Komuna e vogël e Kosovës, me rreth 10 mijë banorë, Hani i Elezit e ka të vështirë të trajtojë personat të cilët janë rikthyer nga luftërat e huaja si nga Siria e Iraku. Kufizimet ligjore dhe financiare të kësaj komune ia kanë vështirësuar punën në trajtimin e duhur të personave të rikthyer nga luftërat në Siri e Irak. Problemet më të mëdha janë evidentuar në trajtimin e tre fëmijëve të rikthyer nga Siria të cilët ballafaqohen me barriera të mëdha në risocializim.
Një hulumtim i Gazeta Jeta në Kosovë tregon se në Komunën e Hanit të Elezit janë gjithsej 10 persona që janë gjykuar në lidhje me veprat penale të terrorizmit dhe bashkimit në luftërat e huaj.
Komuna nuk ka punonjës social të trajnuar ndërsa në të gjitha shkollat e komunës është vetëm një psikolog i paguar me kontratë të përkohshme mbi vepër.
“Nuk kemi asnjë psikolog. Por e di se janë ndarë disa pozita për vitin e ardhshëm”, thotë kryetari i komunës Rufki Suma. Si kryetar i komunës së vogël nga ku ISIS arriti të rekrutojë pjesëtarë, Suma është i shqetësuar për mungesë fondesh për ta trajtuar problemin.
“Ne nuk kemi mundësi pasi që nuk kemi një kod buxhetor t’i ndihmojmë këtyre personave, kemi një kod buxhetor për bashkë investim kur kemi ndonjë organizatë që dëshiron që të ndihmoj në hapjen e bizneseve të reja ne si komunë participojmë. Megjithatë, edhe këto projekte asnjëherë nuk e marrin për qëllim vetëm personat e radikalizuar, mirëpo janë projekte të përgjithshme”, thotë Suma për Gazetën “Jeta në Kosovë”. Ai tregon se gjendja materiale e sociale e personave të rikthyer nuk është e mirë.
“Gjendja e shumicës së personave që kanë marr pjesë në luftërat e huaja, nuk është bash e mirë, shumica e personave kanë gjendje të mjerueshme nuk kanë të punësuar ose nuk kanë biznese, shumica e atyre kërkojnë mbështetje, e shumica tjetër janë të penduar për veprimet që i kanë bërë dhe nuk i pranojnë akuzat të cilat i kanë se janë si terrorista, pasi që një pjesë kanë shkuar në Siri dhe janë kthyer dhe kanë kuptuar që aje po bëhen luftëra për qëllime të ndryshme, nuk kanë qenë ashtu siç i kanë menduar por prap se prap ne nuk kemi qenë në gjendje t’i ndihmojmë”, thotë Suma.
Dëshmi se familjet janë pa përkrahje tregon edhe A.B. një qytetar i Hanit të Elezit i cili është dënuar me burgim për shkak se kishte qenë pjesë e konfliktit në Siri.
“Shteti nuk është interesuar për familjen tonë”, thotë A.B. Ai tregon se nuk kanë pasur trajtim nga psikologë e ekspertë të deradikalizimit ndërsa jetojnë nënë stigmën që janë shpallur terrorist në ambientin ku ata janë duke jetuar.
Krijimi i klimës ku të rikthyerit nuk pranohen nga rrethi dhe trajtohen si terrorist është evidentuar edhe nga kreu i komunës.
“Çka nuk kam qenë i pajtuar me organizata të ndryshme, është termi ekstremist ose terrorist pasi që një term i tillë përdoret për një person i cili ka kryer krim ose terror, e jo për persona që kanë shkuar e janë kthyer pa e ditur se a e ka kapur pushkën në dorë apo jo. Pra në vend se të bëhet një risocializim për persona të tillë, ne po krijojmë shtresë e cila vetvetiu ndahet nga shtresa tjera”, thotë Suma.
Probleme në këtë drejtim kanë edhe të rikthyerit.
Rufki Suma, kryetar i komunës së Hanit të Elezit“Jemi dënuar si grup, më shumë ka qenë e dhimbshme nga ana e mediave, me arrestimin tonë më shumë filluan me na rreh çekiçin mediat se sa gjykata që pritej me marrë një vendim për ne”, thotë J.B.
Edhe i rikthyeri tjetër nga luftërat e huaja, inicialet e të cilit janë A.B., tregon vështirësitë që i has për punë.
“Kam punuar privat, ku kam gjet punë. Problemi kryesor është papunësia”, rrëfen i rikthyeri.
E i rikthyeri tjetër, i dënuar për pjesëmarrje në grupe terroriste, J.B. thotë se vullneti për ndihmë nga ana e komunës së Hanit të Elezit nuk ka munguar.
Komuna ka probleme edhe me trajtimin e fëmijëve të personave të vrarë ose fëmijët e rikthyer nga zonat e luftës.
Elez Bushi, drejtor i qendrës për punës sociale në Han të Elezit, thotë se për ta ishte sfidë të trajtonin tre fëmijë të rikthyer nga zonat e luftës.
“Fillimisht këta fëmijë, prej aeroportit kur janë kthyer i ka marrë Qendra për Punë Sociale për përkujdesje në Prishtinë, pastaj jemi njoftuar me shkresë zyrtare nga qendra në Prishtinë që tre fëmijët janë të vendosur në SOS Fshatin. Pastaj kemi filluar procedurat tona për vendosjen e kujdestarisë, kur për tre javë rresht kujdestari i fëmijëve duke mos pasur punëtor, kam kërkuar që të bëhem kujdestar i tre fëmijëve”, tregon drejtori i QPS-së në Han të Elezit.
Pra, mungesa e kujdestarëve në vende të tilla, ka bërë që drejtori i QPS-së, të ngarkohet me kujdestarinë e tre fëmijëve të kthyer nga luftërat e huaja. Fëmijët e kthyer, sipas drejtorit Bushi janë trajtuar edhe në mënyrë mjekësore por edhe në mënyrë psikologjike.
“Kemi pasur vizita të shpeshta, të atyre fëmijëve, ka qenë një përkujdesje shumë e mirë, po e falënderoj SOS Fshatin. Ka pasur trajtime mjekësore, psikologjike, të gjitha, pastaj kur janë bërë kushtet e kemi pasur të arsyeshme që fëmijët të strehohen te të afërmit. Gjyshja e tyre ka shprehur dëshirë të përkujdeset për ta. Vazhdimisht e përcjellim gjendjen e tyre i shikojmë. Këta fëmijë janë duke u rritur dhe kanë një mirëqenie të mirë”, thotë drejtori Bushi.
Shqetësimin për mungesën e punëtorëve në Qendrën për Punë Sociale që merren me rastet e terrorizmit dhe ekstremizmit e ka shprehur edhe Drejtoresha për Punë Sociale Medina Imishti.
Në një intervistë për Gazetën “Jeta në Kosovë”, Imishti tregon se pavarësisht mungesës, vullneti për të punuar në raste të tilla nuk mungon.
“Realisht QPS e ka një numër të vogël të punëtorëve dhe kemi pak staf për me u marr me rastet e ekstremizmit. Por prapë me aq pak punëtor jemi munduar që edhe për kategori mos i lënë anash dhe me punu me ta”, thotë Imishti duke shtuar se kërkesa për trajtim kanë pasur pak por të cilat janë menaxhuar nga safi.
Drejtoresha për Punë Sociale në Komunën e Hanit të Elezit, foli për Gazetën JNK edhe për rastin e tre fëmijëve të cilët së bashku me babanë e tyre ishin kthyer në Kosovë në fillim të këtij viti.
Media Imishti, Drejtoreshë për Punë Sociale në komunën e Hanit të Elezit“Rasti i fundit është i vitit 2018 është një familje në fshatin Gorancë që kanë qenë në Siri, kur janë kthy prindi është burgos dhe fëmijët kanë mbetur vetëm pasi që nënën nuk e kanë pasur. QPS është marrë me ta së pari tu i dërgu në SOS fshatra ku kanë qëndru një kohë e më pas duke ia dorëzuar kujdestarinë gjyshërve”, thotë Imishti.
Drejtoresha për Punë Sociale, tregon se QPS në Han të Elezit e ka një psikologe e cila menaxhon rastet e fëmijëve dhe përmes saj janë duke u munduar t’i socializojnë nëpër shkolla dhe shoqëri.
“Psikologja dhe menaxheri i rastit dhe punëtori i QPS janë duke u marrë vazhdimisht me këta fëmijë. Jemi duke u munduar por, fëmijët po ngurrojnë të qëndrojnë në shkollë por psikologja po mban seanca të vazhdueshme me ta”, thotë ndër të tjera Imishti.
Por, nuk është vetëm çështja e të kthyerit nga Siria në Kosovë, ajo çka u mundon tre fëmijëve nga Hani i Elezit.
Të njëjtit sipas drejtoreshës Imishti kanë probleme në të folur në gjuhën shqipe për shkak se të tre fëmijët një kohë kanë jetuar në Gjermani.
“Realisht për momentin nuk shkojnë në shkollë, pasi që një kohë fëmijët kanë jetuar në Gjermani dhe kanë probleme me gjuhën shqipe”, tha drejtoresha.
Mungesa e trajnimeve të punëtorëve për rastet e ekstremizmit është një brengë tjetër që shqetëson drejtoreshën imishti.
Ajo tha se do të kishte qenë mirë nëse punëtorët e QPS-së, të ndjekin trajnime të ekstremizmit.
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka
ASK: Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë ton
Sulmohet nga forcat ruse edhe ambasada e Maqedonisë së Veriu...
Qeveria amerikane rrezikon mbyllje të pjesshme në mesnatë
Dy persona kanë qëlluar në drejtim të policisë në Dibër