Google ADS

Abrashi tregon qëndrimin e LDK-së rreth pakos së ligjeve për pagat

15:15 | 24 Dhjetor 2018
V. S.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka paraqitur qëndrimin e partisë së tij rreth pakos së ligjeve për pagat.

Përmes një konferencë për media, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka paraqitur qëndrimin e partisë së tij rreth pakos së ligjeve për pagat, shkruan lajmi.net.

Abrashi ka thënë se LDK në parim mirëpret procedimin e Projektligjit për paga në sektorin publik, Projektligjin për zyrtarët publik, si dhe Projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të pavarura, por që sipas tij, ka nevojë përmirësimin dhe definimin e disa gjërave.

Tutje Abrashi a thënë se kjo pako ligjore e këtyre ligjeve është e rëndësishme për funksionimin e aparatit shtetëror në Republikën e Kosovës, raporton lajmi.net,

Fjalimi i plotë i Abrashit:

Sot do të paraqesë para jush qëndrimet e LDK-së, rreth Projektligjit për paga në sektorin publik, Projektligjin për zyrtarët publik, si dhe Projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të pavarura.

Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpret procedimin e kësaj pakoje të rëndësishme të ligjeve për funksionimin e aparatit shtetëror në Republikën e Kosovës;

Për sqarim të opinionit publik, LDK gjatë qeverisjes së saj dy vjet e gjysmë, ka punuar dhe përgatitur pjesën më të madhe të kësaj pakoje; por për shkaqe objektive nuk ka mundur të procedojë këtë pako.

Tani, pasi që në Kuvendin e Kosovës është proceduar kjo pako e ligjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpret edhe rekomandimet dhe kërkesën për urgjencë për trajtimin e kësaj pakoje nga Komisioni Evropian;

LDK do të japë kontributin e saj përmes deputetëve në komisionet përkatëse, e posaçërisht këtu në Komisionin për Administratë, Media ..

Me pranimin e projektligjeve, ne kemi hasur në disa mangësi serioze të projektligjeve dhe pakos në përgjithësi..

Në aspektin e përgjithshëm, për shkak të mosdefinimit të kostos dhe shtesave, posaçërisht për stafin politik, mund të rrezikohet stabiliteti makro-ekonomik, përkatësisht rritja e faturës së pagave për buxhetin; e kjo ndodh si pasojë se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave në dhjetor të vitit të kaluar, i cili është “transplantuar” në projektligj, me ç’rast është devijuar projekti dhe puna disa vitesh në këto pako.

Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se inkorporimi i vendimit të qeverisë për rritjen e pagave, në kuadër të Ligjit për Paga, shtrembëron parimi esencial i këtij ligji “pagë e njëjtë për punë të njëjtë”, prandaj me kontributin tonë në Komisione do të përpiqemi të rregullojmë këtë anomali.

Në dokument përfshihet shprehja “departamente me rëndësi shtetërore”, e cila askund nuk figuron te përkufizimet, pra është një formulim i përgjithësuar dhe lë mundësi të mëdha keqpërdorimi. Gjithashtu, janë vënë pozitat me koeficiente të ndryshëm mirëpo me përshkrim të njëjtë.

 

Përveç të tjerash, edhe opinioni ligjor i dhënë nga vet Ministria e Integrimit Evropian, përshkruan problemet e mosrespektimit të parimit “pagë e njëjtë për punë të njëjtë”, si dhe evidenton edhe parregullsi të tjera sikurse fakti që bie ndesh me projektligjin për zyrtarët publik.

Sidoqoftë, reforma e administratës publike ka rëndësi strategjike për Kosovën në rrugën e saj evropiane, sikurse është kusht dhe detyrim i rregulluar edhe me marrëveshjen e stabilizim asociimit, përkatësisht detyrave tona në kuadër të agjendës evropiane të reformave.

Gjatë kësaj periudhe, LDK ka pranuar shqetësime dhe rekomandime nga një numër i madh i organizatave qeveritare, të cilat kanë dhënë opinionet e tyre rreth pozicionimit dhe rrethanave të tyre karshi pakos; shqetësimet janë serioze dhe të qëndrueshme, prandaj kemi disa parime thelbësore në raport me këtë pako.

LDK vlerëson se pas përpunimit të këtyre ligjeve këto ligje të votohen në pako; të rregullohet parimi i pagës së njëjtë për punës të njëjtë; posaçërisht tek puna e zyrtarëve të nivelit qendror me zyrtarët lokal, d.m.th. kjo anomali duhet të rregullohet.

LDK vlerëson se kostoja buxhetore duhet të definohet saktë; duke përfshirë edhe kufirin maksimal për shtesa e mëditje, në mënyrë që kjo mos të keqpërdoret nga qeveritë dhe politika;

Pakoja e projektligjeve, tësjellura nga qeveria ka ndërhyrë në pavarësinë e disa organizatave shtetërore, LDK vlerëson se ashtu si e parasheh Kushtetuta e Kosovës, duhet të lihen si të tilla; dhe ne do të mbrojmë këtë parim të pavarësisë institucionale; prandaj organizatat e pavarura duhen të mbeten të tilla dhe qeveria duhet të qëndrojë sa më larg tyre.

Qeveria, përpos kësaj pakoje, duhet të mendoj edhe për thellimin e pabarazisë sociale dhe ne mendojmë se tani janë plotësuar të gjitha kushtet, dhe në konsultim me Këshillin Ekonomik Social, duhet të merr masat dhe të ngrisë pagën minimale në Kosovë; LDK mund dhe do të jap kontributin e saj, në diskutimet për ngritjen e pagës minimale;

Ne deri më tani kemi punuar në këto pako, qoftë në Komisionin për Administratë, qoftë në punëtori të përbashkët të organizuar me BE, Qeveri etj.;

Ende nuk kemi mbërri te lista e koeficienteve për pagat dhe nuk e kemi trajtuar bashkërisht, sidoqoftë ne kemi vërejtje serioze, posaçërisht te renditja e koeficienteve, e veçanërisht tek pesha dhe dallimi e vlera e pagave të stafit politik, me profesionistët e tjerë, duke përfshirë, sektorin e shëndetësisë, sektorin e arsimit, gjyqësorin, sektorin e sigurisë, si dhe administratën në përgjithësi, pra mjekët e infermierët, arsimtarët, prokurorët  gjykatësit, profesionistët tjerë, policët, kadetët, zjarrfikësit, krijuesit artistik.

Ne do të punojmë dhe besojmë që sektori i shëndetësisë, sektori arsimit dhe sektori i sigurisë, meritojnë vëmendje dhe kujdes me te madh; prandaj zotohemi për rritjen e pagave përkatësisht koeficienteve për këta sektorë.

Si përfundim, LDK përkrah pakon e ligjeve dhe bën thirrje për të gjithë akterët relevantë, që të punojnë dhe sa me shpejtë të kalojnë për votim e miratim të kësaj pakoje, në fakt kemi shpresuar që deri më 31 dhjetor, këto ligje do të votohen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme