Polici i ndjerë, Izet Demaj i cili u vra para disa javësh në Istog gjatë një tentim –grabitjeje të një banke, para tetë vitesh kishte goditur me veturë dy prej anëtarëve të familjes Hasanaj nga Istogu, njëri prej të cilëve kishte vdekur më pas. Familja Hasanaj ia kishte falur, e Demaj ishte dënuar me burgim me kusht.
Para rreth tetë viteve, familja Hasanaj nga Cërrca e Istogut kishte dëgjuar për herë të parë për policin tani të ndjerë, Izet Demaj, që u shpall“Hero i Kosovës”. Por, në një situatë shumë të dhimbshme.
Izet Demaj kishte goditur me veturë një prej djemve të kësaj familje dhe bashkëshorten e tij, duke iu shkaktuar të dyve lëndime të rënda.
Plagëve që mori, Fitimi nuk mundi t’u mbijetojë, dhe ndërroi jetë pas disa ditësh, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti në gjendje të rëndë.
Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar sot gjatë ditës në familjen Hasanaj, të cilët kanë treguar për atë se si ka ndodhur i gjithë rasti.
Nëna e Fitimit, Haka Hasanaj tregon se gjithë ngjarja kishte ndodhur mbrëmjen e 22 korrikut të vitit 2011.
Ajo tregon se djali dhe nusja po shkonin për vizitë te disa fqinjë atë natë.
Por, thotë se më të dalë në rrugën kryesore që është jo shumë larg shtëpisë ku banonte i ndjeri, kishte ardhur një veturë me shpejtësi dhe i kishte goditur, duke iu shkaktuar plagë të rënda.
Vetura e cila goditi çiftin po drejtohej nga polici i ndjerë, Izet Demaj, për të cilin familja Hasanaj atë natë kishte dëgjuar për herë të parë emrin e tij.
“U kanë ditë e enjte edhe këta janë patë nis në Istog natën, po kur janë dal të kjo udha para dyerve ka ardh një kerr me shpejtësi të madhe edhe i ka rrok. Djalin e ka gjujt 20 metra, e edhe renë e ka rrok pak. Menjëherë e kanë marrë e kanë çu në Spitalin e Pejës. Aty ka nejt dy ditë, masnej e kanë çu në Prishtinë, ku ka ra në koma edhe ka vdekë”, tregon ajo me lot në sy.
74 vjeçarja thotë se familja e Izetit, iu kishin thënë që ta dërgonin djalin kudo për shërim, dhe se ato do të përgjigjeshin, por siç thotë “nuk kishte më shumë jetë”.
“Ai ka thanë, ai polici, kqyrni ku të doni me dërgu për shërim se unë përgjegjna po nuk ka pas djali jetë më shumë. Ashtu ka qenë e shkrume, ka ndodhë aksidenti. Qe krye shtatë vjete e vranë edhe ata(policin)”, tregon ajo.
Por, thotë se ata nuk mbajtën asnjëherë kontakt me familjen Dema. Madje, thotë se ata nuk kishin marrë pjesë as në varrimin e Fitimit. Kontakte thotë se nuk mbajti më as me gruan e djalit, për të cilën thotë se u largua nga shtëpia dy ditë pasi i vdiq burri.
“Po ia kemi falë,. Nuk kemi shkuar asnjëherë te familja, edhe s’kemi pas kurrfarë marrëdhënie më me ta. As me gruan e djalin s’kam fol kurrë. Dy ditë masi që ka vdekë djali, ka shku reja nuk ka ndejtë.
E vetme dhe e sëmurë në një shtëpi, që nuk i plotëson as kushtet elementare për jetesë, ajo thotë se çdo ditë kujton djalin që i vdiq në aksident para tetë viteve, e mall e shikon fotografinë e tij që e ka të varur në dritare.
Se Demaj e kishte shkaktuar këtë aksident, e kanë konfirmuar edhe në Gjykatën Themelore të Pejës.
Zëdhënësja për informim në Gjykatën e Pejës, Tringa Zhuti i ka thënë Gazetës Express se Demaj ishte shpallur fajtor në shkurt të 2012’ës për veprën penale rrezikim i trafikut publik. Deklaron se edhe vet Demaj e kishte pranuar fajësinë për këtë.
“Nga ish Gjykata e Qarkut në Pejë, tani Gjykata Themelore në Pejë, Izet (Qazim) Demaj, me aktgjykimin e datë 01.02.2012, është shpall fajtor për vepër penale rrezikim I trafikut publik nga neni 297 par.5 lidhur me par.3 të KPK-së (Kodit të vjetër penal) për shkak se me datë 21.07. 2011, në afërsi të fshatit Cercë, Komuna Istog, ka shkel Ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor të Kosovës nr.02/L-70, duke shkaktuar aksident në dëm të tani të ndjerit F.H, i moshës 37 vjeçare dhe të dëmtuarës XH.H”, thuhet në përgjigjet e Zhutit drejtuar Gazetës Express.
Derisa ka deklaruar se për këtë i ishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti, dënim të cilin nuk do ta vuante nëse në afatin prej 1 viti e gjashtë muaj nuk do të kryej ndonjë vepër të re penale.
“I pandehuri e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale dhe ndaj aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë nuk është parashtruar ankesë nga asnjëra palë andaj, e njejta është bërë e plotfuqishme”, thuhet në përgjigjet e Gjykatës.
Ndërkohë, Izet Demaj u vra gjatë një tentim-grabitje të armatosur që ndodhi në Istog më 27 dhjetor të vitit të kaluar. Po, atë ditë grabitësit ishin armatosur e kishin marrë rrugë drejt një prej bankave që gjendet në qendër të Komunës së Istogut, për të kryer grabitje.
Por, aty u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e pas një përleshje me armë zjarri, mbeti i vrarë grabitësi Kamer Metaj, i cili e plagosi rëndë pjesëtarin e policisë, Izet Demajn, i cili vdiq disa orë më vonë pas plagëve të marra.
Ai u varros me ceremoni shtetërore pranë shokëve të tij të luftës në Koshare, derisa në nderim të tij Presidenti Thaçi shpalli ditë zie.
Ndërkohë, që Demaj është shpallur edhe zyrtarisht “Hero i Kosovës”nga President i Kosovës, Hashim Thaçi.
Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet personave që kanë bërë vepra trimërie dhe sakrifice, si dhe që kanë dëshmuar veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë lufte apo paqeje.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në nenin 84(28) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, gjithashtu në nenin 6 të Ligjit nr. 04/L-070 për Dhënien e Dekoratave dhe në Rregulloren (P) nr. 04/2016, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës””, thuhej në njoftimin e Presidencës.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...