Bora zbardh një pjesë të konsiderueshme të Shqipërisë, ngrica në verilindje e juglindje

09:19 | 3 Janar 2019
Arbresh.info

Reshjet e dëborës kanë mbuluar një pjesë të konsiderueshme të vendit, duke nisur nga veriu, verilindja, juglindja e deri në jug të Shqipërisë.

Nga Bulqiza raportohet për reshje të dendura bore dhe ngrica nëpër rrugë. Në Qarkun e Elbasanit raportohet për probleme në qarkullim në zonat malore të Librazhdit e Prrënjasit, ku kalimi kryhet me zinxhirë, si në Rrajcë, Stëblevë dhe Sopot, ndërsa Qafë Thana është e kalueshme pa zinxhirë.

Ndërkohë, probleme nga moti i keq ka pasur edhe në Korçë.

Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta kanë prekur të gjithë qarkun, teksa në Dardhë trashësia e dëborës ka mbërritur në 40 cm, ndërsa në zonat e tjera nga 15-20 cm borë. Në disa akse ka prani akulli në rrugë.

Sipas asaj që bëhet e ditur, në akset Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë dhe në Qafën e Qarrit lëvizet vetëm me zinxhirë.

Edhe Gjirokastra është prekur nga reshjet e dëborës, që kanë zbritur deri në 300 m lartësi, duke mbuluar pjesën e sipërme të qytetit dhe zonën e Dropullit.

Ndërsa raportohet se akset nacionale janë të gjitha të kalueshme, vetëm në Qafën e Çajupit raportohet për lëvizshmëri me vështirësi. Zagoria dhe Pogoni janë të mbuluara nga bora gjithashtu.

Në pikëkalimin e Kakavijës, fluksi në dalje është më i ulët nga sa pritej, për shkak edhe të bllokimeve nga dëbora në disa zona të Greqisë.

Reshje të dendura dëbore janë shënuar gjatë natës edhe në Llogora, ku trashësia e saj ka mbërritur deri në 20 cm.

Qarkullimi i automjeteve është i vështirë, ndaj ato lejohen të kalojnë vetëm me zinxhirë.

Borëpastrueset kanë qenë në punë gjatë të gjithë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit të sotëm për të pastruar rrugën, e duke bërë të mundshëm qarkullimin normal. Por, ajo që është më shqetësuesja është ulja e temperaturave nën zero, gjë që pritet të krijojë ngrica në rrugë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme