinës. Në vetvete nuk ka pse të mos festohet këtë ditë festa fetare ortodokse, por që kjo ditë të shpallej ditë pushimi për të gjithë, ishte shumë për boshnjakët dhe boshnjakët kroatë. Ata e lidhin këtë ditë me luftën, genocidin dhe dëbimet. Megjithëse kjo festë është në kundërshtim me kushtetutën, askush, as në nivel kombëtar as në nivel ndërkombëtar, nuk bën përpjekje për ta ndaluar. Kjo vlen për të treguar për gjendjen e „rule of law” në këtë vend!
Që politikanët nga Serbia vijnë këtë ditë në Banja Luka, nuk është çudi. Që kryeministrja e Serbisë, Barnabiç, që zyrtarisht nuk e pranon Srebrenicën si genocid, shkon dhe pranon atje të marrë të njëjtat medalje si kriminelët e luftës Karaxhiç, Plavsiç dhe Krajisnik, është lënduese për çdo njeri të ndjeshëm ndaj drejtësisë.
Por kësaj zhurme i shtohet edhe një tjetër. Në festime morën pjesë edhe politikanë të lartë nga rrethet e kroatëve boshnjakë. Zoti Çoviҁ, ish-anëtari i presidencës dhe kryetar i HDZ, zoti Bevanda ministër i Financave e kështu me radhë.
Ambasadori kroat në Bosnjë-Hercegovinë, Del Vechio, ishte po ashtu në Banja Luka. Për shkak të skandalit politik që u shkaktua në Bosnjë Hercegovinë dhe në Kroaci nga prezenca e tij në festime, ministrja e Jashtme e Kroacisë Pejcinoviҁ Buriҁ, e ndjeu veten të detyruar të jepte një deklaratë, sipas të cilës ai nuk ndodhej në funksionet zyrtare në këto festime. Ambasadori u thirr menjëherë për „konsultime” në Zagreb.
Si mund të shpjegohet që Çoviҁ, Bevanda dhe ambasadori Del Vechio rrijnë atje ulur dhe shohin të qetë se si Dodik, i jep kriminelit serb të luftës Lisac, të dënuar në Kroaci me 15 vjet burgim, një medalje posthum duke e vlerësuar që ka vrarë qytetarë kroatë në Sibenik?
Si mund të shpjegohet që Çoviҁ, Bevanda dhe Del Vechio marrin pjesë në festimet e Republika Srpskës, e cila dëboi në luftën e fundit 150 mijë kroatë nga Banja Luka dhe Posavina?
Si mund të shpjegohet që ata të gjithë shkojnë në festimet e një feste antikushtetuese?
Shumë e thjeshtë. Atyre nuk u bëhet vonë për popullin boshnjak dhe kroat, ata mendojnë vetëm për vete! Ata shkuan atje për të përkrahur Dodikun, që të shkëpusë Republikën Srpska nga Bosnjë Hercegovinë. Kjo i hap derën Çoviҁit, që të krijojë etnitetin e tretë dhe një ndarje përfundimtare të Bosnjë Hercegovinës.
Kështu në fillim të vitit 2019 kemi ardhur aty, ku ndodheshim në fillim të viteve 90-të.
A e ka dëgjuar Europa këtë zhurmë goditëse?
Europa duhet që më në fund në vitin 2019 të bëjë çdo gjë të nevojshme, për të ndërtuar në Bosnjë-Hercegovinë një shtet të fortë juridik. Europa duhet të flasë më në fund qartë, se Bosnjë-Hercegovina është një shtet i mëvetësishëm, sovran! Përpjekjet për ta ndarë këtë shtet nga brenda dhe nga jashtë, janë të dënuara të dështojnë!
(Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling, ish -ministër i Postës dhe Telekomunikacionit në Gjermani, ish- përfaqësues i lartë dhe i ngarkuari i BE në Bosnjë-Hercegovinë, për DW hedh një vështrim në Europën Juglindore 2019)/DW/
Pyjet e Lybeniqit kaplohen nga zjarret, Musliu-Shoshi bën th...
Rama: Inteligjenca artificiale dhe evolucioni urban një komb...
Marta Kos flet për rolin e saj të mundshëm në dialogun Kosov...
Përzgjedhësi i ri i kombëtares në basektboll të premten do t...
“Silleni një banore të re vetëm për Leon”, Lela me kërkesë p...
BE: Qeveria nuk mund t’ia bartë komunave përgjegjësitë për A...