Më 28 janar do të mbahet seanca për të akuzuarit në lidhje me veteranët e rrejshëm

09:11 | 12 Janar 2019
Arbresh.info

Seanca ku do të vendoset për kërkesën e prokurorisë për masë të përkohshme lidhur me veteranët e dyshuar si të rrejshëm  do  të mbahet më 28 janar.

Prokurori  i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se aktakuza është dorëzuar në bazë të kërkesave të kërkuara nga Gjykata.

Aktakuza është dorëzuar, janë plotësuar kërkesat që  ka kërkuar Gjykata. Tani është caktuar seanca e parë fillestare dhe me 28 pritet të mbahet  ku do shkojnë prokurorët e përfaqësojnë aktakuzën”, ka thënë ai.

Hoxha ka theksuar se me 28 janar nuk pritet ndonjë vendim, pasi që është seancë fillestare.

Me 28 janar nuk ka ndonjë vendim, është vetëm seancë fillestare. Nuk e di se çfarë do të ndodhë por, ajo është seancë fillestare. Të shohim a do të mbahet, a ka kushte apo jo. Njëherë nuk dimë asgjë deri më datën 28 kur të shkojnë në Gjykatë. Të pranishëm do të jenë të akuzuarit, sepse nëse nuk janë të pranishëm nuk mbahet seanca. Të gjithë të akuzuarit 12 a sa janë duhet të jenë në seancë, nuk duhet të mungoj asnjë, sepse ndryshe seanca nuk mbahet”, ka thënë ai duke shtuar se nuk dihet nëse do të ketë anulim të pensioneve të veteranëve.

Sipas nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ky proces do të zgjas.

Nuk pres që seanca të përfundoj brenda dite. Mendoj që ky proces do të zgjas dhe është lëndë tejet e madhe. Është organizata e veteranëve të luftës që ka bërë  thirrje për ndërhyrje të Prokurorisë, ku dyshon që ka keqpërdorime. Ne e përshëndesim gjykatësen, dhe urojmë që ata të jenë të pafajshëm, megjithatë Gjykata del me një vendim dhe e presim vendimin e tyre”, ka thënë Haradinaj për arbresh.info.

Sipas tij veteranët nuk duhet të shqetësohen për këtë proces.

Mashtruesit duhet të dalin të kërkojnë falje e të tërhiqen vet. Për mua ka mashtrues dhe veteran, pra nuk ka veteran mashtrues. Emrat që janë në listë kanë qenë manipulim që të fshihen mashtruesit, është lojë e bebave që e ka hetuar i gjithë opinioni. Asnjë veteran nuk ka nevojë të shqetësohet që i merret statusi i veteranit. Të shqetësohen duhet mashtruesit që kanë mbërri të hyjnë në atë listë, dhe ata të cilët i kanë futur ata në atë listë. Uroj që nëse ka njerëz manipulues, mashtrues dhe të korruptuar  të zbulohen dhe të dënohen kurdo qoftë, por uroj njëkohësisht nëse janë të pafajshëm të vërtetohet pafajësia e tyre”, theksoi ai.

Ndryshe aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës përmban disa emra të akuzuar. Ata janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Kjo aktakuzë ishte kthyer nga Gjykata  me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit e lartë cekur.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Mirëpo Gjykata pasi kishte kthyer aktakuzën kishte kërkuar nga Prokurorisë ndryshimin e kërkesës për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë, deri në përfundim të procedurës penale dhe se sipas gjykatëses së rastit Nushe Kuka-Mekaj do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër shkaku i mundësisë së zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor./V.Berisha/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme