Milaim Zeka: Njerëzit e NISMA-s veç macat në tavan kanë mbet pa i punësuar

15:06 | 3 Janar 2019
Arbresh.info

Gjatë vitit 2018, Kuvendi i Kosovës do të mbahet mend për mos zhvillim të rregullt të seancave, mos miratim të shumë ligjeve, sidomos në fushën e drejtësisë. Për këtë kishte reaguar edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, e cila në një takim me kryesin e Kuvendit të Kosovës kishte kërkuar seriozitet, unitet dhe mos-bojkot të seancave.

Pavarësisht këtyre, seancat e mbajtura nuk kanë kaluar pa debate të nxehta e të cilat shpesh kanë përfunduar në fyerje.

Milaim Zeka, padyshim që njihet njëri nga deputetët më të zëshëm në Parlamentin e Kosovës, dhe në intervistën e fundvitit për Ballkani.info ndër të tjera ka treguar raportin me partinë nga e cila kishte fituar votot për të marrë epitetin e deputetit.

Zeka, duke komentuar për raportet me partinë e tij NISMA Socialdemokrate ka treguar që me muaj të tërë nuk komunikon me ta, dhe se partia në fjalë nuk dallon nga PDK.

“Unë nuk komunikoj me NISMA-në, d.m.th., kam 6-7 muaj që nuk komunikoj me ta fare. Por vetëm mundem të thënë që NISMA me asnjë pikë, me asnjë presje nuk dallon prej PDK-së. Me nepotizëm, me dallavere, me gjitha faqet e zeza që i ka bërë PDK-ja i bën edhe NISMA. Mbi bazën e kësaj, unë nuk kam kurrfarë nostalgjie”, thotë Zeka.

Deputeti Zeka, karshi këtyre akuzave ndaj partisë së tij thotë që do të vazhdojë deri në fund të mandatit, si deputet i kësaj partie.

“Unë jam deputet, dhe mandatin tim e dërgoj deri në fund me NISMA-n. Nuk po dua të luaj rolin e disa deputetëve tjerë, të cilët për përfitime të votave ose për përfitime tjera materiale dalin të pavarur. Po e përsëriti, nuk kam absolut asnjë privilegj prej NISMA-s. As nuk kam punësuar njeri të familjes. Ata, veç macat në tavan që nuk i kanë punësuar”, ka shtuar Zeka.

Dhe, në fund Zeka duke folur rreth planeve në të ardhmen, ka potencuar që politikës nuk e ka ndërmend t’i largohet dhe se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kandidojë deputet në listen e NISMA-së.

“Unë do të vazhdoj aktivitetin tim politik, punën time, pastaj të shohim në bazë të rrethanave. Nuk marrë vendime të ngutshme, edhe atëhere kur jam bashkuar me NISMA-n, kam analizuar plotë gjëra edhe nuk ka qenë vendim të cilin unë e kam marrë brenda ditës. Por çështja e vazhdimit apo mos vazhdimit tim brenda subjektit politik NISMA, varet nga shumë faktor. Në zgjedhjet e ardhshme, nuk do të kandidoj deputet në listën e NISMA-s”, ka përfunduar Zeka.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme