Doli në qarkullim përmbledhja: Myderriz Hfz. Bajram ef. Agani-Jeta dhe vepra (1899-1962)

10:50 | 2 Mars 2015
Arbresh Info

11042151_1054397717920458_1369112542_n

Përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor(Prishtinë, 7 dhjetor 2013), Prishtinë, 2015.

Boton:Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Shtëpia botuese “Dituria Islame”

Përgatiti për botim: Ramadan Shkodra – Sadik Mehmeti.

Në vazhdën e aktiviteteve të saj dhe në kuadër të ndriçimit dhe njohjes së jetës dhe veprës së ulemave tanë të mëhershëm, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, më 7 dhjetor 2013, në Prishtinë, organizoi sesionin shkencor“Myderriz Hfz. Bajram ef. Agani-Jeta dhe vepra (1899-1962)”.

Përveç kësaj, po atë ditë, u mbajt edhe një akademi përkujtimore kushtuar myderrizit tonë të njohur Hafiz Bajram ef. Aganit, si dhe u shfaq filmi dokumentar “Gjurmëve të Hafiz Bajram ef. Aganit”.

Në Sesionin shkencor “Myderriz Hfz. Bajram ef. Agani-Jeta dhe vepra (1899-1962)” morën pjesë me kumtesa 15 studiues të fushave të ndryshme, njohës të rrethanave të kohës kur jetoi dhe veproi Hfz. Bajram Agani dhe njohës e gjurmues të jetës dhe të veprës së tij, të cilët me kontributet dhe diskutimet e tyre, vunë në pah dhe shpalosën shumë aspekte nga jeta dhe vepra e Hfz. Bajram ef. Aganit, duke filluar me paraardhësin e tij, atdhetarin e shquar dhe luftëtarin e dalluar kundër malazezve, me hoxhën-gjyshin e tij Abdylgani Kojën e njohur, e më pastaj për Hfz. Bajram ef. Aganin, si përkrahës i linjës atdhetare të Ferat bej Dragës, luftëtar i rreptë kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, si një ndër riorganizatorët e Bashkësisë Islame pas Luftës së Dytë Botërore, iniciator dhe këmbëngulës për hapjen e Medresesë së Ulët në Prishtinë, si pedagog dhe drejtues i saj, më pastaj themelues i Bibliotekës së Vakëfit dhe pasurimit të fondit të saj librar, si përkthyes dhe botues i parë i literaturës islame në gjuhën shqipe, përgatitës i hytbeve dhe ligjëratave për nevojat e imamëve në xhami, hartues i një katalogu të dorëshkrimeve islame-orientale, iniciator dhe përpilues i një takvimi në gjuhën shqipe për nevojat e besimtarëve të Kosovës, përkrahës dhe ndihmues i arsimit kombëtar dhe aspekte të tjera.

Të veçantë, këtë sesion, pa dyshim e bëri edhe paraqitja me kumtesa dhe shpalosja e kujtimeve dhe mbresave nga dikur ish-nxënësit e Hfz. Bajram ef. Aganit, e sot hoxhallarë veteranë, të cilët sollën kujtime prekëse e domethënëse për kohën sa ishin nxënës të myderriz Hfz. Bajram Aganit dhe më pastaj edhe bashkëpunëtorë e kolegë të tij, të cilët organizatorit të këtij Sesioni, i ofruan edhe kopje të hytbeve dhe shënime të tjera të mësuesit të tyre, të cilat i kishin ruajtur me fanatizëm. Disa prej këtyre dokumenteve në formë faksimilesh i kemi përfshirë në këtë përmbledhjeje. Ish-nxënësve të Hfz. Bajram ef. Aganit, hoxhallarëve: Ferat ef. Gërguri (tashmë rahmetli), Mustafë ef. Dervishollit, Hajrullah ef. Hoxhës dhe Akademik Feti Mehdiut, u shprehim falënderimet tona të sinqerta dhe ju jemi mirënjohës për kontributin e dhënë.

Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë i detyrohemi studiuesit dhe historianit të shquar nga Shkupi, Mr. Qerim Litaj, i cili përveç kumtesës së tij shumë me interes, pati mirësinë dhe nga Arkivat e Shkupit, nga fondi i Ulema Mexhlisit, na solli dosjen e Hfz. Bajram ef. Aganit së bashku një fotografi të viteve 30 të shekullit të kaluar, që na mundësoi të saktësonim disa të dhëna biografike me rëndësi për alimin tonë.

Domethënëse dhe me rëndësi për ndriçimin e jetës dhe veprës së Hfz. Bajram ef. Aganit dhe për përgatitjen e Sesionit, ka qenë edhe ndihma dhe kontributi i pakursyer i punonjësit të Arkivit të Kosovës, Sadik Mehmetit, i cili që prej një dekade, në Arkivin e Kosovës dhe në Arkivin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ka hulumtuar dokumente, pa të cilat biografia e Hfz. Bajram ef. Aganit nuk do të ishte e plotë dhe të njëjtat i vuri në dispozicion të të interesuarve dhe të organizatorit, për çka e falënderojmë botërisht.

Të gjitha kumtesat e këtij Sesioni – së bashku më Fjalën e hapjes, me Kryereferatin e Myftiut të Kosovës, me fjalët përshëndetëse të anëtarëve të familjes Agani, një album të fotografive të Hfz. Bajram ef. Aganit, dhe një album të fotografive të Sesionit dhe të Akademisë përkujtimore – që të gjitha botohen të përmbledhura në një vëllim “Myderriz Hfz. Bajram ef. Agani-Jeta dhe vepra (1899-1962)”.

Botimi i kësaj përmbledhjeje, dëshmon vendosmërinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, për të vazhduar traditën e saj të nisur vitet e fundit në ndriçimin e asaj plejade të tërë të ulemave që u shquan ndër vite e dekada për punën e tyre me përkushtim për të mirën e njerëzimit, të fesë dhe të atdheut.

Kjo përmbledhje e kumtesave, po ashtu, sa vjen dhe dëshmon edhe për vazhdimin e përmbushjes së premtimit të dhënë nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës se vargut të botimit të kumtesave nga sesionet e mbajtura për Myderriz Haxhi Sherif ef. Ahmetin (2010), Myderriz Hasan ef. Nahin (2012), Myderriz Sadri ef. Prestreshin (2013), do t’u bashkohet edhe vepra/vëllimi për Hfz. Bajram ef. Aganin, si dhe botimet për ulematë tjerë të shquar të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme