Janari special

08:04 | 3 Janar 2019
Arbresh.info

Gati dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë ish-eprorët e UÇK-së do të shkojnë në Hagë me ftesë të Gjykatës Speciale. Pas dhjetë ditësh te selia e kësaj të fundit do të udhëtojnë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku. Ndërsa pak ditë më vonë do të intervistohen edhe disa ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Tre vjet pas votimit të Kuvendit të Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, tek në dhjetorin e vitit që lamë pas erdhën edhe ftesat e para nga prokurori i specializuar. Ish-komandanti i UÇK-së Rrustem Mustafa ishte personi i parë i cili publikisht bëri të ditur që është ftuar nga prokurori i specializuar për intervistim. Mustafa i njohur me nofkën “Remi” më 14 janar të këtij viti do të paraqitet në Hagë për t’u intervistuar. Në po të njëjtën datë është ftuar edhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Ndërkohë, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, ka marrë urdhër që të paraqitet në Hagë më 17 janar të vitit 2019, ndërsa ish-komandanti i UÇK-së Nazif Mehmetit, i njohur si komandant “Dini”, është ftuar nga Gjykata Speciale më datën 22, 23 dhe 24 janar. Ende nuk dihet nëse ata do të intervistohen në cilësinë e të dyshuarve ose vetëm si dëshmitarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme