Vitin që po e lëmë pas, në vendin e punës në rrethana të njëjta, pasiguria në punë, humbën jetë 23 punëtorë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë.
Për këto 12 raste Ndërtimi.info ka siguruar raportet e Inspektoratit të Punës që tregojnë se si erdhi deri te vdekja e punëtorëve dhe gjobat që janë shqiptuar për punëdhënësit. Gjoba më e madhe i është shqiptuar kompanisë Sh.P.K “Timi Construction” për rastin e vdekjes së punëtorit Valon Berisha, gjobë prej 10 mijë euro.
Ndërsa gjoba më e ulët e shqiptuar është 2 mijë euro ndaj kompanisë “SatStyro” ku vdiq 17 vjeçari Seldin Alija.
Vdekja e parë në 2018-ën ishte shënuar më 31 janar në Gjilan. Punëtori Musli Krasniqi, derisa po bënte ngarkimin dhe shkarkimin e armaturave, ku një nga shufrat metalike kishte rënë në kontakt me telat e rrymës elektrike, kontakt ky që i mori jetën të ndjerit Krasniqi.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur nga mos-sigurimi i vendit se ku do të ndalej transporteri. E për këtë Inspektorati i Punës ka gjobitur kompaninë Sh.P.K “Fitorja” me 5 mijë e 500 euro gjobë.
Këtë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku.
“Gjoba për punëdhënësin ka qenë 5 mijë e 500 euro për mos-sigurimin e vendit të punës në mënyrë të sigurt që transporteri mos me u ndal aty afër kontaktit me tensionin e lartë të energjisë elektrike”, tregoi Millaku.
Edhe Drilon Arifaj humbi jetën pas kontaktit me telat e rrymës elektrike, derisa po punonte në një shtëpi private më fshatin Peqan të Suharekës. Arifaj punonte në kompaninë “Fisi Co” Sh.P.K. Ngjarja ka ndodhur derisa i ndjeri po i barte dërrasat e lagura nga një mini-garazh, gjatë së cilës bartje edhe ra në kontakt me telat e rrymës.
Rasti tjetër ka të bëjë me vdekjen e punëtorit, Gentian Krasniqi, i cili kishte rënë nga lartësia derisa po punonte në një ndërtesë në “Rrugën B”. Sipas raportit të Inspektoratit, tashmë i ndjeri, Krasniqi gjeti vdekjen derisa po zbriste skeleve por që i dështoi kapja në shufrat e skeleve.
“Gentian Krasniqi, në ‘Rrugën B’ ka rënë nga lartësia. Ka tentuar të zbres përmes skeleve dhe rastësisht i ka dështuar kapja në shufrat e skeleve dhe ka rënë, por saktë sa ka qenë lartësia nuk dihet”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Punës.
Vdekjet në vendin e punës nxiten reagime e deklarata të shumta. Ajo që shqetësoi qytetarët ishte se për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, në sektorin e ndërtimit po detyrohen të punojnë edhe persona që nuk kanë njohuri me këtë fushë.
Në mëngjesin e 24 majit u shënua edhe një vdekje. 30 vjeçari Valon Berisha i diplomuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit, ra nga kati i tretë i një objekti që po ndërtohej në Fushë Kosovë.
Valoni po punonte në kompaninë Sh.P.K “Timi Cnstruction”. Ai la pas vetes një vajzë dy vjet e gjysmë dhe një djalë mbi 1 vjet.
Ndërtimi.info mëson se Inspektorati i Punës ka gjobitur kompaninë me 10 mijë e 500 euro.
Image
Sipas raportit, i ndjeri shkoi në vendin e punës para kohe. Sipas po të njëjtit raport, nuk dihet se kush i ka dhënë urdhër.
“Valon Berisha, në Fushë Kosovë, punëtor i Sh.p.k “Timi Construction”, ka rënë nga lartësia, diku nga kati i tretë, afërsisht nëntë metra. Punëtori ka shkuar para kohe në vendin e punës. Ka qenë i profesionalizuar në diçka tjetër por ka punuar në ndërtimtari pa u koordinuar me dikë. Nuk dihet kush i ka dhënë urdhër por dihet se para se të fillojë orarin e punës ka gjet vdekjen. Për kompaninë është shqiptuar masa ndëshkimore gjobë nga ana inspektorit të punës me shumë prej 10 mijë e 500 euro”, thuhet mes tjerash në raport.
Edhe punëtori i kompanisë ndërtimore NN “Hoxhaj”, Gani Brahimaj, pasi kishte rënë nga lartësia e një shtëpie private, humbi jetën. Rasti kishte ndodhur në fshatin Përbërgj të Deçanit, derisa po bënte fasadimin e shtëpisë. Për këtë rast Inspektorati i Punës ka gjobitur kompaninë me 2 mijë e 600 euro.
Edhe kompania ndërmarrjes ndërtimore NN ”UKA” është gjobitur me 5 mijë euro nga Inspektorati i Punës, pasi që punëtori i kësaj kompanie Fitim Saraqi humbi jetë në vendin e punës.
Sipas raportit të Inspektoratit, i ndjeri Saraqi ka qenë duke prodhuar kubëza të betonit dhe gjatë procesit ka hyrë nën pajisjen që i ngrit ngarkesat por që në këtë rast ka dështuar ngarkesa.
“Fitim Saraqi, punëtor i ndërmarrjes ndërtimore NN ‘Uka’, kompania është gjobitur me 5 mijë euro, rasti ka ndodhur në Vushtrri, punëtori ka qenë duke prodhuar kubëza të betonit. Rastësisht ka hyr nën pajisjen që i ngrit ngarkesat dhe ka dështuar ngarkesa”, thuhet në gjetjet e raportit.
Për shkak rrëzimit nga lartësia është edhe rasti i punëtorit Sefer Kryeziu. Rast ky që ende është në procedurë.
“Sefer Kryeziu, nga fshati Bubavec i Malishevës, ka rënë nga lartësia. Rasti është në procedurë akoma. Thuhet vetëm se rënie nga lartësia, por çka ka ndodhur më tutje nuk dihet, sepse rasti është në procedurë”, tregon Millaku për Ndërtimi.info.
Ndërsa rast tjetër ka ndodhur më 22 shtator të këtij viti. 37 vjeçari Bekim Maloku nga Gjilani gjeti vdekjen në oborrin e shtëpisë së tij pasi ishte zënë nga buldozeri. I ndjeri Maloku ishte duke hapur një kanal por që për një moment ishte shembur dheu dhe buldozeri i kishte rënë përmbi.
Ndryshe, prej rasteve të lartcekura është edhe kur vetë punëdhënësi ka gjetur vdekjen në vendin e punës.
“Sefë Gjocaj është punëdhënësi vetë. Në të njëjtin fshat, pra, Pëbërgj brenda një kohe të shkurtër ka rastis që vetë punëdhënësi ka vdekur”, tregoi Millaku.
Investitori Milazim Bajraktari në Prishtinë, vdiq pasi kishte rënë nga lartësia 7 metra.
Ndërsa ende vazhdon të jetë e paqartë rasti i 23 vjeçarit nga Peja, Milor Belegut, që konsiderohet të ketë rënë nga lartësia. Kjo pasi që, siç thonë në Inspektoratin e Punës, nuk janë njoftuar me kohë.
“Milor Belegu është rast që konsiderohet që ka rënë nga lartësia. Por nuk është raportuar rasti në Inspektoratin e Punës. Tash rasti është në procedurë. Sepse tek pasi ka vdekur e kanë lajmëruar rastin”, tha Millaku.
Në raste të mos-njoftimit në kohë të rastit, Inspektorati i Punës ndëshkon me gjobë kompaninë.
“Rasti duhet lajmëruar menjëherë në Inspektoratin e Punës, sepse është një detyrim i punëdhënësit të lajmërojë rastin menjëherë porsa të ndodhë ose në momentin më të përshtatshëm për në afatin më të shkurtër kohor. Pra, para se të ndërrojë gjendja, para se të ndërrojë situacioni ku mundet inspektori t’i marrë të dhënat e sakta lidhur me rastin. Përndryshe humbin gjurmët dhe rasti si rast mund të hetohet veç përmes hipotezave ku mund të themi ka ndodhë kështu, apo kështu, por që nuk ka fakte. Për mos-lajmërimin e rastit parashihen masa ndëshkimore – gjobë – për kompaninë”, potencoi Millaku.
Zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku në një intervistë për Ndërtimi.info tregoi edhe se a ka raste kur fajtor ka qenë vetë viktima.
“Në rrethana tona, fajësia bie në punëdhënësin sepse për ta fajësuar punëtorin duhet me pas shumë dëshmi që punëdhënësi ka kryer obligimet e veta ndaj tij. Obligimet e tij janë që punëtori duhet të jetë i informuar mirë, duhet të jetë i udhëzuar mirë para se t’i jepet puna, duhet t’i tregohet me cilat mjete dhe në çfarë kushtesh duhet të punojnë, mënyrën e veprimit prej fillimit deri në fund dhe duhet të iu jepen mjetet dhe pajisjet personale mbrojtëse adekuate për vendin e punës me udhëzimet përkatëse. Nëse krejt këto i dëshmon që punëdhënësi i ka kryer edhe që punëtori ka fakte se nuk ka vepruar sipas udhëzimeve, atëherë punëtori e ka pësuar”, ka bërë të ditur Millaku.
Ndërsa, ngjarja që tronditi gjithë Kosovë e që nxiti reagime të shumta ishte vdekja e 17 vjeçarit Seldin Alija nga Lubizhda e Prizrenit.
Seldin Alija, 17 vjeçar gjeti vdekjen në vendin e tij të punës, në një kompani të stiroporit. Për këtë vdekje tragjike, kompania “SatStyro”, ku ishte punësuar Seldini, u dënua nga Inspektorati i Punës me 2 mijë euro. E, në anën tjetër, siç ka mësuar Ndërtimi.info, hetimet nga Prokuroria Themelore e Prizrenit po vazhdojnë ende.
“I punësuari, tashmë i ndjeri, duke punuar, pasi ka vendosur në makinën ku punonte shumicën e sasisë së mbeturinave nga thesi i stiropirit, atëherë, nga pakujdesia e tij, mashtrohet për të përfunduar punën me shpejtësi, kështu që një pjesë të mbeturinave të mbetura në thes, e ka kap me duar thesin dhe e çon lartë mbi kokën e tij për t’i derdhur menjëherë mbeturinat e mbetura në thes. Atëherë makina ia ka kap një pjesë të thesit dhe i lidhen duart për thesi të aksidentuarit, bashkë me mangën, duke e bartur prej vetit thesin e mbeturinave fillon me ia tërheq edhe trupin e tij përmes duarve e pastaj edhe kokën. Në këtë videoincizim, të siguruara nga Policia e Kosovës, shihet se nuk e ka bërë këtë veprim në ndikimin e dhunës të ndonjë të punësuari tjetër apo menaxherit. Por është dashur të vazhdojë ta tërheqë nga thesi dhe ta vendosë në makinë me duar ashtu siç e kishte filluar”, ka shpjeguar raportin Millaku.
Ndërkohë që Millaku ka theksuar që këto gjoba nuk janë masa e vetme ndëshkimore ndaj punëdhënësve të cilëve iu vdesin punëtorët në vendin e punës.
“Këto nuk janë masat e vetme ndëshkimore që i ndodhin punëdhënësit. Zhvillohen dhe dy procedura tjera përveç kësaj që ne e zhvillojmë. Është procedura për zhdëmtim, procedura civile dhe procedura penale. Varet tash prokurori a e cilëson si vepër penale a nuk e cilëson. Nëse cilësohet vepër penale, atëherë duhet të japë llogari penale”, sqaron Millaku.
Ndërkaq, në një konferencë për media, kreu i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka deklaruar se më 2018, në vendin e punës, kanë humbur jetën 23 persona. Vdekje këto të cilat, sipas tij, po ndodhin si mungesë e edukimit të pronarëve dhe punëtorëve.
Azemi po ashtu tha se rreth 50% e punëtorëve të sektorit privat punojnë pa kontrata pune, pa siguri e një pjesë e tyre janë edhe nën moshë madhore.
Përveç humbjes së jetëve, në vendin e punës u lënduan edhe 99 punëtorë.
Në këtë mënyrë, ai tha se shteti po bën krim ndaj punëtorëve të sektorit privat dhe situatën aktuale e ka quajtur gjendje jashtëzakonisht të rrezikshme.
Rikujtojmë se në vitin 2017, në vendin e punës kanë vdekur 19 punëtorë dhe dhjetëra tjera janë lënduar.
Paris Saint-Germaini merr një fitore komode ndaj Toulouse
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...