Ulen çmimet e naftës pavarësisht shkurtimeve të eksportit saudit

10:51 | 8 Janar 2019
Arbresh.info

Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan një ulje të vogël sot në fillim të tregtisë, pavarësisht nga raportet që Arabia Saudite ka ulur eksportet e saj të papërpunuara për të ndihmuar në rritjen e çmimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në tregun ndërkombëtar nafta e llojit Brent tregtohet me 57.28 dollarë për fuçi, me një humbje ditore prej 0,5 për qind, pasi ditën e djeshme e mbylli me 57.66 dollarë për fuçi.

Nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) në të njëjtën kohë tregtohet me 48.55 dollarë për fuçi, me një humbje prej 0,4 për qind, pasi ditën e djeshme e mbylli me 48.75 dollarë për fuçi.

Zyrtarët e Organizatës së Eksportit të Naftës (OPEC), dje thanë se Arabia Saudite deri në fund të janarit planifikon të zvogëlojë eksportet e saj të naftës së papërpunuar në rreth 7.1 milionë fuçi në ditë (mbpd) për të ndihmuar në rritjen e çmimeve të naftës në mbi 80 dollarë për fuçi.

Sipas OPEC-ut, shitësi më i madh i naftës së papërpunuar në botë ka eksportuar rreth 7.4 mbpd në muajin dhjetor dhe 7.9 mbpd në muajin nëntor.

OPEC-u i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Rusia më 7 dhjetor u pajtuan për të zvogëluar prodhimin e përgjithshëm të naftës së tyre me 1.2 mbpd duke filluar nga 1 janari për gjashtë muaj, por plani deri më tani ka pasur pak ndikim në çmimet e papërpunuara.

Në anën e kërkesës, perspektivat e dobëta të rritjes ekonomike në mbarë botën për vitin 2019 hodhën një hije për kërkesën globale të naftës.

Kina dhe SHBA-të, dy ekonomitë më të mëdha në botë, të hënën rifilluan negociatat në Pekin për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre tregtare.

Sipas mediave ndërkombëtare, Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, të hënën tha se Kina dhe SHBA-të mund të arrijnë “një zgjidhje të arsyeshme që të dy vendet të mund të jetojnë me të”.

Sipas ekspertëve, një marrëveshje tregtare mund të reduktojë ngadalësimin ekonomik global dhe të mbajë të lartë kërkesën globale të naftës, megjithatë mosarritja e një marrëveshjeje do të përkeqësonte perspektivat e rritjes ekonomike dhe do të mbante një presion në rënie në kërkesën dhe çmimet e naftës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme