Google ADS

Zejnullahu: S’do të lejoj prodhim të analfabetëve në UP

08:46 | 10 Shtator 2015
Arbresh.info

Senati i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” do të mbahet sot prej orës 09:00. Në rend dite do të jetë edhe çështja e zgjedhjes së stafit akademik, duke u bazuar në konkursin e shpallur në janar të këtij viti e që do të jetë hera e katërt që do të dalë për votim në këtë Senat.

Avancimi i personelit akademik në UP e ka ndarë tashmë në dysh këtë institucion. Rektori, Ramadan Zejnullahu, po refuzon që propozimet nga fakultetet të votohen në “pako” në Senat.

Ndërsa, shumica e senatorëve tri herë radhazi në Senat kanë këmbëngulur dhe po këmbëngulin që të votohet për atë që ka vendosur Komisioni i Studimeve dhe Këshilli i Fakulteteve, si dhe të shkohet me votim në pako.

Burime të gazetës “Zëri” brenda UP-së thonë se përplasjet rreth avancimit të stafit akademik do të shfaqen edhe sot në mbledhjen e Senatit, madje senatorët, sipas këtij burimi, po përgatiten të kërkojnë dhe dorëheqjen apo shkarkimin e rektorit Zejnullahu.

Mbledhja e fundit e Senatit më 30 qershor u ndërpre njëanshëm nga ana e rektorit, Ramadan Zejnullahu.

Zejnullahu tha të mërkurën për “Zërin” se edhe të enjten nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tij. “Asnjëherë nuk kam deklaruar se tërhiqem, do të bëjmë një vlerësim të kandidatëve që të garantojë që secila thirrje e ka bazën e fortë ligjore”. Zejnullahu thotë se është i vendosur të mos ndjekë rrugën që duan një pjesë e senatorëve për ta çuar, sipas tij, drejt joligjshmërisë UP-në.

“Nëse heq dorë nga qëndrimi im është baras me vdekje, shkojmë drejt rënies dhe jo ngritjes”. Ai thotë se është vendosur të mos e bëjë të parën. “Nëse shtetit i vyejnë analfabetët le ta sjellë tjetër kënd, unë jo”, ka thënë rektori Zejnullahu për “Zërin”.

Në mesin e atyre që janë refuzuar nga Komisioni për Studime në Rektorat me arsyetimin se nuk i plotësojnë kriteret statutare për thirrje akademike më të lartë ka edhe shumë emra të njohur për publikun, disa nga ta dekanë, politikanë, zyrtarë të lartë të shtetit, si: Ethem Çeku, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe ish-ministër; Skender Ahmeti, dekan i Fakultetit Ekonomik; Naser Kabashi, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës; Linda Grapci-Kotorri, prorektore e Universitetit të Pejës; Idriz Vehapi, kryetar i Komunës së Rahovecit dhe ish-ministër; Mytaher Haskuka, deputet i LVV-së në Kuvendin e Kosovës; Kemajl Kurteshi dhe Sabrije Osmanaj, anëtarë të Senatit të UP-së; Safet Merovci, anëtar i Këshillit Drejtues të UP, etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme