Për shtesat e fëmijëve duhet legjislacion shtesë

20:39 | 9 Janar 2019
Arbresh.info

Kuvendi i Kosovës, vitin e kaluar e ka miratuar një rezolutë përmes së cilës parashihet që të ndahen shtesa prej 10 euro për fëmijët në Kosovë, nga mosha 0 deri në 16 vjeç.

Sipas kësaj rezolute, ndarja e shtesave për fëmijët parashihet të nis në vitin 2019, megjithatë ende nuk dihet saktësisht se kur do të bëhet ndarja e mjeteve financiare për këtë çështje, ndërkaq e diskutueshme do të jetë edhe shuma e të hollave, pasi që pritet të ketë edhe kategorizim.

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, e cila njëherësh e ka iniciuar idenë për shtesat e fëmijëve, ka thënë për Kallxo.com se është e sigurt që ndarja e shtesa do të ndodhë brenda vitit 2019.

“Pas aprovimit të rezolutës, Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Punës që të fillohet puna në legjislacion shtesë me qëllim të zbatimit të gjitha pikave të rezolutës që nënkupton kategorizimin dhe implementimin e shtesave për fëmijë. Jam e sigurt që do të ndodhë brenda vitit 2019”, thuhet në përgjigjen e Kadaj-Bujupi.

Sipas deputetes, në momentin që finalizohet ligji nga e ministrisë ndahet edhe buxheti për zbatim.

Lidhur me këtë çështje, gazet ka kontaktuar Ministrinë e Financave dhe atë të Punës dhe Mirëqenies sociale.

Drejtori i Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini, ka thënë që për këtë çështje duhet të kërkohet përgjigje nga Ministria  e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ndërkaq,  Musa Demiri, udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në MPMS, thotë që ky dikaster ka obligime nga rezoluta  e miratuar për shtesat e fëmijëve.

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për shtesat e fëmijëve

“Siç e dini, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka nxjerrë vitin e kaluar një rezolutë rreth shtesave për fëmijë. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka obligime që burojnë nga kjo rezolutë, konkretisht, që ndërlidhen me hartimin dhe zbatimin e legjislacionit për ndarje të shtesave për fëmijë. Në rezolutë specifikohet se ndarja e shtesave për fëmijë të fillojë gjatë vitit 2019”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Demirit, sa i përket shumës mujore të shtesave për fëmijë, në rezolutë specifikohet se ajo duhet të kategorizohet, duke marrë parasysh kriteret përkatëse, përfshirë të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve.

“Ndërkaq, vitin e kaluar, MPMS ka marrë përsipër reformë të plotë të sistemit pensional ku ka hartuar Koncept-Dokumentin për Fushën e Pensioneve dhe Beneficioneve. Në këtë Koncept-Dokument, ndër tjera është paraparë edhe hartimi i Ligjit për Sigurime Sociale nga i cili do të krijohet Fondi për Sigurime Sociale që do të jetë i financuar nga punëdhënësit dhe punëmarrësit”, thuhet në sqarimin e zyrtarit në këtë ministri.

Ai shton se ky fond do të financojë komplet shtyllën e parë të Sistemit Pensional ku përfshihet edhe mbrojtja prindërore (shtesat për fëmijë).

Në anën tjetër, ndarja e shtesave për fëmijët, nuk është e përfshirë as në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Megjithatë, shtesa prej 10 euro në muaj për fëmijët në Kosovë është konsideruar e  pamjaftueshme për nevojat elementare për rritjen e tyre, duke pasur parasysh standardet ekonomike në vend. /Kallxo.com/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme