Gjatë vitit 2018, vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës u sfidua seriozisht. Mungesa e kuorumit ishte një “hije” që ndoqi seancat plenare. Në Kuvend, mungoi një shumicë vendimmarrëse e partive të koalicionit qeverisës, por edhe një opozitë me numrat e mjaftueshëm që do të sfidonte pushtetin aktual.
Uniteti i pushtetit dhe opozitës, përjashtuar deputetët e Listës Serbe, u dëshmua me miratimin e ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
Një unitet gjysmak kishte në procedurën e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Po ashtu, raste të unifikimit pushtet- opozitë u vërejtën edhe te miratimi i ligjeve që ndërlidhen me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian apo me liberalizimin e vizave.
Në rastet tjera, Kuvendi kryesisht ishte i ndarë, që si pasojë solli ndërprerjen e seancave për shkak të mungesës së kuorumit. Një punë e pakryer e Kuvendit, ishte mosmiratimi në lexim të dytë i Projektligjit për buxhetin e vitit 2019.
Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, ka publikuar shifrat sipas të cilave, gjatë vitit 2018, Kuvendi ka mbajtur gjithsej 42 seanca, prej të cilave 23 ishin seanca plenare, 16 të jashtëzakonshme dhe 3 solemne.
Kuvendi i Kosovës, 5 shtator
LEXONI EDHE KËTË:
Pa kuorum në seancat e jashtëzakonshme
Agnesa Haxhiu, hulumtuese dhe monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se KDI i ka propozuar Kuvendit disa rekomandime në mënyrë që të përmirësohet performaca dhe efikasiteti në punë.
“Kuvendi duhet ta rikthejë praktikën e mbajtjes së seancave në ditën e enjte, eventualisht në të premten, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës, në mënyrë që t’i jepet hapësirë komisioneve parlamentare që mbledhjet e tyre t’i mbajnë ditëve te tjera. Në këtë mënyrë do të zvogëlohej mundësia e dështimit, qoftë të seancave ose të mbledhjeve të komisioneve dhe të grumbullimit të çështjeve që duhet të shqyrtohen”, tha Haxhiu.
Seancat e Kuvendit në shumë raste kanë dështuar për shkak të mungesës së deputetëve. KDI ka rekomanduar që Rregullorja e Punës së Kuvedit të pësojë plotësime, në mënyrë që këto mungesa të sanksionohen. Po ashtu, Kuvendit i kërkohet që të rrisë edhe transparencën.
“KDI fton Kuvendin e Kosovës të publikojë në kohë raportet e shpenzimeve si dhe të ofrojë detaje mbi shpenzimet dhe qëllimet e vizitave të deputetëve jashtë vendit”, theksoi Haxhiu.
Puna në Kuvendin e Kosovës, sipas kryetarit të këtij institucioni, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, assesi nuk mund të cilësohet si jo e suksesshme.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës po punon, ky është lajmi pozitiv e do të ketë edhe vendimmarrje”, ishin fjalët që Veseli i ka përsëritur kohë pas kohe, ndërsa kritikohej puna e Kuvendit nga opozita apo shoqëria civile.
Por, si e sheh punën e Kuvendit partia më madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës? Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti mendon se këto institucione, përfshi edhe Kuvendin, duhet të shpërbëhen dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
“Ne ftojmë deputetët që forcat politike të ulen së bashku për të dakorduar krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira e demokratike. Pas dakordimit, Qeveria duhet të japë dorëheqje, kurse Kuvendi të shpërbëhet për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja”, ishte kërkesë e vazhdueshme e LDK-së, e shprehur përmes deputetit Avdullah Hoti.
Një qëndrim afërsisht të njëjtë me LDK-në ka edhe Lëvizja Vetëvendosje, dhe lideri i saj, Albin Kurti.
“Për shkak të mungesës së zhvillimit e progresit dhe keqqeverisjes e korrupsionit, nga skandalet e shpeshta e të shumta të kryeministrit dhe kabinetit të tij qeveritar nga nxjerrin vetëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin”, ka deklaruar Kurti, duke arsyetuar kërkesën e Vetëvendosjes për zgjedhje.
Pjesën më të madhe të punës gjatë vitit 2018, Kuvendi ishte i ndarë në tri grupe të deputetëve.
Partitë në pushtet, llogaritur ato shqiptare dhe pakicave joserbe, përbëjnë një grup prej 49 deputetësh, që nuk përbën edhe shumicën parlamentare.
Partitë opozitare, në anën tjetër, numërojnë 56 deputetë, që po ashtu nuk paraqet shumicën për ta sfiduar Qeverinë.
Kurse në mes, qëndron grupi prej 10 deputetëve të Listës Serbe, i cili në Kuvend rreshtohet si opozitë më vete dhe voton vetëm ato ligje e vendime që i sheh se janë në interesin edhe të komunitetit serb.
Ndërkohë, 5 deputetë janë pa grup parlamentar.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar 16 rezoluta, akte këto të cilat shprehin qëndrimin ose vullnetin e deputetëve të Kuvendit për çështje të caktuara.
Nga 16 rezoluta që janë nxjerrë në votim nga Kuvendi, KDI nënvizon se, partitë opozitare kanë qenë dukshëm më aktive në këtë drejtim. Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Partia Socialdemokrate kanë iniciuar 15 nga gjithsej 16 rezoluta sa janë iniciuar.
Fundin e vitit, Kuvendi e ka përmbyllur me debatet dhe miratimin e një rezolute për dialogun me Serbinë, ku parashihet që Kosova të formojë ekipin negociator, i cili do të përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë./rel
Vetaksident në Duhël, kamioneta përfundon jashtë rrugës
Inter synon goditjen e madhe – transferimin e yllit të Liver...
Rovena-Edit: Të është zbuluar loja
NYT: Biden lejon Ukrainën të godasë Rusinë me raketa amerika...
Lushaku i reagon Kurtit: Po mundohet të shfajësohet për përm...
Gjesti dhe Xheneta vazhdojnë diskutimet ndërmjet tyre