Google ADS

SHBA pengon Kroacinë nga blerja e avionëve F-16 nga Izraeli

17:16 | 4 Janar 2019
Arbresh.info

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk kanë dhënë pëlqimin që Kroacia të blejë 12 avionë luftarakë F-16 nga Izraeli, raporton Anadolu Agency (AA).

Edhe pse Kroacia më herët ka arritur marrëveshje me Izraelin, kërkesa e SHBA-së që teknologjia e saj të mos i shitet një shteti të tretë ka shkuar deri në fazën e anulimit të tenderit.

Kryeministri kroat, Andrej Plekoviç, tha se është shfaqur problem midis Izraelit dhe SHBA-së në lidhje me blerjen e avionëve dhe shtoi se problemi buron nga mospajtimi në lidhje me transferimin e teknologjisë së avionëve shteteve të treta.

Plenkoviç tha se pas negociatave që zgjatën dy vite, pala amerikane në fazën aktuale e cilëson si problem transferimin e teknologjive në fjalë.

“Presim vendimin përfundimtar të SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa më pas edhe ne do të marrim vendimin tonë”, tha kryeministri i Kroacisë.

Ai theksoi se tenderimi mund të bëhet vetëm në korniza të ofertës tashmë të miratuar nga ekipi i ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë, duke shtuar se në rast të një gjendjeje të kundërt, ai mund të anulohet nga pala kroate.

Plenkoviç po ashtu tha se qeveria kroate pa asnjë hezitim do ta anulonte blerjen në rast se avionët që do të mund të vijnë do të jenë ndryshe nga ato që kanë zgjedhur.

Nga ana tjetër, ministri korat i Mbrojtjes, Damir Krstiçeviç, tha se Izraeli është i ngarkuar të zgjidhë çështjen me SHBA-në dhe njoftoi se shteti izraelit ka afat deri më 11 janar për të tejkaluar mosmarrëveshjen.

Ndryshe, blerja e 12 avionëve F-16 të dorës së dytë nga Izraeli u miratua më 27 mars të vitit 2018 nga ana e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kroacisë, ndërsa më pas mori dritë jeshile edhe nga qeveria. Sipas vendimit, dy avionët e parë do të dorëzoheshin në vitin 2020, gjashtë në vitin 2021, kurse katër të fundit në vitin 2022.

Në kuadër të marrëveshjes me vlerë 500 milionë dollarë, parashihej që pilotët dhe inxhinierët kroatë të trajnoheshin nga izraelitët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme