Taksa nuk hiqet – Presidenti po përpiqet të duket kryenegociator

15:47 | 7 Janar 2019
V. S.

Pak ditë para se ekipi negociator të nisej për në Bruksel, në atë që po mendohet se do të jetë fazë e fundit Kosovë-Serbi, Presidenti Thaçi sfidoi kryeministrin Haradinaj duke paralajmëruar heqje të taksës. Por, në Qeveri nuk kanë dashur të komentojnë deklaratat e Presidentit, duke shtuar se vendimi për taksën ndaj mallrave nga Serbia, nuk do të shfuqizohet. Analisti Astrit Gashi në një prononcim për Gazetën Express thotë se Thaci me anë të taksës po synon të bëhet i pranueshëm si kryenegociator duke lënë anash interesat e shtetit.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk do të heq dorë nga vendimi për taksën prej 100 për qind për të gjitha produktet serbe e boshnjake, pavarësisht premtimeve që presidenti Hashim Thaçi iu ka dhënë ndërkombëtarëve.

Në një përgjigje për Express, zyrtarë të Qeverisë thonë se nuk do t’i komentojnë deklaratat e presidentit duke shtuar se ky vendim nuk do të hiqet para se shteti serb ta njeh Kosovën si të pavarur.

Thaçi mbrëmë ka shpërndarë në llogarinë e tij zyrtare në Facebook shkrimin e gazetës  “The Ëashington Post” që shkruante për një takim të paraportuar diplomatik në Berlin që kishte ndodhur muajin e kaluar, ku i pari i vendit ishte takuar me ambasadorin e SHBA’së, Richard Grenell, një person i afërt me Trumpin.

Gazeta amerikane ka shkruar se Thaçi ishte zotuar se do të hiqte vendimin për taksat e vendosura ndaj mallrave serbe.

“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The Ëashington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia”, shkroi Thaçi në Facebook, deri sa po shpërndante linkun e lajmit.

Analisti Astrit Gashi tha për Express se heqja e taksës dhe gatishmëria e dikujt që ta bëjë këtë pa asnjë kompromis nga Serbia do të thotë dështim i shtetit të Kosovës.

“Duket se Presidenti Thaçi më shumë po interesohet se si të bëhet i pranueshëm si kryenegociator nga bashkësia ndërkombëtare si dhe nga Serbia, se sa që të përdorë taksën 100 për qind për të nxjerrë përfitime për Kosovën.

Heqja unilaterale e taksës, dhe gatishmëria e kujtdo në pushtet për ta bërë këtë pa asnjë kompromis nga Serbia, është dështimi i kësaj takse, i institucioneve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, deklaroi Gashi.

 

Deklaratat e Thaçit sipas Gashit nuk janë politikë as negocim, por vetëm huqje dhe dëmtim i shtetit.

“Politikat personale, kur kemi përpara çështjet nacionale janë shkatërruese për shtetin”, përfundon ai.

I pari që reagoi për deklaratën e Thaçit për taksën qe Ministri i Tregtisë, Endrit Shala.

Shala tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk mund të jap premtime të tilla për heqjen e taksës ndaj shtetit të Serbisë sepse siç deklaroi ai, taksën e ka vendosur Qeveria e Kosovës me propozimin e tij si ministër dhe jo presidenti.

Ai theksoi se përderisa nuk eliminohen arsyet pse kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës të ndërmarrë një hap të tillë, kjo taksë nuk do të largohet.

“Përderisa ekzistojnë arsyet të cilat neve si Qeveri e Republikës së Kosovës na kanë shty me vendosë këtë taksë, do të thotë arsyet të cilat unë i kam prezantuar, kur e kam propozuar vendimin për këtë taksë, atëherë asnjëherë kjo taksë nuk do të eliminohet”, ka deklaruar ministri Shala.

Nëse presidenti Thaçi ka një kërkesë të tillë, atëherë sipas Shalës, këtë kërkesë duhet ta sjellë në Qeveri për shqyrtim dhe të vendosë qeveria.

Shala tha se deri në këto momente nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë as nga presidenti as nga delegacioni i Kosovës për dialog me Serbinë.

Ndërkohë, edhe qytetarët janë shprehur kundër deklarimit të presidentit me komente në llogarinë e tij zyrtare në Facebook./Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme