Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, beson se dialogu me Serbinë mund të vazhdojë edhe përderisa taksa doganore ndaj këtij shteti është në fuqi.
Haradinaj ka ftuar edhe dy partitë më të mëdha të opozitës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që t’i bashkohen Delegacionit të Kosovës në negociatat me Serbinë, ndonëse ka marrë përgjigje të shpejtë negative nga këto të fundit.
Ai ka ripërsëritur qëndrimin se Kosova nuk do ta heqë taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, përderisa këto të fundit të mos e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur.
Në një konferencë për medie, të premten, kryeministri Haradinaj, ka thënë se taksa do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi, pavarësisht që autoritetet e Serbisë e kanë kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me tërheqjen e kësaj takse.
“Nëse kështu është qëndrimi i tyre, qëndrimi im është po ashtu shumë i qartë. Derisa nuk është njohja (e Kosovës) në tavolinë, vazhdojmë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka shtuar që lidershipi në Kosovë ka dhënë mjaft prova në të kaluarën për, siç ka thënë ai, racionalitet dhe se Kosova është ulur në tavolinë pa asnjë kusht, çdoherë. Por, sipas tij, kjo nuk ka dhënë ndonjë rezultat.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar që po të mos ishte konsolidimi i brendshëm, pala e Kosovës do të ishte pa argumente. Siç ka thënë ai, qëllimi dhe misioni i tij janë konsolidimi i argumenteve të brendshme të Kosovës dhe fuqizimi i Kosovës në pozicion negociues.
“Mendoj që edhe opozita duhet ta shqyrtojë rolin e vet. Pra, edhe LDK-ja edhe Vetëvendosje, ta fuqizojnë Kosovën në pozicionin negociues me Serbinë. Janë dy liga që po luhen. Një është e brendshme – ne i vazhdojmë garat tona politike të brendshme, për pushtet, për të tjera – por është edhe një ligë e jashtme. E për këtë ligën e jashtme duhet ta bëjmë një kombëtare të Kosovës, një përfaqësuese të Kosovës. Aty e kanë vendin e vet edhe LDK-ja edhe Vetëvendosja. Nuk është mirë që ta dobësojnë kombëtaren e vet, sepse janë momente që janë me rëndësi kohore. Pra, nuk është luksi kohor tash deri në pakufi”, ka theksuar Haradinaj.
Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,Isa Mustafa, në një konferencë me media, të premten ka theksuar që Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë përgjegjësinë që i takon për dialogun dhe, sipas tij, tashmë ekzistojnë tri koncepte lidhur me dialogun.
“Ne konsiderojmë që kjo përgjegjësi nuk është marrë, në momentin kur ne kemi tri koncepte të dialogut: një koncept ose një platformë e presidentit të vendit, e cila është shpërfaqur në opinion si ‘korrigjim i kufijve”; një koncept të një drafti të marrëveshjes të Qeverisë , në të cilën kryeministri e nxjerr veten nga roli i dialoguesit edhe pse dialogu, sipas LDK-së, është përgjegjësi dhe çështje e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe nuk është e asnjë grupi dhe ekipi, por e Qeverisë. Po ashtu, shohim se kemi një koncept apo shumë koncepte të grupit që e ka përcaktuar Kuvendi dhe që sot, secili kokë më vete del me nga propozim dhe nga një ide se çka duhet bërë në procesin e dialogut”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar seLDK-ja, në këtë proces do t’i mbetet besnike dokumentit të saj mbi bazat e zhvillimit të dialogu , si dhe që mbetet e përkushtuar që ta përkrahë procesin e dialogut, në mënyrë që ky proces të përfundojë në dobi dhe interes të Kosovës.
Përderisa partitë opozitare, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë bërë të qartë që nuk do të jenë pjesë e Delegacionit shtetëror në dialogun me Serbinë, në anën tjetër, mbetet ende e paqartë mundësia dhe mënyra e koordinimit të këtij Delegacioni me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti Thaçi e ka përshëndetur takimin e 8 janarit, të Delegacionit shtetëror të Kosovës me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini,
Bashkëdrejtuesit e delegacionit shtetëror, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, kanë kërkuar koordinim me presidentin Thaçi, si dhe kanë kërkuar nga presidenti dhe Qeveria e Kosovës dokumentacionin që e kanë lidhur me bisedimet me Serbinë.
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë për mundësitë e këtij koordinimi, si dhe ofrimit të dokumentacionit për bisedimet me Serbinë, Zyra e Presidentit të Kosovës, deri më tash, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që institucionet e larta të vendit do të duhej të kishin një koordinim meDelegacionin shtetëror. Në të kundërtën, në rast se ky i fundit nuk do të kishte qasje në dokumente bazike, do ta humbte kuptimin e ekzistimit të tij.
“Po flasim gjithnjë për dokumentet, të cilat nuk janë publike dhe mund t’i ketë, për shembull, vetëm presidenti. Kështu që është e rrugës dhe presidenti duhet që të ndajë gjithë dokumentacionin dhe të gjitha informatat e nevojshme me Ekipin negociator, të formuar së fundi. Nëse nuk ndodh as kjo, të cilën unë e konsideroj që është hap minimal, atëherë, cili do të jetë roli i këtij delegacioni në tërësi ose çka do të mund të pritej prej tyre, nëse nuk do të kenë qasje as në dokumentacionin parësor që ka të bëjë me procesin e dialogut me Serbinë”, shprehet Murati.
Megjithatë, sipas Muratit, mundësia e koordinimit ndërmjet Delegacionit shtetëror përdialog me Serbinë dhe presidentit Hashim Thaçi, mbetet ende e paqartë, për shkak se ende nuk ka qartësim të kompetencave dhe të fushëveprimit të këtij delegacioni.
Në Rezolutën e Kuvendit, sipas tij, është përmendur fushëveprimi dhe roli i Ekipit negociator, por siç thotë ai, për definimin e këtij fushëveprimi janë të nevojshme platforma për dialog dhe miratimi i projektligjit për dialog.
Siç thekson analisti Murati, deklaratat e bashkëkryesuesve të Delegacionit shtetëror pas takimit me zyrtarët e Bashkimit Evropian, se ftesat nga Brukseli duhet të vijnë në emër të Delegacionit shtetëror dhe më pas ato t’i përcillen presidentit, janë shembuj tëmungesës së koordinimit të brendshëm në Kosovë.
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...
Rama në Britani e Madhe: Emocion kuqezi pak minuta përpara t...
Tenderët njëburimor, Murati: Përqindja më e madhe ka qenë më...
Irani konfirmon se do t’i diskutojë çështjet bërthamore me t...