Minatorët e “Trepçës” që nga dita e djeshme janë në grevë. Kjo për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre drejtuar disa muaj më parë Qeverisë së Kosovës.
Rritja e rrogës për 20%, mos punësimi i punëtorëve pa konkurs, raportimi i bordit ndaj minatorëve e shumë kërkesa të tjera po kërkohen të plotësohen nga minatorët e “Trepçës”.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqeri Sadiku tha për kallxo.com se kërkesave paraprake të cilat i ishin bërë Qeverisë së Kosovës në korrik të vitit të kaluar i janë shtuar edhe disa të tjera këtë vit.
“Është e vërtetë që minatorët kanë filluar me vetiniciativë një greve. Kërkesat e tyre kanë qenë si kërkesë, rritja e pagave për 20% që të mos bëhet pranimi i punëtorëve pa konkurs, bordi i Trepçës të vjen para minatorëve dhe të raportoj për punën e tyre 8 mujore që asnjëherë nuk kanë gjet kohë për minatorët. Nëse bordi nuk raporton para minatorëve ata nuk do ta njohin këtë bord”, tha Sadiku.
Ai shtoi se, kërkesa për të punësuar minatorë duhet të bëhet me konkurs.
Kjo për shkak se, nuk po punësohen fëmijët e minatorëve që dalin në pension, por familjarë të menaxhmentit të “Trepçës”.
“Kohën e fundit kanë filluar të merren njerëzit pa konkurse, në këtë rast një ushtrues detyre i menaxherit të Trepçës e ka punësuar vëllain e vet pa konkurs”, thotë tutje Sadiku.
Kryetari i Sindikatës ka paralajmëruar se do të ushtroj ankesë në lidhje me këto punësime.
“Nuk kemi bërë ankesë por do të bëjmë në Inspektoratin e punës edhe qeverisë që këto punësime nuk i japin perspektivë Trepçës”, tha Sadiku.
Sadiku tregoi edhe për marrëveshjen e cila u bë në korrik me Qeverinë e Kosovës dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, marrëveshje kjo që nuk u realizua asnjëherë.
“E kemi arritur një marrëveshje me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, dhe kryeministrin dhe ajo marrëveshje ka qenë që kërkesat e minatorëve të realizohen në një afat tre mujor”, tha Sadiku.
“Në takimin e fundit që e kemi pasur me Ministrin e Zhvillimit më është thënë se raportet që janë punuar janë dërguar në qeveri, por ne ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga qeveria se çka po ndodh me këto raporte”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Sadiku pohon se edhe Qeveria e Kosovës edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik janë në dijeni për grevën e minatorëve.
“Janë në dijeni edhe qeveria edhe ministri unë sot bisedova me ministrin e njoftova në detaje ishte i njoftuar edhe ai për gjendjen në Trepçë”, tha ai.
Sipas Sadikut, në momentin që ndalohet puna në “Trepcë”, Kosova humb shumë.
“Nuk humbim vetëm ne së pari, humb edhe qeveria edhe shteti sepse prodhimi është ndërprerë dhe kur nuk ka prodhim ska as rezultate, pasi që s’kemi as me çka ti realizojmë rrogat tona”, tha ai.
Tahiri: Kosova në izolim, pa agjendë diplomatike përveç taki...
Kurti: S’kemi mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, bashkëp...
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...