Shpend Ahmeti duhet të largohet nga pozita e kryetarit të Prishtinës shkaku i negociatave

09:21 | 24 Dhjetor 2018
arbresh.info

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të shtunën Rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate, për bisedimet e Kosovës me Serbinë. Me këtë Rezolutë, kryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti, i është bashkuar ekipit negociator.

E njohësit e rrethanave politike në vend u shprehen se partia e Shpend Ahmetit në dialog  nuk përfaqëson të gjithë opozitën por vetëm çerekun e saj. Sipas tyre Ahmeti duhet të largohet nga të qenurit Kryetar i Prishtinës, nëse do të jetë në krye të dialogut Kosovë-Serbi.

Në një prononcime për arbresh.info, analisti politik, Faton Abdullahu, ka thënë se arsyeja pse Ahmeti po përfshihet në dialogë, është që të këtë ofertë partiake që të dalë para qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.

“Shpend Ahmeti jo vetëm që nuk mund ta përfaqësoj opozitën në dialog, por ai dhe deputetët tjerë bashke partiak të tij, nuk mund ta përfaqësoj as një subjekt të ri, në këtë rast PSD-n, sepse thjeshtë, votat deputetët e kësaj partie i kanë fituar për një qëllim e kauzë tjetër dhe brenda strukturave e parimeve krejt tjera. Arsyeja kryesore pse PSD dëshiron të përfshihet në dialog me Serbinë është se, duke e bërë këtë i zgjatet jeta kësaj Qeverie dhe këtyre pushtetarëve dhe për rrjedhojë, dhe kjo është kryesorja, ajo fiton kohë dhe krijon mundësinë që të mbijetoj më gjatë si një subjekt i ri i cili përbrenda kësaj periudhe do të përpiqet të rikonsolidohet, tipizohet dhe pas një kohe të caktuar të ketë ofertë partiake me të cilën do të dal para qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme”, ka vlerësuar Abdullahu.

Sipas tij, nëse Shpend Ahmeti pranon të jetë në krye të dialogut me Serbinë, bën tradhti ndaj qytetarëve të Prishtinës.

“Në anën tjetër nëse Shpend Ahmeti merr timonin e dialogut me Serbinë, do të duhej të largohej me patjetër nga të qenurit edhe Kryetar i Komunës së Prishtinës. Edhe ashtu pozita e tij prej Kryetarit të Komunës me ndarjen nga Vetëvendosja është dobësuar dukshëm dhe kjo vërehet nga performanca e tij në rrënje të pandalshme. Thjeshtë nëse Shpend Ahmeti pranon të jetë në krye të dialogut me Serbinë, ai kështu bënë tradhti ndaj qytetarëve të Prishtinës dhe të ardhmes së këtij qyteti”, ka thënë Abdullahu.

Ndërsa analisti politik Ramush Tahiri, shprehet se Shpend Ahmeti nuk e përfaqëson të gjithë opozitën. Mirëpo orientimi i tij ndihmon në spektrin gjithëpërfshirës të marrëveshjes.

“Shpend Ahmeti është përfaqësues i një pjese të opozitës e jo i krejt opozitës e as i opozitës më të madhe. Është mirë që si kryetar i Prishtinës ka aftësi menagjeriale, ndërsa orientimi i tij socialdemokrat ndihmon në spektrin gjithëpërfshirës të marrëveshjes e sidomos të drejtat e komuniteteve”, ka thënë Tahiri.

Edhe analisti Donik Sallova tha se, me pjesëmarrjen e Shpendit ne bisedime nuk përfaqësohet e gjithë opozita por vetëm çereku i saj

“Shpend Ahmeti e përfaqëson opozitën për aq sa e përfaqësojnë 12 deputetet e PSD-se dhe jo me shume. Ndaj, mund te konsiderojmë se opozita është e përfaqësuar në ketë proces me vetëm çerekun e saj”, përfundoj Sallova.

Kujtojmë se dialogu final ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivelin e lartë po kryesohet nga  presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksander Vuçiq. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka propozuar një ekip në krye me Fatmir Limajn, dhe Shpend Ahmetin, por nuk i ndalon presidentit, Hashim Thaçi të kryesojë dialogun e ndërmjetësuar, nga Brukseli zyrtarë./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme