Blerim Kuçi nuk jep dorëheqje nga Kuvendi

14:37 | 3 Janar 2019
Arbresh.info

Kanë kaluar tri ditët e para të vitit 2019, por Blerim Kuçi ende nuk ka treguar nëse do të mbajë edhe më tutje pozitën e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kishte premtuar disa muaj më parë gjatë vitit 2018, se “të paktën” do jepte dorëheqje nga pozita e deputetit nëse “deri në fund të vitit nuk do hiqen vizat”.

“Të paktën do jap dorëheqje nga posti i deputetit”, kishte thënë Kuçi në Rubikon të KTV-së, në një intervistë të realizuar disa muaj më parë gjatë 2018-s.

Kuçi kishte thënë se ky zotim i tij për dorëheqje nga posti i deputetit do të kryhej. Mirëpo, Kuçi i ka “ngrënë fjalët e veta” pasi ende nuk ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit. Madje nuk ka folur për media ende në lidhje me premtimin e bërë, raporton Insajderi.

Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë sot me deputetin e AAK-së, mirëpo kontakti me të ishte i pamundur.

Dritën e gjelbër për të dhënë dorëheqje nga posti i deputetit Kuçit ia dha në fund të vitit të kaluar komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, pasi në një vizitë që realizoi në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar tha se liberalizimi i vizave do pritet të ndodhë në vitin 2020, dhe jo në këtë vit.

Komisioneri Hahn kërkoi nga kosovarët të kenë durim edhe për disa muaj që të merret pëlqimi nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Ndërkohë, analistët parashikojnë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk pritet të ndodhë as në vitin 2019.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme