Google ADS

Rasti i Almirit, Apeli kthen lëndën në rigjykim

22:27 | 4 Janar 2019
Arbresh.info

Rasti i vogëlushit katërvjeçar Almir Aliut kthehet në rigjykim, këtë e konfirmoi edhe avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq. Rigjykimi erdhi pasi Gjykata e Apelit e ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës Themelore të Kumanovës. Pala mbrojtëse akoma nuk e dinë se cilat janë arsyet që është shfuqizuar lënda, pasi që ende nuk e kanë marrë vendimin nga ana e Apelit.

“Ende nuk e kemi marrë vendimin e shkallës së dytë nga Gjykata e lartë por për informim të saktë dhe të plotë të publikut mund të informoj se vendimi i Gjykatës së Apelit është që lënda të kthehet në rigjykim para Gjykatës Themelore në Kumanovë. Vendimi ende është duke u përpunuar dhe prandaj ende nuk është dorëzuar. Unë mundem vetëm ta mirëpres vendimin e Gjykatës së Apelit sepse ne gjatë tërë kohës sugjerojmë që Prokuroria Publike në këtë lëndë sipas mbrojtjes nuk duhej ta bënte atë rikualifikim”- theksoi Asmir Alispahiq, avokat.

Vendimi shfuqizohet edhe për të akuzuarin Boban Iliq, që do të thotë se Iliq do të mbrohet në liri, por të njëjtit do t’i shqiptohen masa kujdesi. Ndryshe, më 1 tetor të vitit 2018 u mbajt seancë publike në Gjykatën e Apelit në lidhje me ankesat e palëve për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kumanovës. Ankesa e familjes Aliu erdhi pas dënimit minimal që iu dha Boban Iliqit nga Kumanova i cili në vitin 2016 në Kumanovë, shtypi me makinë Almir Aliun 4 vjeçar dhe prindërit e tij.

Prokuroria e Lartë gjatë seancës në Gjykatën e Apelit kërkoi që të dënuarit për vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, Boban Iliq dhe të dënuarve për dhunë, Sami Demiri dhe Abdullah Aliu t’u rritet dënimi.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën vrasje me paramendim, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion.”

Më 5 prill, Gjykata Themelore e Kumanovës i dha epilog gjyqësor rastit të Almirit duke dënuar kështu me 6 vite burg Boban Iliqin, 6 muaj babain e Almirit, Sedat Aliun dhe nga 9 muaj Abdulla Aliun dhe Sami Demirin.

Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor si pasojë e një zënke paraprake mes të akuzuarit dhe prindit të Almirit. Almiri i vogël plotë një javë kaloi në kujdes intensiv, ndërsa më 2 korrik ndërroi jetë kur edhe iu dha lamtumira e fundit nga familjarët dhe qytetarët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme