Google ADS

Italianët dërgojnë provën e dënimit për vjedhje të ish-gjyqtarit Admir Thanza

15:28 | 8 Janar 2019
Arbresh.info

Ish-gjyqtari i lartë, Admir Thanza pritet të përfundojë i pandehur në gjykatë, për dyshimet se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për sa kohë nuk kishte treguar se ishte i dënuar nga shteti italian për akuzën e vjedhjes.

Prokuroria e Tiranës po kryen veprimet e fundit hetimore, mes tyre edhe administrimin e letërporosisë së përcjellë nga Italia. Kjo letërporosi është prova kryesore që e vendos Admir Thanzën në pozitë të vështirë, pasi në të konfirmohet vendimi i Gjykatës së Pizës, ku Admir Thanza është dënuar me 40 ditë burg për një vjedhje të kryer në supermarket.

Nga ana tjetër, vendimi i fajësisë nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit nga gjyqtari i lartë, një veprim që do t’i hapë një histori tjetër penale, ashtu siç i kushtoi më herët edhe ish-kryebashkiakut Elvis Rroshi.

Mosdeklarimi i të shkuarës së Admir Thanzës u bë shkak që Prokuroria të nisë menjëherë hetimet, sapo gjyqtari i lartë u shkarkua nga detyra jo vetëm për gjetjet e ONM-së mbi këtë fakt, por edhe për problemet me pasuritë.

Gjatë hetimeve, ish-gjyqtari i lartë u pyet nga prokurorët, por ai mbajti të njëjtin qëndrim sikurse edhe gjatë vettingut. Admir Thanza mohoi të kishte vjedhur në Itali, por rrëfeu se e kishte marrë përsipër krimin për të shpëtuar nipin e sëmurë, për të cilin nuk kishte kush kujdesej.

Admir Thanza ka qenë pjesë e drejtësisë që prej vitit 1992, me një karrierë në ngjitje, nga Shkodra në Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, apo Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe në jetën akademike, një karrierë e cila u shkërmoq bujshëm pas gjetjeve të paparashikuara të vettingut./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme