Kushtetuesja ‘konfirmon’ Aida Dërgutin si nënkryetare të Kuvendit

17:08 | 24 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në lidhje me kërkesën e 12 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e vendimit për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit.

Sipas aktgjykimit të publikuar sot, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si kushtetuese vendimin e Kuvendit i cili nuk mori votat e nevojshme për të shkarkuar deputeten e Partisë Socialdemokrate, Aida Dërguti nga pozita e nënkryetares.

“Gjykata konstatoi se Vendimi nr. 06/V-145 i Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me propozimin e Grupit Parlamentar të LVV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është në pajtueshmëri me nenet 7 dhe 67 të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Tutje, gjykata ka vlerësuar si të pabazuar pretendimin e 12 deputetëve të LVV-së se “pozita e nënkryetarit të Kuvendit është e rezervuar ekskluzivisht për tri grupet më të mëdha parlamentare, të cilat dalin nga partitë politike apo nga koalicionet që kanë fituar më së shumti ulëse në Kuvend si rezultat i zgjedhjeve për Kuvend”.

Sipas Kushtetueses, pozita e nënkryetarit të Kuvendit nuk është i lidhur drejtpërdrejtë me grupin parlamentar.

“Gjykata vlerësoi se nga interpretimi i paragrafit 3, të nenit 67 të Kushtetutës, rezulton që mbajtja e pozitës së nënkryetarit të Kuvendit nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti dhe nuk përfaqëson interesat e grupit parlamentar që i ka propozuar për atë pozitë në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Me 4 qershor të këtij viti, deputetët e Kuvendit kishin votuar kundër propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të shkarkuar Aida Dërgutin nga pozita e nënkryetares së Kuvendit. Nga 91 deputetët që morën pjesë në votim, 17 deputetë votuan për shkarkim, 26 vota ishin kundër dhe 48 deputet abstenuan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme