Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka vlerësuar se koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i realizojë pritjet e qytetarëve.
Ai ka thënë se partnerët e PAN-it kanë arritur vetëm ta ndajnë politikisht dhe etnikisht Kosovën dhe, sipas tij, ky është rreziku kryesor në vitin 2019.
“Nuk mund të flasim shumë për të arriturat në vitin 2018 meqë pritjet kanë qenë më të mëdha. Pritjet kanë qenë që këtë fundvit Kosova ta ketë rekomandimin me datë për liberalizimin e vizave, por kjo nuk është arritur. Dialogu me Serbinë është një prej proceseve më të rëndësishme që po kalon Kosova, mirëpo nuk është arritur uniteti për këtë proces. Përkundrazi, gjatë vitit 2018 Kosova është ndarë politikisht në parti që qeverisin dhe në parti të opozitës. Kjo nuk është shenjë e mirë. Nuk mund të flasim në raport pozitiv as për nivelin e zhvillimit ekonomik, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për gjendjen sociale dhe shkallën e papunësisë, si dhe për segmente të tjera që lënë për të dëshiruar. Partnerët e PAN-it kanë arritur vetëm që ta ndajnë politikisht dhe etnikisht Kosovën. Ky është rreziku kryesor në vitin 2019”.
Haziri ka deklaruar se opozitës nuk mund t’i atribuohet përgjegjësia për qeverisje.
Ai ka thënë për “Epoka e re” se LDK-ja ka mbështetur proceset e rëndësishme, por nuk mund të bëhet patericë e PAN-it.
“Në asnjë mënyrë opozitës nuk mund t’i atribuohet përgjegjësia për qeverisje. LDK-së dhe opozitës mund t’i atribuohet roli se sa kanë qenë aktive në realizimin e kërkesave opozitare, në detyrimin dhe shtyrjen e proceseve përpara. E kemi dhënë votën tonë për demarkacionin, për liberalizimin e vizave kemi lobuar në Partitë Popullore Evropiane ku jemi anëtarë, kemi dhënë votën për ushtrinë e Kosovës si proces i cili krijon mundësi që FSK-ja brenda këtyre dhjetë vjetëve t’i ketë formacionet e plota me mandat dhe doktrinë të qartë. LDK-ja ka votuar të gjitha ligjet që janë pjesë e integrimeve evropiane si dhe të gjitha marrëveshjet financiare. Mirëpo, LDK-ja nuk mund të bëhet patericë e PAN-it. Duhet të harrohet ky raport”.
Haziri ka bërë me dije se pa LDK-në nuk do të kryhet asnjë proces i rëndësishëm në Kosovë.
“Pa LDK-në s’mund të kryhet dhe të dalë i suksesshëm as procesi i dialogut. Kemi raporte miqësore me Qeverinë e ShBA-së, pra LDK-ja ka marrëdhënie speciale me ShBA-në. Komunikimi ynë me Ambasadën Amerikane dhe përmes saj me nivelet e tjera qeveritare është jashtëzakonisht i mirë. E kemi bërë të qartë rolin tonë. LDK-ja është parti e dialogut. Thelbi dhe filozofia politike e LDK-së është zgjidhja e problemeve me dialog dhe me armët tona s’mund të na mposhtë askush. Partnerët ndërkombëtarë e dinë këtë mentalitet të LDK-së dhe ua kemi bërë të qartë se këto institucione qeverisëse nuk kanë legjitimitet për t’i mbyllur proceset e rënda sikurse është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Nuk kanë legjitimitet qytetar. Ne nuk mund t’u dhurojmë vota, sepse ato ose fitohen ose arrihen me kompromise politike. LDK-ja i ka votat dhe legjitimitetin qytetar, por ata nuk po bëjnë asnjë përpjekje që të arrijnë kompromis me LDK-në. Ata do ta vazhdojnë avazin e tyre, mirëpo një ditë do të ndalen në rrugë”.
Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemi...
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion