Google ADS

Fundjavë e acartë, temperaturat deri në -14 gradë

16:17 | 3 Janar 2019
Arbresh.info

I ftohti polar ka zbritur në të gjithë territorin e vendit tonë. Duke nisur nga mesnata e së mërkurës, temperaturat kanë rënë ndjeshëm dhe zonat veriore e juglindore të vendit janë përfshirë nga reshjet e dëborës dhe ngricat.

“Temperaturat më të ulëta janë shënuar në mëngjes, me -7 apo -8 gradë në Korçë, Ersekë, Pukë dhe Kukës, ndërsa maksimalja pritet të shënohet në mesditë, kur termometri nuk do të tregojë më shumë se 9 apo 10 gradë në zonat bregdetare si Saranda”, tha Adiola Bani, meteorologe.

Por, në orët e pasdites pritet një rënie tjetër e temperaturave, sa në zonat malore ato do të zbresin në -14 gradë Celsius dhe e premtja me të shtunën do të jenë edhe më të ftohta.

“Temperaturat në zonat malore do të shënojnë nga -13 gradë, kryesisht në Bajram Curri dhe Ersekë, ndërsa maksimumi në këto zona nuk do të shkojë më shumë se zero apo 1 gradë. Edhe në zonat e ulëta do të shënojnë vlera negative, me -1 apo -2 gradë, madje edhe zonat bregdetare si Saranda, Vlora apo Durrësi, me vlerat maksimale që do të arrijnë deri në 7 apo 8 gradë”, tha Adiola Bani.

Temperaturat pritet të ngrihen fillimin e javës që vjen.

“Nga e hëna pritet një rritje graduale e vlerave termike në të dyja ekstremet, duke rikthyer vlerat normale të dimrit, me temperatura jo më shumë se -5 apo -6 gradë në zonat malore dhe maksimumi 10 apo 12 gradë në zonat e ulëta”, tha meteorologia.

Meteorologët shpjegojnë se i ftohti i këtyre ditëve është si pasojë e masave ajrore polare që kanë prekur Ballkanin, përfshirë edhe vendin tonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme