Google ADS

13 të vdekur nga stuhia e borës në Evropë

21:29 | 8 Janar 2019
Arbresh Info

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën në incidente të shkaktuara nga stuhia e borës që goditi Evropën nga fundjava e kaluar.

Shumica e viktimave, raportohet se kanë humbur jetën nga ortekët.

Në Norvegji, kërkimi për katër skiatorë u pezullua për shkak të borës së madhe dhe shikimit të dobët, por konsiderohet se një suedeze (29 vjeçare) dhe tre finlandezë (29, 32 dhe 36 vjeçar), mund të kenë vdekur nga një ortek që goditi luginën pranë qytetit të Tromsoes.

Mediat raportojnë se disa njerëz kanë humbur jetën nga ortekët në Zvicër, Austri dhe Gjermani.

Në Rumani është gjetur trupi i ngrirë i një mashkulli (67 vjeçar), i cili ishte në një parking në qytetin Slatina në jug të vendit, ku raportohet se aty temperaturat arrijnë deri në -24 gradë Celsius.

Në Austri, qindra banorë janë bllokuar në shtëpi dhe po ashtu rrugët janë të bllokuara, ndërsa në disa pjesë nuk ka energji elektrike, transmeton KosovaPress

Po ashtu, në disa pjesë të atij vendi është ndërpre mësimi në shkolla. Të hënën në mbrëmje, 11 alpinistë gjermanë u shpëtuan në një mal pranë Salzburgut, ku ata kishin mbetur pa ushqim dhe pa energji elektrike që nga e premtja.

Aeroporti i Shiphol në Amsterdam njoftoi shtyrjen dhe anulimin e fluturimeve, dhe “KLM” holandeze anuloi deri në 159 fluturime anembanë Evropës. Shumë fluturime u anuluan edhe në Sllovaki.

Stuhitë e forta të dëborës dhe erërat e forta u regjistruan edhe në Skandinavinë qendrore, ku shumë pjesë të rajonit mbetën pa energji elektrike.

Në Greqi, në rajonin e Athinës dhe në zonat e afërta, shkollat u mbyllën për shkak të borës, ndërsa disa rrugë malore janë të mbyllura. Për shkak të kushteve në qendrat e pritjes në Greqi, shumë emigrantë protestuan, ndërsa raportohet se në disa pjesë të vendit temperatura ka rënë në -20 gradë Celsius.

Dëbora ka pasur gjithashtu edhe në disa ishuj grekë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme