Google ADS

Morgan Stanley ul çmimin e parashikuar të naftës për vitin 2019

10:48 | 10 Janar 2019
Arbresh.info

Kompania amerikane e investimeve bankare që njëherit ofron edhe shërbime financiare, Morgan Stanley i është bashkuar gjigantëve tjerë të kësaj fushe duke ulur çmimin e parashikuar të naftës së papërpunuar për vitin 2019, nga shkaku i pritshmërive të dobëta të rritjes ekonomike globale si dhe rritjes së furnizimit me naftë në tregun global, raporton Anadolu Agency (AA).

Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar Brent, vlerësohet se do të ketë një çmim mesatar me 61 dollarë për fuçi, që është për 8 dollarë më i ulët nga vlerësimi paraprak.

Marka amerikane e naftës së papërpunuar West Texas Intermediate (WTI) aktualisht vlerësohet se do të ketë një çmim mesatar me 54 dollarë për fuçi, ose 6 dollarë më pak nga parashikimi fillestar.

“Ulja e çmimeve është rezultat i dobësimit të pritjeve për një rritje ekonomike, si dhe rritjes së furnizimit me naftë në tregun në botë, veçanërisht nga SHBA-të”, thotë kompania Morgan Stanley.

Prodhimi i naftës së papërpunuar në SHBA, mbetet në një nivel të lartë rekord prej rreth 11.7 milionë fuçi në ditë, flasin të dhënat e administratës amerikane për Informacion Energjetik të publikuar të mërkurën.

Rritja ekonomike parashikohet që gjatë vitit 2019 të ketë një dinamikë të uljes, gjë e cila do të ushtrojë një presion mbi kërkesën globale për naftë.

Së fundmi, është Banka Botërore që ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike globale, duke thënë të mërkurën se rritja gjatë vitit 2019 do të jetë 2.9 për qind, nga 3 për qind sa ishte në vitin 2018.

Kujtojmë se ditë më parë një nga bankat më të mëdha të investimeve në SHBA, “Goldman Sachs”, bëri ulje të parashikimit për çmimet e naftës gjatë vitit 2019, duke marrë për bazë rritjen e prodhimit dhe kërkesën e vogël.

Në rishikimin e publikuar të hënën, Goldman Sachs thotë se marka e naftës së papërpunuar Brent, këtë vit do të ketë një mesatare prej 62.50 dollarë për fuçi, nga 70 dollarë sa kishte parashikuar më parë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme