Arbresh.info: Ministër pas votimit të tri ligjeve për FSK-në, çka ka ndryshuar rrënjësisht në strukturën e kësaj force?
Rrustem Berisha: Kjo është një përmbyllje e një viti me një proces të jashtëzakonshëm për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për FSK-në, dhe po hapet një kapitull i ri me miratimin e këtyre tri ligjeve në Parlamentin e Kosovës, Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë dhe për Shërbim në FSK. Po ashtu me miratimin e këtyre tri ligjeve, FSK po e merr një mandat ushtarak, kompetencat e reja, detyrat e reja, dhe ajo që na bënë të ndihemi krenar të gjithë pjesëtarët e kësaj Force, por edhe unë si Ministër i FSK-së, është votimi i 106 deputetëve, që asnjëherë nuk ka ndodhur deri më tani prej që është themeluar Kuvendi, të ketë kaq shumë vota për ndonjë ligj paraprak që ka kaluar në parlamentin e Kosovës. Kjo dëshmon besimin ndaj Institucionit tonë, edhe pse FSK për disa vite është shpallur si Institucioni më i besueshëm, por ky besim që na është dhënë realisht është një përgjegjësi që ne të vazhdojmë me punën e mirë që kemi pasur deri më tani.
Arbresh.info: Sipas SHBA-së këto ligje nuk do të sjellin ndryshim në strukturë, mision të Forcës. A do të thotë se një ndryshim për këto arrihet vetëm me ndryshime kushtetuese pavarësisht që Kuvendi i miratoi ligjet?
Rrustem Berisha: Realisht do të ketë ndryshime edhe në strukturë dhe në organizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, edhe në mandatin apo misionin e ri të kësaj Force. MFSK do të shndërrohet në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe është paraparë sipas një plani gjithëpërfshirës për tranzicion, që e posedojmë që kjo të ndodh brenda 120 ditëve, pasi që këto ligje të hyjnë në fuqi, dhe pritet riorganizimi i stafit të ndryshëm dhe komandave të strukturës së FSK-së. Mendohet në katër komanda kryesore, komandën e forcave tokësore, komandën e logjistikës , gardën nacionale dhe komandën e trajnimit dhe doktrinës. Po ashtu kjo Forcë pritet që t’i bartë me vete kapacitetet operacionale që i posedon, dhe të punoj në ndërtimin e kapaciteteve të reja mbrojtëse që do t’i ketë në të ardhmen, sepse ne si shtet nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë shteti, dhe presim që të njëjtën qasje ta kenë edhe të tjerët. I falënderoj të gjithë pjesëtarët e FSK-së për punën e mirë që kanë bërë, për arritjen, por edhe të gjithë partnerët tanë, bashkëpunëtorët ndërkombëtarë që kanë kontribuar me këshilla që ne ti kemi këto të arritura që i kem, a në të vërtetë kjo Forcë ka bërë të arritura të jashtëzakonshme.
Arbresh.info: Sa po angazhohen Institucionet e Kosovës që t’i sigurojnë një numër minimal të votave të minoritetit serb, që këto ndryshime Kushtetuese të ndodhin, dhe kur besoni se mund të ndodhin?
Rrustem Berisha: Me ndryshime Kushtetuese ndryshohet vetëm emri, dhe arrihet një mbështetje edhe e komunitetit serb, në këtë rast të Listës Serbe. Por asgjë tjetër nuk do të ndryshoj, as në organizim, as në detyra shtesë, në kompetenca, që do t’i ketë kjo forcë në mandatin e ri. Edhe ne kemi qenë të përkushtuar që kjo të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese, dhe puna jonë, angazhimi jonë në këtë drejtim ishte i jashtëzakonshëm. Por kjo nuk ka ndodhur sepse Lista Serbe nuk ka shfaqur gatishmëri që t’i votoj ndryshimet kushtetuese, dhe ne jemi përcaktuar për variantin e dytë, që ndryshimi i mandatit të shkoj përmes ndryshimeve të ligjit, dhe realisht edhe në votimin në parlamentin e Kosovës u pa që Lista Serbe nuk ka gatishmëri që t’i votoj këto ligje, apo mandatin e ri të FSK-së.
Mestitull: Procesi i shndërrimit të FSK-së, proces i pakthyeshëm
Arbresh.info: A ka kompetenca në bazë të këtyre ligjeve, FSK-ja të ndërmarr operacione në raste të nevojshme në pjesën veriore të vendit?
Rrustem Berisha: Në kohën e fundit është debatuar shumë për këtë. Ne do t’i bartim kapacitetet operacionale që posedojmë me mandatin aktual, por do t’i ndërtojmë edhe kapacitetet e reja mbrojtëse. Këto tri ligje janë fillimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja mbrojtëse. FSK-ja padyshim që do të veproj në tërë territorin e Kosovës, dhe këtë duhet ta kemi të qartë të gjithë, sepse na e obligon Kushtetuta që ne ta mbrojmë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, dhe nuk ka arsye pse mos të veprojmë. Ne nuk do të dalim në Veri apo diku tjetër për t’u lazdëruar por, veprimet tona do të jenë të analizuara mirë dhe në kuadër të Kushtetutës, ligjeve që janë në fuqi, dhe normalisht që kjo do të bëhet në bashkëpunim me partnerët tanë, sepse të gjitha të arriturat që i kemi janë në bashkëpunim me ndërkombëtarët, me SHBA-në, me NATO-në, dhe shtete tjera që kontribuojnë që t’i kemi këto të arritura.
Arbresh.info: Deklaratat e NATO-së, dhe BE-së, lidhur me votimin e këtyre ligjeve, a e rrezikojnë këtë proces, apo mund të konsiderohet ky proces i pakthyeshëm pavarësisht deklaratave të vendeve të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës?
Rrustem Berisha: Duhet ta kenë të qartë se ky proces është i pakthyeshëm, dhe pavarësisht qëndrimeve të disa shteteve, sepse shtetet dhe NATO funksionon mbi bazën e koncensusit, dhe po të kishim shkuar me ndryshime kushtetuese ne nuk do ta kishim koncensusin në lidhje me transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura. Por ajo që vlen të theksohet, është se ne e gëzojmë mbështetjen edhe brenda NATO-s të shumicës së shteteve, dhe shteteve të fuqishme, por në të njëjtën kohë jemi të gatshëm që të japim sqarime shtesë edhe tek ato shtete, që edhe ata ta kenë një qëllim më të qartë për të ardhmen. Bashkëpunimi jonë me NATO-n me KFOR-in do të jetë pothuajse i njëjtë që e kemi pasur deri më tani, por do të hulumtojmë edhe fusha të reja që janë të domosdoshme për ta rritur bashkëpunimin në të ardhmen.
Arbresh.info: Është thënë se tranzicioni i FSK-së do të zgjas 10 vite. A mund të zgjas më pak se 10 vite ky tranzicion, dhe kur e thoni këtë në çka e bazoni këtë periudhë kohore?
Rrustem Berisha: Ky është një proces 10 vjeçar, i cili është paraparë me faza. Është një proces gradual i arritjes së kapaciteteve operacionale të Forcës, dhe kapacitetet e plota operacionale realisht pritet të ndodhin në fazën e tretë. Faza e parë është 1 deri në 3 vite , e dyta 3 deri në 6 dhe e treta 7 deri ën 10 vite. Kapacitetet e plota operacionale mund të ndodhin në fazën e tretë, ku atëherë ne mund të themi se i posedojmë kapacitetet me të cilat do të jemi të gatshëm ta kryejmë detyrën apo misionin që është paraparë me këto ligje.
Arbresh.info: Zyra e prokurorit të specializuar ka filluar me ftesat e para për ish udhëheqës të UÇK-së. A keni marrë në ndonjë ftesë?
Rrustem Berisha: Nuk kam marr asnjë ftesë deri më tani. As në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë intervistë në lidhje me respektimin e konventave ndërkombëtare, por nëse më vije diçka e tillë jam i gatshëm të përgjigjem, sepse mendoj që ne kemi arsye, edhe aftësi, edhe mundësi që ta dëshmojmë që lufta jonë ka qenë një luftë çlirimtare, ku edhe gjatë luftës ne nuk kemi bërë krime, as nuk kemi shkuar në Serbi të luftojmë, por ne e kemi mbrojtur vendin tonë, popullin tonë dhe ne kemi qenë të parët që kemi sakrifikuar jetën për çlirimin e popullit tonë, asnjë person nuk ka asgjë më të vlefshme se jeta. E kemi bërë që populli, shteti jonë, t’i gëzoj të drejtat elementare që nuk i ka gëzuar. Ne jemi të vetëdijshëm në të kaluarën për rrugëtimin tonë deri këtu ku kemi ardhur, por edhe pa mbështetjen e ndërkombëtarëve nuk do të vinim këtu ku jemi. Kështu që nuk e shoh ndonjë problem që edhe nëse ftohem për ndonjë intervistë.
Arbresh.info: Si e shihni dinamikën e funksionimit të Gjykatës Speciale? Sipas jush a mund të dështoj?
Rrustem Berisha: Edhe kur kam qenë deputet, në legjislaturën e kaluar, e kam kundërshtuar një gjë të tillë, jo pse jam kundër drejtësisë, jam që të funksionoj drejtësia, të funksionoj ligji, sepse pavarësisht kushdo që ka bërë një vepër duhet të përgjigjet për të . Por në krahasim me krimet që i kanë bërë serbët ndaj popullit tonë, ndaj Kosovës, kudo që shkojmë sot në Kosovë kemi lapidare, masakra, fëmijë të masakruar janë rreth 1700, çfarë faji kanë pasur ata. Dhe nëse dikush nga jashtë e sheh që në Kosovë po ngritët një Gjykatë Speciale, për krimet që i kanë bërë shqiptarët, e në anën tjetër ata të cilët rreth 13 mijë civil i kanë vrarë të pafajshëm, atëherë cili do të jetë qëndrimi në raport me shtetin tonë. Kontestimi im në raport me këtë ka të bëjë me krahasimin e krimeve të luftës që ata i kanë bërë. Mos të flasim edhe për gra të dhunuara, të cilat i vuajnë pasojat edhe sot. Sikur 1700 gota t’i marrim, t’i renditim nga këtu, ku do të përfundon renditja e tyre, e le më fëmijët. Kudo që shkojmë sot në Kosovë, si në Dukagjin, e zona tjera ka pasur masakra ndaj civilëve. Ne ishim në shërbim të mbrojtjes së të drejtave tona, dhe për ne ngritët një Gjykatë, ndërsa në anën tjetër për të tjerët nuk merren masa apo nuk ka ndonjë dënim meritor për atë që e kanë bërë në Kosovë./ValdeteBerisha/arbresh.info
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...