Interesim tejet i madh për marrjen e patentë shoferit, Lekaj paralajmëron ndryshim të ligjit

18:14 | 2 Janar 2019
Arbresh.info

Interesimi për marrjen e patentë shoferi vazhdon të jetë i lartë dhe i vazhdueshëm.

Gjatë vitit 2018, për patentë shoferë kanë aplikuar 88 mijë e 402 persona, përderisa Ndërsa, 87 mijë e 980 patentë shofer janë prodhuar.

Në një prononcim për Indeksonline Zyra e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se janë në proces edhe 378 patentë shoferë, përderisa janë refuzuar vetëm 35.

“Gjatë këtij viti kanë aplikuar 88 mijë e 402 persona, janë prodhuar 87 mijë e 980, në proces 387, ndërsa të refuzuara 35”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ka bërë thirrje të vazhdueshme nga organet kompetente për mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të denoncohen rastet e dyshimta.

“Segmenti i patentë-shoferëve është një nga segmentet me të ndjeshme sa i përket sigurisë së trafikut rrugor. Thirrjet e mia të vazhdueshme kanë qenë e do të vazhdojnë të jenë që të denoncohet secili rast i dyshimtë në këtë drejtim dhe janë organet tjera që merren me luftimin e dukurisë së korrupsionit nëse ai ekziston vërtetë, jemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjithë për të forcuar sundimin e ligjit në çdo segment”, ka thënë ai.

Ndërsa, ai ka paralajmëruar edhe ndryshime të ligjit, mirëpo nuk ka treguar kohën se kur.

“Ndryshimet ligjore janë të domosdoshme në çdo kohë për t’u përshtatur me standardet e BE-së, prandaj duhet të ndodhin, sidomos në licencimin apo rilicencimin e vozitësve, sidomos të atyre vozitësve që shfaqen të papërgjegjshëm gjatë vozitjes. Se cilat do të jenë, opinioni i gjerë publik do të informohet me kohë”, ka thënë Lekaj.

Përderisa, eksperti i komunikacionit Nol Dedaj konsideron se ka mangësi të shumta tek ligji për patentë shoferë. Gjatë një prononcimi të mëparshëm për Indeksonline ai ka thënë se “fakti që nuk kemi ende një databazë për evidentimin e shkeljeve të drejtuesit të automjetit do të thotë shumë”.

“Ligji për patentë shofer ka mangësi të shumta, jemi në shekullin 21 dhe jetojmë në territor të bashkësisë ndërkombëtare dhe ne ende testohemi në mënyrë manuale, nuk e kemi testimin, nuk e kemi mbikëqyrjen e instruktorëve, në mënyrë që të lejohet instruktori me dhënë përgjegjësi për secilin kandidat i cili shkon dhe testohet në mënyrë praktike. Se shteti nuk i ka krijuar organet që mundet të bëjë mbikëqyrje të sigurt. Nuk ka ndonjë testim, për shkak të zhvillimit të korrupsionit. Që e zënë 2-3 herë me shpejtësi dhe me alkool dhe i eliminohen pikët në patentë shoferë, ne ende nuk kemi data-bazë për ediventimin e shkeljeve të drejtuesit të automjetit. “, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Ndryshe, duhet cekur se shkelja e rregullave të trafikut ndodh shpesh në Kosovë, si pasojë e të cilave po ndodhin edhe aksidente të shumta rrugore, madje të shpeshta po janë edhe ato me fatalitet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm