Google ADS

Edhe 10 vjet rrugëtim për Ushtrinë e Kosovës

16:22 | 30 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në një Ushtri me kapacitete të plota. Kështu, të paktën parashihet me fillimin e transformimit të saj përmes tri ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, tha se tashmë ka filluar një transformimi i rregullt i FSK-së.

“Tranzicioni i Forcës së Sigurisë është i paraparë që të zgjasë 10 vjet. Kapacitet e plota operacionale parashihen që të arrihen në fazën e tretë. I tërë procesi është i paraparë në tri faza, faza e para 7 plus 3. Faze e dytë është 3 deri në 6 dhe e treta është 7 deri në 10 vjet. Ky është një proces që është hartuar edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, me ekspertët e tyre, me ekspertët tanë dhe mendoj se ky proces do të jetë transparent edhe me shtete mike dhe partnerët”, tha ministri Berisha.

Procesi i transformimit, pritet të kalojë përmes zbatimit të tri ligjeve tashmë të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, ku bëjnë pjesë, Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës, kaloi mes polemikave të shumta. Në planin e brendshëm, ky transformim nuk e ka mbështetjen e deputetëve serbë, të cilat mbështesin politikat zyrtare te Beogradit, i cili po ashtu është kundër Ushtrisë së Kosovës.

Për Prishtinën zyrtare, edhe më shqetësues ishte fakti se fillimi i transformimi i kësaj Force nuk arriti të sigurojë mbështetjen e plotë të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kishte deklaruar se ky transformim po ndodh në një “kohë të papërshtatshme”.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës besojnë se e kanë mbështetjen e nevojshme të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake. Zyrtarët shtetërorë, thonë se të gjitha veprimet deri te transformimi i plotë do të bëhen në koordinim me NATO-n.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në institucionin më të besueshëm dhe më të respektuar në Republikën e Kosovës”.

Siç ka thënë ai, bashkëjetesa, solidariteti, përkushtimi dhe profesionalizimi, janë vlera të FSK-së.

“Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbetet forcë shumetnike që do t’i shërbejë çdo qytetari të Kosovës, pa dallim feje dhe etnike. Do të bëhet faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti i Kosovës, ka porositur partnerët ndërkombëtarë se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen e Kosovës ndaj tyre, është duke e kthyer vendin në një eksportues të paqes dhe sigurisë.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkëpunim dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët tanë në botë, të cilët dëshirojnë që të ketë paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon, për çka edhe po investojmë”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se FSK-ja do të jetë Ushtri e të gjithë qytetarëve.

“Nuk do të zhvillojmë doktrinë mbrojtës dhe nuk do të veprojmë që Ushtria asnjëherë të kthehet kundër popullit të vet. Ketë e dinë ata që jetojnë rreth nesh se sa të respektuar janë komunitetet nga shqiptarët. Kurrë Ushtria e Kosova nuk do të kthehet kundër askujt, pra jo kundër popullit të vet. Serbët si ne jug si në veri janë njerëz të këtij vendi, Ushtria është tyre ata nesër do të shërbejnë në këtë Ushtri, jo vetëm ata, por të gjithë ata që jetojnë në Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

Që nga pranvera e vitit 2018, një numër i madh i pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë braktisur radhët e kësaj force, nën presionin e autoriteteve të Beogradit.

Këto të fundit, publikisht u kanë kërkuar pjesëtarëve serbë të FSK-së që ta braktisin atë, duke thënë se institucionet e Kosovës duan ta shndërrojnë FSK-në në Ushtri dhe që pjesëtarët serbë të kësaj force t’i çojnë drejt vëllavrasjes.

Që atëherë, plotësimi i kuotës prej 5 për qind të përfshirjes së pjesëtarëve të komunitetit serb në FSK, është parë sfidë për këtë forcë, si dhe për institucionet e Kosovës në përgjithësi.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur 103 pjesëtarë serbë, para se një numër i madh i tyre ta braktisin këtë forcë. Pas ndryshimeve ligjore për FSK-në, pritet që në këtë forcë të përfshihen 250 pjesëtarë të komunitetit serb.

Sido që të jetë, eksperti i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se, Kosova Ushtrinë e saj do ta ketë pas 10 vjetësh.

“FSK-ja kapacitete saj do t’i ngritë pas 10 vjetësh. Vetë autoritet tonë po flasin se ajo do të bëjë këtë punë atë punë dhe po nxisin reagime, pastaj janë normale ato reagime se kanë presione edhe nga serbët. Mendoj se kjo çështje nuk duhet të potencohet shumë. FSK-ja e ka kohë e afatit e ngritjes së kapacitetit e të zhvillimit 10-vjeçar”, tha Ibishi.

Forca e Sigurisë së Kosovës do të nisë rrugën drejt shndërrimit në Ushtri, rolin dhe mandatin mbrojtës në Kosovë do të vazhdojë ta ketë forca paqeruajtëse dhe shumëkombëshe e KFOR-it.

Buxheti aktual, konsiderohet i mjaftueshëm për fillimin e procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë ushtarake.

Pavarësisht kostos, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, tashmë kanë deklaruar se ka bazë të mjaftueshme financiare për të ecur tutje me transformimin e FSK-së. Sipas tyre, brenda 10 vjetësh, sa është paraparë të marrë kohë ky proces, nga buxheti i Kosovës do të arrihet të sigurohen mjetet financiare.

Dhurata e parë Forcës së Sigurisë së Kosovës i ishte dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e pajisur FSK-në me 24 automjete ushtarake të tipit “Humvee”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme