Tahiri: Prioriteti kryesor për komunat në 2019, është zhvillimi ekonomik lokal

20:44 | 9 Janar 2019
Arbresh.info

Koordinatori nacional për reforma shtetërore në Qeverinë Haradinaj, Besnik Tahiri ka pritur sot në takim përfaqësuesen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Norbert Pijls,  drejtues i projektit DEMOS dhe Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për qeverisjen lokale, ku Tahiri ka bërë të ditur synimet e Qeverisë Haradinaj.

Ai ka thënë se prioritet kryesor do të jetë zhvillimi ekonomik lokal.

Postimi i plotë:

Zhvillimi ekonomik lokal prioriteti kryesor për komunat në 2019!

Sot, takova znj. Saranda Cana-Pruthi, përfaqësuese e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, z. Norbert Pijls, drejtues i projektit DEMOS dhe Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Rozafa Ukimeraj.

Sa i përket qeverisjes lokale, janë dy synime kryesore ku do të fokusohet puna e Qeverisë së Kosovës:

  1. Kryeministri Haradinaj prioritetin kryesor, për këtë vit, e ka zhvillimin ekonomik në nivel vendi. Dhe një fokus i veçantë në punën me komuna do ti kushtohet zhvillimit ekonomik lokal (LED). Për këtë, do të punohet në fusha sektoriale nga niveli qendror, dhe në koordinim të ngushtë me komunat dhe partnerët zhvillimorë për të orientuar fondet zhvillimore në funksion të zhvillimit ekonomik lokal dhe gjenerimit të punësimit. Kjo do të realizohet në orientim me Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2019-2023, duke synuar përmbushjen e objektivave, si rritja e qëndrueshmërisë financiare e komunave, tërheqja e investimeve të huaja, fuqizimi i ekonomisë lokale përmes investimit në kapitalin njerëzor dhe shfrytëzimi i resurseve në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
  2. Analiza e plotë funksionale e qeverisjes lokale për të identifikuar në hollësi problemet në lidhje me kompetencat, financimin dhe nevojat e komunave, e për të filluar një proces të strukturuar dhe agjendë afatgjatë të reformimit të qeverisjes lokale.

Lidhur me këtë, diskutuam për koordinimin dhe mbështetjen e cila do t’i ofrohet Kosovës nga partnerët zhvillimor, ndër më të rëndësishmit, siç është edhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC), poashtu në këtë takim u shkëmbyen ide mbi zgjidhjen e problemeve të shumta aktuale që ndërlidhen me nivelin lokal.

Të ngjashme