Google ADS

Vetëvendosje: Ekipi negociator po punon për interesa të Thaçit

15:39 | 8 Janar 2019
V. S.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka komentuar takimin e sotëm të delegacionit shtetëror dhe përfaqësuesve të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Haxhiu në një prononcim për KALLXO.com se tha se ky takim ishte i çakorduar dhe pa asnjë plan.

“Së pari duket që as ekipi vet nuk e dinë se pse ishin në Bruksel. Komplet të çakorduar, pa asnjë plan, pa kushte dhe pa parime. Këto takime kësisoj, kjo formë e negocimit me Serbinë, sidomos nga viti 2011-2017 nuk ka qenë në interes të Kosovës madje këto negociata e kanë forcuar pozicionin e Serbisë në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Deputetja e VV-së tha për KALLXO.com po ashtu tha se ekipi negociator nuk përfaqëson interesat e Kosovës por të presidentit, Hashim Thaci.

“Në vend se të angazhoheshin për pavlefshmërinë e aventurave të rrezikshme të Hashim Thaçit ata u bën vagonë të tij prandaj ky proces do të jetë sërish në favor të Serbisë dhe sërish do të përsëriten gabime që do t’i kushtojnë shumë vendit. Ne nuk do të jemi pjesë e këtyre pazareve, përkundrazi do t’i kundërshtojmë fuqishëm ato. Përfaqësuesit e partive në këtë ekip janë përfaqësues të partive minore, të njëjtit nuk përfaqësojnë opozitën, madje nuk përfaqësojnë as vullnetin e qytetarëve”, tha Haxhiu.

Ajo tutje shtoi se për VV-në këto negociata kanë qenë të papranueshme dhe sipas saj, sot është vërtetuar qëndrimi i tyre.

“Madje sot është vërtetuar që kemi pasur të drejtë në kundërshtimin tonë sepse përderisa këto negociata kanë dëmtuar Kosovën qoftë për së brendshmi, qoftë në aspektin ndërkombëtar, në anën tjetër ia kanë lehtësuar rrugën Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo formë e dialogimit është për Serbinë dhe assesi për Kosovën. Prandaj ne besojmë që nuk është dashur të niset asnjë fazë e dialogut me Serbinë por së pari të bëhet një bilanc dhe vlerësim i së kaluarës e pastaj listë kërkesash për Serbinë”, tha Haxhiu e cila është edhe krytetare e komisionit për Legjislacion.

Ekipi negociator i Kosovës ka zhvilluar sot takimin e parë me Bashkimin Evropian.

Kryesuesit e ekipit negociator për dialogun Kosovë-Serbi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti janë deklaruar pas takimit që kanë pasur me ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë – Serbi, Federika Mogherinin.

Shpend Ahmeti ka deklaruar se takimet në Bruksel do të bëhen në nivel të shteteve.

 

Ndërsa Mogherini ka thënë se ka shfrytëzuar takimin për të kërkuar sërish që të hiqet taksa e vënë ndaj produkteve serbe./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme