Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica,në intervistën dhënë arbresh.info, vitin 2018-en e ka quajtur si vit të reformave.
Sipas Reçicës hartimi i Projektligjit të Punës dhe Projektligjit për Pushimin e Lehonisë dhe atë Prindëror, rritja e asistencës mujorë për 20%, funksionalizimi i tri skema pensionale, marrëveshje në fushën e pensioneve e hapa konkret në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë janë tashmë kanë përfunduar.
I pari i MPMS-së ka folur edhe për realizimin e premtimeve dhe planin për 2019-en në zbutjen e papunësisë.
Arbresh.info: Cilat janë disa nga ndryshimet që keni bërë në Ministri që nga marrja e mandatit?
Reçica: Vazhdimi i angazhimit tonë në vitin 2018 është fokusuar në reformë në pothuajse të gjitha fushat që ne mbulojmë prandaj, këtë vit e kemi shpallur si vit të reformave ku MPMS ka ndërmarrë reforma në fushën e marrëdhënies së punës, fushën e pensioneve, fushën sociale dhe familjare si dhe atë të aftësisë së kufizuar. Në kuadër të reformave, MPMS ka hartuar Projektligjin e Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe atë Prindëror, të cilat kanë objektiva të qarta për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale punëdhënës-punëmarrës, avancojnë të drejtat e punëtorëve, sidomos të drejtat për nënat lehona. Për herë të parë kemi dalë me propozim për kompensim edhe të lehonave të papuna si dhe kemi propozuar edhe pushimin prindëror që do të jetë e drejtë edhe e nënës edhe e babait. Projektligji i punës është miratuar nga Qeveria e vendit.
Nevojë imediate ka qenë edhe reforma e sistemit pensional në Kosovë, duke qenë se karakterizohet me mjaftë probleme, para së gjithash, me mungesë të një ligji bazik, që rregullon fushën e pensioneve dhe beneficioneve dhe aktualisht të drejtat e përfitimit të pensioneve dhe beneficioneve me një mori ligjesh.
Kemi hartuar Koncept Dokumentin për Reformë të Sistemit Pensional që ndër objektivat kryesore ka instalimin e sistemit të sigurimeve sociale në vend, hartimin e Projektligjit unik për pensionet, Projektligjit për Sigurime Sociale dhe Projektligjit për Fondin për Sigurime Sociale, krijimin e Fondit për Sigurime Sociale, njohjen e stazhit të punës të punëtorëve të viteve 1990-1999, trajtimin e pensioneve të dyfishta, e shumë çështje tjera.
Reformë kemi ndërmarrë edhe në fushën sociale dhe familjare nëpërmjet hartimit të koncept dokumentit për këto dy fusha. Përmes këtij koncept dokumenti, po synojmë riorganizimin e shërbimeve sociale dhe familjare, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe Kornizën Evropiane Vullnetare të Cilësisë për Shërbimet Sociale.
Me qëllim që të garantojmë një kategorizim të drejtë dhe trajtim meritor të të gjitha kategorive të personave me aftësi të kufizuara, reformë kemi ndërmarrë edhe në në fushën e aftësisë së kufizuar ku kemi hartuar Koncept Dokumentin për trajtimin dhe kategorizimin e personave me aftësi të kufizuara, i miratuar së fundmi në Qeveri, i cili do t’i paraprijë një ligji gjithëpërfshirës për aftësinë e kufizuar.
Në fillim të këtij viti, kemi rritur vlerën mujore të asistencës sociale për 20% si dhe kam marrë vendim për rritje të pagesës mujore të strehimit familjar për fëmijë pa përkujdesje si dhe për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu, kemi subvencionuar 21 OJQ për shërbime sociale dhe familjare, janë subvencionuar 9 OJQ Strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit, si dhe janë subvencionuar edhe 56 OJQ të tjera që merren me angazhimin e kategorive sociale në punësim.
Janë funksionalizuar tri skema pensionale, pensioni invalidor i punës, pensioni familjar, pensioni për paraplegjik dhe tetraplegjik si dhe ka nisur kompensimi i viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, ku deri më tani Komisioni Qeveritar për Verifikim dhe Njohje të Statusit të të Dhunuarve Gjatë Luftës së fundit në Kosovë ka pranuar rreth 890 aplikacione dhe janë aprovuara rreth 173.
Po në vitin 2018, kemi nënshkruar edhe marrëveshje shumë të rëndësishme në fushën e pensioneve, Marrëveshjen për Sigurime Sociale me Mbretërinë e Belgjikës dhe atë me Konfederatën e Zvicrës, të dyja marrëveshje këto të ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nismat për lidhje të marrëveshjeve për sigurime sociale janë propozuar nga Qeveria edhe për Holandën, Slloveninë, Kroacinë dhe Shqipërinë.
Hapa konkret janë ndërmarrë edhe në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe rreth fuqizimit të rolit të Inspektoratit të Punës.
Është hartuar nga MPMS dhe miratuar në lexim të parë në Kuvend Projektligji për Inspektoratin e Punës, i cili synon të fuqizojë rolin e Inspektoratit të Punës.
Përkitazi me këtë, në tetor të vitit 2018 kemi hartuar një plan operativ për ndërtime të larta ku kemi zbarkuar gjithë kontingjentin e inspektorëve të punës për të kryer inspektime në Prishtinë dhe Ferizaj, aty ku ka më shumë ndërtime të larta të pranishme. Një numër të vendpunisheteve i është pezulluar puna përkohësisht dhe disave prej tyre i është lejuar prapë vazhdimi i punimeve, pas përmbushjes së masave të sigurisë. Qëllimi i këtij plani ka qenë që të vetëdijesohen punëmarrësit dhe të respektojnë legjislacionin në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe të ngritin vetëdijen për respektim të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Arbresh.info: Çfarë keni bërë këtë vit për zbutjen e papunësisë në vend?
Reçica: Në vitin që po lëmë pas, MPMS ka trajtuar mbi 11 mijë punëkërkues, në punësim janë përfshirë mbi 6,580 persona ndërkaq në aftësim profesional janë përfshirë mbi 4,957 persona.
Krahasuar me vitin e kaluar, kemi rritje për 6,7% në ndërmjetësim në punësim.
MPMS ka bashkëpunim të mirëfilltë edhe me partnerë të ndryshme si GIZ gjerman, UNDP dhe partnerë të tjerë me të cilët këtë vit kemi pasur projekte të shumta ku kemi përfshirë një numër të madh të qytetarëve në masa aktive të tregut të punës si subvencionim në pagë, trajnim në punë, vetëpunësim, etj.
Arbresh.info: Keni premtuar punësim të një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar, sa keni arritur të plotësoni këtë premtim? Sa është numri i personave që tashmë kanë fituar vende punën nga ky premtim?
Reçica: Projekti për punësimin e një anëtari të familjeve të kategorisë së dytë të përfituesve të Skemës së Ndihmës Sociale ka nisur së zbatuari. Gjatë vitit 2018 ne kemi nisur takimet me këto familje në komunat e Kosovës dhe kemi diskutuar për mundësinë e përfshirjes së tyre në masat aktive të tregut të punës ku edhe një numër i konsiderueshëm i tyre janë përfshirë në masat aktive të tregut të punës. Ekziston një problem sa i përket kësaj kategorie, që shumicës prej tyre u mungon përgatitja e duhur profesionale dhe kjo ka qenë një ndër sfidat me të cilat jemi përballur për punësim të tyre prandaj ne u kemi ofruar kësaj kategorie edhe mundësi për aftësim profesional dhe njëherësh i kemi inkurajuar ata që të vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional për të marrë përgatitjet e nevojshme, në mënyrë që të bëhen pjesë e tregut të punës.
Arbresh.info: Keni premtuar gjithashtu vetëpunësim dhe aftësimin profesional, sa keni arritur të plotësoni këtë premtim?
Reçica: Ndër objektivat që i kemi vënë vetes për këtë vit ka qenë vetëpunësimi dhe aftësimi profesional.
Siç e dini, ne kemi 8 Qendra të Aftësimit Profesional në nivel vendi të cilat ofrojnë më shumë se 30 profile të ndryshme të trajnimeve. Shumica e punëkërkuesve që trajnohen në këto qendra, arrijnë të gjejnë punë apo edhe të hapin bizneset e tyre pas përfundimit të moduleve të trajnimit. Këto qendra i kam vizituar edhe personalisht në fillim të vitit 2018 ku kam parë nga afër punën që bëhet aty dhe interesimin, sidomos të të rinjve për të marrë njohuritë e nevojshme. Këtë vit, në këto qendra të aftësimit profesional, janë trajnuar rreth 4 957 punëkërkues. Vlen të përmendet që numri më i madh prej tyre janë femra, rreth 1 mijë e 717 gjë që edhe në Strategjinë Sektoriale dhe Planin e Veprimit të MPMS-së fokus i kemi dhënë përfshirjes së gruas në punësim dhe aftësim.
MPMS ka edhe bashkëpunim të mirëfilltë me partnerët e saj në kuadër të masave aktive të tregut të punës dhe falë këtij bashkëpunimi korrekt, ne kemi arritur që të përfshijmë në masa aktive të tregut të punës, përfshi vetëpunësimin, një numër të konsiderueshëm të punëkërkuesve. Bashkë me GIZ-in gjerman dhe me UNDP-në, këtë vit kemi përfshirë në masa aktive të tregut të punës rreth 1mijë e 530 punëkërkues.
Arbresh.info: Cila kategori sociale e rëndon më shumë buxhetin e Ministrisë?
Reçica: Nga pjesa e buxhetit të ndarë për MPMS-në, pjesa më e madhe është e dedikuar për pensionet dhe beneficionet. Për vitin 2019, MPMS-së nga buxheti i rregullt i Kosovës i janë ndarë 456 milion e 414 mijë e 647 euro. Prej tyre, mbi 308 milionë euro janë të destinuara për pensione dhe beneficione. Në mënyrë analitike, kategoritë sociale që e ngarkojnë më së shumti buxhetin e MMPM-së për vitin 2019 janë: Pensionet bazike të moshës, pensioni kontributdhënës, pensioni i veteranëve të luftës, pensioni invalidor i luftës si dhe asistenca sociale.
Arbresh.info: Sa keni arritur të zvogëloni numrin e familjeve në Skemën e Ndihmës Sociale?
Reçica: Numri i përfituesve të Skemës së Ndihmës Sociale varion nga muaji në muaj, varësisht prej kërkesave, mirëpo përgjithësisht mbetet numër i njëjtë. Në vitin 2018, krahasuar në atë të vitit 2017, në disa muaj përkatës ka pasur rënie të kërkesave për përfitim të asistencës sociale, por marrë në total, numri mbetet përgjithësisht i njëjtë. Aktualisht, numri i përfituesve të asistencës sociale është mbi 25 mijë.
Arbresh.info: Cili është plani i Ministrisë suaj për 2019-en në zbutje të papunësisë në vend?
Reçica: Në vitin 2018, ne kemi nisur reformë në pothuajse të gjitha fushat. Reformat që kemi ndërmarrë, vitin që po hymë presin finalizimin. Mirëpo, krahas kësaj, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të vazhdueshme për rritje të punësimit, sidomos në mesin e të rinjve dhe për rritje të përkrahjes për përmirësim të mirëqenies së përgjithshme sociale për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në fushën e punësimit, objektiv i yni për vitin 2019 është zgjerimi i shërbimeve të punësimit dhe Masave Aktive të Tregut të Punës, forcimi i kapaciteteve të shërbimeve publike të punësimit, ofrimi i shërbimeve cilësore të aftësimit profesional në përputhje me kërkesat e tregut të punës si dhe prioritet i yni do të jetë luftimi i informalitetit në marrëdhënien e punës./Arbresh.info/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...