Niveli i lartë i korrupsionit, mungesa e infrastrukturës në disa raste dhe mbi të gjitha, brishtësia në funksionimin e ligjit janë pengesat dhe arsyeja kryesore, që bizneset nga Diaspora, të cilat janë një fuqi e madhe ekonomike, nuk po funksionojnë në Kosovë, deklaroi Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri dhe nivel të Evropës.
Në një intervistë për Telegrafin, Blakaj, theksoi se humbja e besimit në institucione e ulë interesin për investime, (gjykatat ekonomike janë në kolaps dhe të ndikuara etj…), korrupsioni i lartë e shumë probleme tjera.
Kurse, sa i përket kërkesës së vazhdueshme të mërgimtarëve që në Kuvendin e Kosovës, Diaspora ta ketë ulëset e veta, Blakaj tha se Diaspora se paku duhet t’i ketë 10 vende të rezervuara në Parlament.
“Ne, kemi kuadro mirë të përgatitura, që do të ndikonin pozitivisht në punën e Institucioneve tona. Nëse ne dimë ta mbushim buxhetin e Kosovës, pse mos të marrim pjesë në zhvillimin e vendit. Ne, i kemi krijuar ekonomitë tona, pa ndihmën e askujt në vendet të huaja, edhe po arrijmë ta mbajmë edhe ekonomin e Kosovës gjallë. Atëherë shumë me përkushtim do ta zhvillonim edhe vendin tonë”, tha Blakaj.
Telegrafi: Z. Blakaj, fillimisht a mund të na tregoni se kur është formuar ky Rrjet, çka keni bërë deri më tani dhe cilat janë planet e këtij Rrjeti në të ardhmen?
Yll Blakaj: Rrjeti i bizneseve të Diasporës Shqiptare, është themeluar në vitin 2013. Procesi i themelit ka kërkuar kohë dhe si proces zgjatë ende, ngase Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, është një organizatë e shtrirë globalisht që degët e saj vazhdojnë të formohen edhe tani në shtetet ku gjendet diaspora jonë.
Telegrafi: Cili është qëllimi i Rrjetit të bizneseve të Diasporës Shqiptare?
Yll Blakaj: Qëllimi i organizatës tonë është rrjetëzimi i gjithë afaristëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë nëpër botë, që pastaj të nisin bashkëpunimet mes nesh, të rritemi e të fuqizohemi duke ndihmuar njëri – tjetrin përmes shkëmbimeve të punëve mes nesh, dhe qëllimi final është investimi në trojet tona.
Punët që kemi bërë janë të shumta: fillimisht kemi punuar shumë në krijimin e kësaj organizate globale, që ka qenë sfidë e veçantë, sepse është dashur të përshtatet për secilin vend të botës. Pastaj, të fillon identifikimi i afaristëve që gjendeshin kudo nëpër botë, por që deri atëherë nuk ishin kontaktuar kurrë nga askush. Dhe pas identifikimit të filloj informimi mbi rrjetin tonë dhe të ftohen të jenë pjesë e rrjetit. Gjithë ky proces ka zgjatë me vite. Por, megjithëse procesi i rrjetëzimit ka vazhduar, bashkëpunimet nuk kanë munguar mes anëtarëve që veç ishin bërë pjesë nga fillimi. Për t’i renditur punët e secilës degë të Rrjetit, është diçka e pamundur këtu, ngase organizata jonë ka me mijëra afaristë, që janë të shpërndarë në 30 qendra, që emërohen varësisht nga shteti: P.sh Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri, Gjermani, Itali, Francë, Turqi etj, pastaj vijnë degët në Kanada, Amerikë etj. Ndërsa, të gjitha këto degë janë pjesë e Rrjetit Global të Diasporës Shqiptare, d.m.th, në gjitha këto degë punët janë të shumta, por edhe investimet në vendin tonë janë të ndryshme. Tash flas si kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Austrisë dhe kryetar në nivel të Evropës. Planet tona janë ato brenda degëve dhe ato në nivel të Evropës dhe në nivel të Botës. Në nivel të Evropës jemi të angazhuar të shtojmë bashkëpunimet brenda nesh, të përkrahim ndërmarrësit e rinj, dhe t’i ndihmojmë investimet e mundshme në vendin tonë të origjinës. Ndërsa, në nivel Global jemi të përkushtuar për të themeluar Bankën e Diasporës, të digjitalizojmë të gjitha bizneset tonë në botë përmes platformës Finger Market, dhe gjithashtu të shohim mundësinë për të investuar në vendet tona.
Telegrafi: Z. Blakaj, çfarë mund të thoni sa i përket bashkëpunimit ndërmjet Rrjeteve shqiptare mes veti?
Yll Blakaj: Meqë qëllimi i rrjetëzimit tonë, është të fuqizojmë njëri – tjetrin duke bashkëpunuar mes vete, mund të them se këtë e bëjmë, pasi që në botë punojnë dhe veprojmë mijëra biznese të suksesshme që udhëhiqen nga shqiptarët. Secili biznes ka nevojë për shërbime dhe bashkëpunime dhe rrjetëzimi mundëson që këto bashkëpunime të bëhen mes shqiptarëve e jo të merren shërbimet nga p.sh: një kompani e huaj – kur një shqiptarë veç e posedon një kompani dhe mund ta ofrojë atë shërbim.
Dhe bashkëpunimet mes nesh tash janë konkretizuar. Në Austri p.sh, ka objekte ndërtuese që janë ndërtuar krejtësisht nga kompani shqiptare: D.m,th. investitori, arkitekti, ndërtuesi, instalimi i rrymës, ujit, fasada dhe çka do që kërkon një ndërtim prej fillimit deri në finalizim është punuar nga anëtarët e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri.
Telegrafi: Cilat kanë qenë planet dhe aktivitetet e Rrjetit për këtë vit, sa janë realizuar ato, dhe çfarë planifikoni për vitin e ardhshëm?
Yll Blakaj: Planet tona për këtë vit kanë krijimi i nëndegëve të rrjetit të Austrisë në zona të caktuara (Lande) të Austri. Dhe pastaj realizimi i qëllimeve tona të cilat i kam cekur më lartë.
Telegrafi: Sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin në nivel jo vetëm të Evropës, por edhe më gjerë?
Yll Blakaj: Jam shumë i kënaqur me bashkëpunimet tona. Ky rrjetëzim ka mundësuar zgjerimin e tregun të punës për ne dhe ne ngritjen e besueshmërisë në mes të kompanive Shqiptare.
Telegrafi: A mund të na thoni se në sa shtete jeni të shtrirë si Rrjet në nivel global?
Yll Blakaj: Rrjeti është i shtrirë në mbi 20 shtete, dhe në shumicën e shteteve funksionon shumë mirë, në disa puna është më efikase dhe rrjetëzimi ka qenë më i lehtë, ndërsa ka shtete ku numri i afaristëve është më i vogël dhe ndoshta pozita gjeografike e vështirëson rrjetëzimin, ky proces ka zgjatë më shumë. Një shembull i punës së mirë edhe pse vendi është i largët është dega e rrjetit në Kanada.
Telegrafi: Meqë të rinjtë janë duke treguar suksese të mëdha në Diasporë në fusha të ndryshme, sa janë funksionale bizneset që po udhëhiqen nga të rinjtë në Diasporë, më konkretisht në Vjenë?
Yll Blakaj: Shumica e afaristëve të Rrjetit të Austrisë, janë moshë e mesme dhe e re. Në Austri burokracia është mjaft e madhe dhe vështirësitë për krijimin e një biznesi nuk janë të vogla. Kjo bënë që shumë të rinj, në fillim të punojnë si punëtorë e pas marrjes së eksperiencës së punës, atëherë të arrijnë në krijimin e biznesit të tyre.
