Furra historike mbi 200-vjeçare në Gjirokastër që qëndron në këmbë pa asnjë ndërhyrje

12:53 | 30 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Furra historike e Premtos në pazarin tradicional të Gjirokastrës, prej më shumë prej dy shekujsh ndizet çdo mëngjes për të mbushur me aromë buke, byreku e ëmbëlsirash qendrën e qytetit të vjetër.
Furra edhe sot njihet prej emrit të usta Premtos, bukëpjekësit të njohur të qytetit që e morri furrën me qira në kohën e monarkisë dhe i dhuroi shije tradicionale qytetit për disa dekada.

Kujtim Shehu, pronari i objektit historik, thotë se paraardhësit e tij e ndërtuan furrën më shumë se 200 vite më parë dhe një pjesë e madhe e produkteve të furrës shkonte në atë kohë për bamirësi. Sot furra është mundësi jetese për familjen Shehu, por edhe një prej stacioneve më interesante për turistët që vizitojnë Gjirokastrën.

Silvana, bashkëshortja e Kujtimit, thotë se furra vijon të marrë porosi për pjekje nga qytetarët në Gjirokastër, por atmosfera e festave ndihet më pak këtë vit. Furra që dikur piqte qindra bakllava gjatë fundvitit, po e redukton këtë funksion vitet e fundit. Megjithatë besnikët e furrës së Premtos do të kërkojnë shërbimin e furrës deri pasditen e së hënës. Ky vit do të mbyllet me pjekjen e lakrorëve, – tregon Silvana.

Furra qindravjeçare me sipërfaqe rreth 20 metra katror, nuk ka njohur asnjë ndërhyrje restauruese për më shumë se 100 vite, por vijon të ruajë gjendje shumë të mirë. Ende është mister çfarë janë dhe nga kanë mbërritur gurët që veshin harkun e kupolës së furrës por furra vijon të ruajë një temperaturë të lartë edhe kur zjarri shuhet. Furra e Premtos, që të gjithë e njohin në Gjirokastër, mbetet mes simboleve të pazarit dhe qendrës historike të qytetit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme