Sistemi VAR ka filluar të përdoret që disa vite në futbollin europian por edhe më gjerë.
Ligat si Serie A, La Liga, Ligue 1 dhe Bundesliga, janë duke e përdorur sistemin VAR dhe vitit të ardhshëm ky sistem do të përdoret edhe në Premierligën angleze.
Ky sistem ka dalë të jetë i suksesshëm dhe dita-ditës po bëhet i domosdoshëm edhe për garat ndërkombëtare dhe për kampionatet përkatëse nëpër vende të ndryshme.
Aplikimi i sistemit VAR për garat ndërkombëtare pritet të instalohet edhe në stadiumet e Kosovës, ku pritet t’i luajë ndeshjet kombëtarja e Kosovës dhe ato të grupmoshave.
Kosova deri më tani e ka një stadium i cili i përmbush të gjitha kushtet për lojërat ndërkombëtare e ai është stadiumi “Fadil Vokrri”, dhe stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë i cili ka nevojë ende të investohet në të, në mënyrë që të kompletohet për garat ndërkombëtare.
KALLXO.com ka kontaktuar Komisionin e Gjyqtarëve të FFK-së për ta sqaruar se për çfarë ndeshje dhe çfarë gara është duke u shikuar implementimi i sistemit VAR.
Visar Kastrati, menaxher i gjyqtarëve, ka treguar se tani janë duke e bërë studimin e fizibilitetit të stadiumeve pas kërkesave të nevojshme për aplikimin e VAR-it.
Ai ka thënë se sa u përket ndeshjeve ndërkombëtare për aplikimin e VAR-it do t’i ndihmojnë UEFA e FIFA.
“Për momentin është duke u bërë studimi i fizibilitetit të stadiumeve dhe kërkesat e nevojshme për aplikimin e VAR-it. Sa i përket ndeshjeve ndërkombëtare në nivelet e garave ku UEFA/FIFA e kanë kusht përdorimin e VAR-it, ato e ndihmojnë procesin teknikisht dhe instalimin në stadiumin në të cilën zhvillohet ndeshja”, ka treguar Kastrati ekskluzivisht për KALLXO.com.
Kastrati ka treguar se për t’u implementuar sistemi VAR për një kampionat atëherë ai merr kohë prej një viti e gjysmë deri në dy vite.
Po ashtu, Komisioni i Gjyqtarëve të FFK-së nuk e ka të qartë sa do të jetë kostoja e projektit për instalimin e VAR-it.
“Varësisht prej teknologjisë që përdoret koha minimale e përgatitjes së VAR-it për një rang garash varion nga një vit e gjysmë deri në dy vite. Meqenëse, jemi në fazë fillestare ende nuk kemi një kosto të qartë të projektit”, ka thënë Kastrati nga Komisioni i Gjyqtarëve të FFK-së.
Sipas Kastratit, stadiumet “Fadil Vokrri” dhe “Adem Jashari”, janë në rregull me infrastrukturën për instalimin e VAR-it.
Ai ka zbuluar se VAR-i mund të aplikohet edhe prej një furgoni në afërsi të stadiumit.
Ai po ashtu zbuloi për KALLXO.com se kur aplikohet sistemi VAR për ndeshjet ndërkombëtare i mbulon shpenzimet FIFA dhe UEFA, ndërsa nëse aplikohet për Superligën i mbulon FFK-ja në bashkëpunim me dy shtëpitë më të mëdha të futbollit.
“Stadiumet “Fadil Vokrri dhe Adem Jashari” janë në rregull me infrastrukturë dhe në to mund të akomodohet VAR-i. Ngase, siç e cekëm me lartë ka mënyra të ndryshme të implementimit të tij. Pra, VAR-i mund të implementohet në një kombi-bus në afërsi të stadiumit apo nivele më të avancuara ku vendoset një dhomë operative brenda stadiumit. Për ndeshjet ndërkombëtarë kostoja mbulohet nga FIFA dhe UEFA, ndërsa për kampionatin vendor ato mbulohen nga fondet e federatës. Mirëpo, FFK do të aplikojë për fonde shtesë të cilat mbështesin projektet e tilla në FIFA dhe UEFA”, sqaron Visar Kastrati.
Visar Kastrati ka folur edhe rreth delegimit të gjyqtarëve.
“Planifikimet janë që VAR-i të filloj të aplikohet pas dy vitesh, mirëpo kjo mund të ndryshojë pas studimit të fizibilitetit, varësisht prej implikimeve buxhetore dhe kushteve të stadiumeve. Kur bëhet aplikimi i VAR në Kosovë, normalisht që pjesë e implementimit është edhe trajnimi i gjyqtarëve dhe ata do të jenë në dhomat e VAR-it. Ndërsa në ndeshjet ndërkombëtare sikurse edhe zyrtarët e tjerë të ndeshjes, gjyqtarët e VAR-it caktohen nga FIFA dhe në ndeshjet ndërkombëtare mund të caktohen edhe gjyqtarë nga Kosova”, ka përfunduar ai.
Sistemi “VAR” (Video Assistant Referee) ka një dhomë të veçantë brenda stadiumit ku qëndrojnë disa gjyqtarë të kualifikuar dhe e përcjellin ndeshjen e futbollit dhe në rast se shohin gjëra të cilët nuk i vërejnë gjyqtarët kryesorë në fushë, atëherë ata i kontaktojnë ata dhe konsultohen.
Gjyqtari kryesor e ka edhe një ekran jashtë fushës për t’i parë rastet e diskutueshme në rast se nuk bindet nga referët asistentë.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...