Telegrafi: Sa është e vështirë të veprosh me një biznes në një vend siç është Vjena, dhe mandej të njëjtin biznes ta sjellësh edhe në Kosovë?
Yll Blakaj: Udhëheqja e një biznesi kudo në botë kërkon punë të madhe, besueshmëri, profesionalizëm dhe përvojë. Nëse ndërthuren këto, atëherë suksesi nuk mungon. Mirëpo, vështirësitë gjithmonë ekzistojnë, përparësia në shtete me demokraci të zhvilluar është sepse respektohet ligji, dhe nëse vepron drejt dhe mbarë, atëherë ke përkrahjen e institucioneve dhe shtetit për të vepruar.
Një numër i anëtarëve të Rrjetit, kanë investuar në një formë apo tjetër në vendin e tyre të origjinës. P.sh, kompania që unë udhëheq, ka një degë në Prishtinë, mirëpo zhvillimi nuk është i njëjtë si në Austri.
Telegrafi: A ka Rrjeti në planin e punës së vet edhe këshillat, ndihmën apo edhe monitorimin e bizneseve të reja që veprojnë nga të rinjtë?
Yll Blakaj: Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri, veçse ka filluar me programin e Monitorimit. Është një program përmes të cilit, ndërmarrësit e rinj do të monitorohen nga ata, që janë më me eksperiencë dhe do të udhëzohen që të zhvillojnë më me suksese biznesin e tyre.
Telegrafi: A ka ndonjë biznes që udhëhiqen nga të rinj, e që ju ka lënë përshtypje më shumë?
Yll Blakaj: Një fushë ku të rinj po orientohen dhe që ka munguar ndoshta deri tash në rrjetin tonë. është fusha e marketingut, dizajnit, internetit. Dhe bizneset që janë të orientuara në këtë drejtim janë mjaft interesante për mua. Kyçja e tyre brenda rrjetit i ka ndihmuar edhe kompanitë tjera të përmirësojnë reprezentimin e tyre online, por edhe në realitet.
Telegrafi: Si funksionon bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare dhe institucioneve relevante jo vetëm në këtë shtet, por edhe në Evropë?
Yll Blakaj: Në shtetet ku veprojmë ne kemi bashkëpunimet me Odat Ekonomike të vendit, ndërsa me vendet e origjinës ne e mbajmë një bashkëpunim profesional me institucionet, mirëpo politikisht mundohemi të jemi sa më larg tyre, ngase puna jonë duhet të jetë e pavarur nga politika.
Telegrafi: A ka biznese jo vetëm në Austri, por edhe në Evropë, që kanë filluar punën e tyre, por për shkak të pamundësive të veprimit, fatkeqësisht janë mbyllur?
Yll Blakaj: Sa i përket anëtarëve të rrjetit në Austri, por edhe Evropë, nuk kemi asnjë rast që është shuar një aktivitet biznesorë, mirëpo jashtë anëtarëve të rrjetit nuk mund të them ngase ato shifra nuk i posedoj.
Telegrafi: Cilat janë raportet mes juve, pra Rrjetit dhe institucioneve në Kosovë?
Yll Blakaj: Raportet tona me institucionet gjithmonë janë profesionale dhe deri tash, institucioneve ju kemi drejtuar vetëm me kërkesa, shumë prej tyre presim të realizohen në vazhdimësi.
Telegrafi: A ka Rrjeti ndonjë plan konkret për lobimin e ndonjë investimi të mundësh në Kosovë?
Yll Blakaj: Anëtarë e Rrjetit kudo që janë lobues të rregullt, dhe me mundësitë e tyre ftojnë për investime në Kosovë këdo që e shohin si investitor të mundshëm. Mirëpo, konkretisht ftesën për investime të mundshme e bëjnë institucionet e vendit.
Telegrafi: Në Prishtinë, para disa muajsh është mbajtur Konferenca Ekonomike e Diasporës, ku prezent ka qenë edhe ministri i Diasporës së Shqipërisë z. Pandeli Majko, dhe përfaqësues të bizneseve nga Maqedonia. Cilat kanë qenë të rejat e kësaj Konference, dhe a është arritur ndonjë bashkëpunim mes bizneseve të Diasporës dhe atyre të Kosovë?
Yll Blakaj: Në atë konferencë janë nënshkruar rreth 6 kontrata mes ndërmarrësve të Kosovës dhe atyre të Diasporës, kurse deri me sot janë diku rreth 36 kontrata. Ky ka qenë një takim me rreth 500 afaristë nga bota, dhe sigurisht nga ai takim i madh janë shkëmbyer shumë vizitkarta, dhe janë krijuar lidhje e bashkëpunime edhe në vazhdim gjatë vitit, e jo vetëm aty sa zgjati konferenca ekonomike. Institucionet nuk mungojnë kur ne jemi aty. Përfaqësuesit e institucioneve tona me fjalë të mëdha na përkrahin vazhdimisht mirëpo ende ka shumë punë që duhet bërë konkretisht në teren.
Telegrafi: Shumë herë qeveritë shqiptare si nga Kosova, po ashtu edhe nga Shqipëria, kanë organizuar takime apo Samite të diasporës shqiptare nga mbarë bota, me synimin për të forcuar lidhjet dhe shtuar ndihmesën e diasporës për atdheun e origjinës. Sa kanë qenë frytdhënëse këto takime?
Yll Blakaj: Të themi të drejtën këto Samite bëhen vetëm për konsum politikë ditorë, prandaj shikojeni edhe rezultatin q është zero. Ministria e Diasporës e Shqipërisë buxhetin e ka zero për Diasporën, d.m.th, veç sa për sy e faqe, ndërsa e Kosovës e ka 2 milionë që shpenzohen pa asnjë kriter nga njerëz që s’kanë lidhje me Diasporën. Duhet të ndahen nga dy shtetet mjete të konsiderueshme për projekte konkrete , se paku 5% nga dërgesat, por jo me këta njerëz, të paftë për këto punë.
Telegrafi: Sa jeni të kënaqur me funksionimin e ligjeve në Kosovë, e që ndikojnë direkt tek bizneset, sidomos të atyre bizneseve që kanë qenë të gatshme të investojnë në Kosovë?
Yll Blakaj: Megjithëse janë bërë disa përmirësime në të bërit biznes në Kosovë, viteve të fundit është punuar në shkurtimin e procedurave të hapjes së një biznesi etj. Ende ka shumë punë për të bërë, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, besueshmëria e bizneseve është shumë e ultë në raport me institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, dhe në këtë drejtim duhet të bëhet më shumë.
Telegrafi: Pse bizneset e Diasporës, të cilat janë një fuqi e madhe ekonomike, nuk po funksionojnë as në Kosovë, e as në Shqipëri. Cila është arsyeja?
Yll Blakaj: Niveli i lartë i korrupsionit, mungesa e infrastrukturës në disa raste dhe mbi të gjitha, brishtësia në funksionimin e ligjit janë pengesat kryesore.
Telegrafi: Sipas jush, sa i përket kësaj situate a është me keq në Kosovë, apo në Shqipëri?
Yll Blakaj: Për fat të keq, ngjashëm në dy shtetet tona.
Telegrafi: Si e arsyetoni hezitimin e diasporës për të investuar në trojet shqiptare, dhe sipas jush, cila është atmosfera që duhet krijuar diasporës liderët politik shqiptarë, në mënyrë që ajo të ndihet e sigurt për të investuar në vendin e origjinës?
Yll Blakaj: Humbja e besimit në institucione e zvogëlon interesin për investime, (gjykatat ekonomike janë në kolaps dhe të ndikuara etj). Korrupsioni i lartë e shumë probleme tjera d.m.th atmosfera veç po bie.
Telegrafi : Z. Blakaj, fuqia e bizneseve të Diasporës është shumë e madhe ekonomikisht. Ku qëndron problemi, që institucionet e vendit nuk po tregohen të gatshme që të paktën të krijojnë lehtësira për ato biznese nga Diaspora, të cilat kanë shprehur gatishmërinë që të investojnë në Kosovë?
Yll Blakaj: Institucionet tona e kanë qasjen e njëjtë ndaj të gjitha problemeve. Ata s’mund të jenë aq joefikas, inferior dhe keqpërdorues të parasë publike, e në anën tjetër të bëhen shumë punëtorë dhe të përgjegjshëm sa i përket kërkesave të Rrjetit. Fatkeqësisht, ata kanë të njëjtin mentalitet në të gjitha angazhimet dhe përgjegjësitë e tyre.
Telegrafi: Si e konsideroni faktin që remitencat nga Diaspora në Kosovë, janë gati sa gjysma e buxhetit të Kosovës. A mendoni se duhet të vazhdohet me këtë trend, apo këto para nga remitencat, të shndërrohen në investime dhe në shtim të vendeve të reja të punës?
Yll Blakaj: Ky është dëmi më i madh indirekt i yni. Ngase, unë mendoj që remitencat duhet të vijnë në formë të investimeve dhe me ato mjete të hapen vende punë, e të kemi një zhvillim, e jo remitencat të shkojnë të gjitha në konsum, dhe të gjithë e dimë se ai konsum nga vjen. Dëshira jonë sigurisht do të ishte që remitencat që përbëjnë diku rreth 80% te buxhetit të Kosovës, të mbesin të prodhuesit vendor, në mënyrë që rreth-xhirimi i kapitalit të bëhet në vendet tona. Kjo, do të ishte padyshim një shtytje e fortë për ekonomitë tona, dhe unë besoj që i gjithë problemi i mos zhvillimit ekonomik i Shqipërisë dhe Kosovës qëndron këtu. Paraja e diasporës e shpenzuar në Kosovë dhe Shqipëri, për momentin është vetëm transit dhe kështu jemi bërë shtete konsumuese. Nëse gjendja e tanishme përmirësohet, besojmë që bizneset e diasporës do ta shtojnë fuqinë e tyre investive në vendet tona. Ky do të ishte çelësi i rritjes së ekonomive tona.
Telegrafi: Edhe pse ka kërkesa të vazhdueshme të mërgimtarëve që në Kuvendin e Kosovës, diaspora ta ketë ulësen e vet, kjo ende nuk është bërë realitet. E konsideroni këtë kërkesë të diasporës, si neglizhencë të partive politike dhe institucioneve?
Yll Blakaj: Jo ulësen, por mendojë qe Diaspora se paku 10 vende në Parlament duhet t’i ketë të Rezervuara. Kështu, do të fillohet të kthehet besimi në institucione, Ne, kemi kuadro mirë të përgatitura, që do të ndikonin pozitivisht në punën e Institucioneve tona. Nëse ne dimë ta mbushim buxhetin e Kosovës, pse mos të marrim pjesë në zhvillimin e vendit. Ne, i kemi krijuar ekonomitë tona, pa ndihmën e askujt në vendet të huaja, edhe po arrijmë ta mbajmë edhe ekonomin e Kosovës gjallë. Atëherë shumë me përkushtim do ta zhvillonim edhe vendin tonë.
Telegrafi: Çfarë mund të na thoni për idenë e formimit të Bankës së Diasporës?
Yll Blakaj: Banka e Diasporës do të bëhet, se nuk ka pse të mos bëhet, por që të ndikojë në të mirën e qytetarëve, duhet të zgjidhen problemet politike, e që besoj se aty çalon gjithçka.
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gj...