Google ADS

Fatmir Limaj flet për dialogun, Hashim Thaçin, vizat, taksën dhe Gjykatën Speciale

10:20 | 4 Janar 2019
M. A.

Ekipi Negociator i Kosovës në fillim të janarit do të udhëtojë drejt Brukselit për të mbajtur takimin e parë me palën serbe lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Udhëheqës i këtij delegacioni është zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj i cili në një intervistë për portalin Arbresh.info ka folur rreth temave që do të diskutohen në Bruksel.

Ai ka përjashtuar mundësinë e dhënies së territorit në shkëmbim të arritjes së ndonjë marrëveshjeje.

Limaj ka folur edhe për mos bashkimin e dy partive opozitare LDK dhe VV në ekipin negociator.

Limaj po ashtu në intervistën dhënë portalit Arbresh.info  ka treguar edhe fjalët e para që do t’ia thotë presidentit serb Aleksandar Vuçiq në takim.

Pos tjerash në këtë intervistë ka folur edhe për dështimin e liberalizimit të vizave si dhe vendimin e qeverisë për taksën.

Gjithashtu Limaj u ka bërë thirrje të gjithë luftëtarëve të UÇK-së që nëse ftohen nga Gjykata Speciale t’u përgjigjen pozitivisht ftesës.

Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë:

Arbresh.info: z.Limaj ju pret një maratonë e diskutimeve në Bruksel për shumë çështje ende të pazgjidhura me Serbinë. Cilat do të jenë temat e para që do të diskutohen?

Aty ka shumë tema që duhet të bisedohen disa janë biseduar, ka të tilla që janë të përafruar, por ka edhe shumë tema që duhet të diskutohen dhe që do të gjejnë vend në atë marrëveshjen përfundimtare, obliguese e finale dhe që në boshtin e saj do të jetë njohja e Republikës së Kosovës. Ne deri më tani kemi identifikuar diku 10 tema ,presim, jemi si delegacion shtetëror duke shikuar edhe ndonjë temë tjetër por do të jenë disa tema që do të trajtohen.

Arbresh.info: A jeni të gatshëm të jepni territor në këmbim të arritjes së marrëveshjes?

Mandati i delegacionit të Kosovës punon me Kushtetutën dhe Rezolutën e Kosovës dhe ky është mandati ynë. Ne shkojmë atje për ta konsoliduar dhe forcuar shtetin dhe jo për ta ndarë shtetin e Kosovës. Ne shkojmë atje për ta forcuar shtetin tonë dhe për të fituar njohjen dhe ulësen në OKB, njohjen e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që s’na kanë njohur dhe përmbylljen njëherë e mirë të konflikteve me Serbinë si dhe temave të hapura, ky është misioni ynë.

Arbresh.info: Kryenegociator e keni presidentin, Hashim Thaçi në takimet e nivelit të lartë. A besoni se me mbështetjen tuaj, ai do të jetë më i fuqishëm para palës serbe?

Këtu detyrat janë të ndara me ligj dhe kushtetutë, delegacioni shtetëror i Kosovës është i votuar nga parlamenti i Kosovës, e ka një mandat nga parlamenti i Kosovës dhe gjithashtu është një projektligj që është votuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ka shkuar për parlament. Detyrat tona janë përcaktuar me ligj. Delegacioni shtetëror i Kosovës ka mandatin nga Parlamenti i Kosovës për të negociuar me Serbinë në dialog, ky është mandati ynë thelbësor, qendror e kryesor.

Arbresh.info: LDK dhe Vetëvendosje nuk do të ju bashkohen në këtë rrugëtim, mos bashkëpunimi i tyre a do ta dobësojë fuqinë e ekipit negociator?

Do të ishte shumë më mirë të ishim të gjithë. Por pres që gjatë rrugëtimit tonë ky unitet të zgjerohet dhe të forcohet edhe me dy grupe politike që ende hezitojnë që t’i bashkohen këtij delegacioni. Por kjo nuk e ndalon delegacionin shtetëror të Kosovës. Ka legjitimitet të plotë i votuar nga parlamenti për të kryer detyrat e saj dhe ne nuk do të ndalemi ashtu siç e kemi marr detyrën nga parlamenti i Kosovës do të shkojmë deri në fund në përmbushje të mandatit tonë dhe obligimeve që na ka dhënë parlamenti i Kosovës.

Arbresh.info: Keni deklaruar se nëse do ta kishit përball presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq do t’i kishit thënë shumëçka, a mund t’i ndani me ne fjalët e para që ia kishit thënë Vuçiqit kur ta takoni përballë?

Nuk e di. Ne në tetë ditshin e ardhshëm presim një takim në Bruksel dhe pastaj nga aty varet edhe fillimi i takimeve ose mënyra se si do të shkojmë ne në bisedime. Ne atje nuk shkojmë të bëjmë garë me njëri-tjetrin, kemi disa çështje të hapura që besoj se kem detyrë dhe mandat nga popujt tanë nga vendet tona, ne nga Kosova e ata nga Serbia që të shkojmë të bisedojmë shumë seriozisht dhe të provojmë t’i mbyllim temat e hapura mes dy popujve tanë. Unë besoj fortë që është në interesin e dy vendeve tona të arrijmë një marrëveshje finale kur dy shtetet e njohin njëra-tjetrën dhe të fillojmë rrugëtimin e përbashkët drejt integrimeve evropiane, unë besoj që kjo është detyra kryesore e jona po besoj edhe për delegacionin serb. Përndryshe atje ne nuk jem në garë për të parë në aspektin profesional njëri-tjetrin e duam apo se duam.

Arbresh.Info: A u tradhtua Kosova nga Bashkimi Evropian sa i përket mos liberalizimit të vizave këtë vit?

Kosova është zhgënjyer nga Bashkimi Evropian, ka të drejtë me qenë e zhgënjyer , ka të drejt të ndihet se i është bërë padrejtësi, padrejtësi e madhe. I vetmi vend i izoluar në këtë pjesë të Evropës pa fajin e qytetarëve, pa fajin e këtij vendi. Ne i kemi përmbushur obligimet, Komisioni Evropian i ka marrë rekomandimet , ka shtete veç e veç që ende kanë hezitime besoj që vitin e ardhshëm këto hezitime të largohen dhe përfundimisht ata të heqin këtë padrejtësi që i kanë bërë vendit tonë dhe Kosova të fitojë të drejtën e liberalizimit të vizave.

Arbresh.Info: Sa do t’i rezistojë qeveria vendimit për taksën kundër Serbisë?

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dërguar mesazh, nuk ka këtu çështje rezistence, ne nuk mund të shkojmë përtej asaj për t’u fyer e ofenduar ky shtet. Kemi obligim të mbrojmë kushtetutën e vendin tonë, shtetin tonë dhe presim reciprocitet ashtu si sillemi le të sillen edhe të tjerët me ne. Kosova duhet të respektohet dhe të nderohet si shtet, të gjitha ato vende që e respektojnë këtë vend si shtet do ta kenë gjithmonë derën e hapur dhe për bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën sikur e kanë pasur gjithmonë. Por Kosova më nuk mund të shkojë e të lejojë veten që të ofendohet dhe të fyhet e të përbuzet dhe të mohohet si shtet nga të tjerët.

Arbresh.info: A keni marrë ftesë nga Gjykata Speciale?

 Parlamenti i Kosovës e ka votuar atë gjykatë ne e kemi dhënë mendimin tonë kur është votuar. Të gjithë atyre luftëtarëve që ju shkon ajo ftesë përgjigja ime është që t’u përgjigjen ftesës së Gjykatës Speciale, t’i kryejnë obligimet e veta ndaj drejtësisë. Me të drejtë apo pa të drejtë nuk është vendi në media dhe askund tjetër të vlerësohen ato ftesa ato duhet të vlerësohen vetëm në dhomën e drejtësisë./MiraAvdimetaj/Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme