U mbajtën gjithsej 42 seanca. Por, Kuvendi i Kosovës gjatë 2018-es vazhdimisht u përball me probleme për mungesë të kuorumit.
Përfaqësuesit e popullit nuk po kryenin detyrën për të cilën edhe ishin zgjedhur, shkruan arbresh.info.
Asnjë nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mori pjesë në të gjitha seancat madje numri i atyre që nuk ishin pjesë as në gjysmën e seancave është i madh.
Sipas platformës “Vota Ime” të KDI-së, tre deputetët në pjesëmarrjen më të vogël në Kuvend janë Ramiz Kelmendi e Teuta Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Gani Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kelmendi ka marrë pjesë vetëm në 45% të seancave të Kuvendit, Rugova në 56% ndërsa Dreshaj në 61%.
E Agnesa Haxhiu, hulumtuese dhe monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë për arbresh.info se gjatë 2018-es, Kuvendi është përballur me problemin e sigurimit të kuorumit.
“Kuvendi i Kosovës, gjatë këtij viti nuk ka arritur të funksionoj si duhet dhe vazhdimisht është përballur me problematika të ndryshme, kryesisht të natyrës politike. Për gjatë dy sesioneve të punës, Kuvendi është përballë vazhdimisht me probleme me sigurimin e kuorumit të nevojshme për votim të ligjeve”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka shtuar gjithashtu se zakonisht seancat nuk kanë përfunduar në ditën që kanë nisur.
“Tashmë është kthyer në praktikë që asnjë seancë që nisë të mos përfundoj po atë ditë, dhe aktualisht Kuvendi ka ende seanca të papërfunduara që nga muaji shtator. Caktimi i seancave të reja pa përfunduar ato që kanë nisur është duke shkaktuar kaos në mbarëvatjen e punëve dhe e pamundëson përmbushjen e agjendës së Kuvendit për këtë vit. Me këtë ritëm të punës, në pamundësi që të përmbyllën seancat e papërfunduara në këtë vit, ato do të barten për vitin 2019. Kryesia e Kuvendit do të duhej që t’i kthej praktikës së më hershme, ashtu siç e përcakton edhe Rregullorja e Punës, që seancat të mos thirren në ditët kur parashihet që të mbahen takime të komisioneve parlamentare, sepse në këtë mënyrë po e pengon edhe mbarëvajtjen e punës nëpër komisione”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se Kuvendin e ka përcjellë vazhdimisht mungesa e deputeteve në seanca.
“Mungesat e deputetëve në seanca është problematikë që e përcjellë Kuvendin vazhdimisht, në çdo legjislaturë. Ky komoditet i deputetëve për të munguar në punimet e Kuvendit vjen edhe nga mungesa e sanksionimit të këtyre veprimeve me anë të Rregullores së punës së Kuvendit”, ka thënë ajo.
E sipas saj, kjo është pasojë e mos ndëshkimeve.
“Rregullorja parasheh dënime për deputetët vetëm në rast të mungesës në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj, por nuk specifikon ndëshkime tjera për numrin e madh të mungesave. Më e pakta që do të mund të bëhej në këtë drejtim është që deputetët të cilët nënshkruhen por nuk marrin pjesë ne punimet e Kuvendit t’u ndaleshin mëditjet për seancat në fjalë.
Monitoruesja e Kuvendit, Agnesa Haxhiu ka thënë gjithashtu se këtë legjislaturë Kuvendin e Kosovës e ka përcjell edhe fenomeni i mospjesëmarrjes në votim nga deputetët, përkundër faktit se kanë qenë prezent në sallë duke pamundësuar kështu kuorumin për vendimmarrje.
Ndërsa analisti politik, Ramush Tahiri ka thënë për arbresh.info se mospjesëmarrja e seanca është pa përgjegjësi e deputetëve.
“Është mos përgjegjësi e deputetëve sepse e kanë mandatin e popullit ani që ata janë të votuar në listat partiake. Kjo ka bën që mbledhjet e Kuvendit të mos jenë frytdhënëse dhe puna e Kuvendit të mos jetë shumë efikase, është e kuptueshme që partitë politike synojnë që më marrje pjesë ose mos mospjesëmarrje të krijojnë një opinion të caktuar dhe të bllokojnë punën e partive kundërshtare mirëpo kjo po i kalon caqet e politikës së mirë dhe politikës së mençur sepse po shprehet negativisht në vendet që duhet me i marr Kosova dhe në punën e Kuvendit sepse kudo në botë, partitë në Kuvend nuk janë në armiqësuara dhe kundërshtare të përhershme ”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtuar gjithashtu se Rregullorja e Kuvendit duhet të parashikoj sanksione për mungesa.
“Duhet të ndryshohet rregullorja e Kuvendit dhe të ashpërsohen masat për ata që nuk marrin pjesë, momentalisht deputeti e humb të drejtën nëse nuk merr pjesë 6 muaj ditë e për mospjesëmarrje në mbledhje humb vetëm mëditjet por zakonisht baza e pagës nuk cenohet”, ka shtuar ai.
Ai po ashtu ka thënë se deputetët ndjejnë përgjegjësi ndaj partisë e jo ndaj votueseve.
“Momentalisht vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme mund t’i rrëzojnë deputetë nga froni që kanë në Kuvend ndërsa sistemi zgjedhor u mundëson që ata të hynë në lista zgjedhore të partisë dhe të mos ndjejnë shumë obligim ndaj mandatit të tyre e ndaj qytetarëve dhe u lënë mundësinë që në mungesë të ndërgjegjjes e të përgjegjësisë, deputetë të sillën kështu siç po sillen tani”, ka përfunduar ai.
E për mungesat e deputetëve ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës.
Në reagimin e KDI-së thuhet se këtë vit Kuvendi është bashkë me mungesë të kuorumit dhe mospjesëmarrje të deputetëve në votim.
“Pavarësisht performances pozitive në numra, mungesa e kuorumit ka përcjellë punën e Kuvendit për vitin 2018, ku në pamundësi të vendimmarrjes shumica e seancave plenare të mbajtura është dashur të shtyhen për ditë të tjera. Edhe në rastet kur është siguruar kuorumi, shumë ligje nuk janë votuar, pasi që deputetët nuk kanë marrë pjesë në votim. Si rrjedhojë, shumë pika të papërfunduara të rendit të ditës nga seanca të ndryshme janë grumbulluar dhe vendosur në një seancë të vetme. Si pasojë e këtyre veprimeve, Kuvendi ende nuk ka arritur t’i përfundoj të gjitha seancat e filluara, përfshirë këtu çështje që kanë qenë në rend dite të seancave nga muaji shtator”, thuhet në reagim.
Instituti Demokratik i Kosovës pas monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës ka nxjerrë gjithashtu se në vitin 2018 janë mbajtur gjithsej 42 seanca.
23 prej tyre ishin seanca plenare, 16 të jashtëzakonshme dhe 3 solemne, shkruan arbresh.info.
E agjenda legjislative është përmbushur rreth 42%.
Gjatë këtij viti janë miratuar 75 ligje në mesin e të cilave, ligji për transformimin e FSK-së dhe ushtri dhe ligji për kryeqytetin./arbresh.info/
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...