Google ADS

Molliqaj: Vetëvendosjes iu ndal ora kur ne u larguam – PSD-ja s’do të futet në Qeveri

14:48 | 23 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, edhe njëherë ka kritikuar ish-partinë e tij e ish kolegët e tij ata të Vetëvendosjes.

Pas sulmeve të fundit mes LVV-së e PSD-së, se kjo e fundit po shkon në prehër të PDK-së, vjen reagimi i Molliqajt.

“Po del prej VETËVENDOSJE!-s, po shkon në prehër të PDK-së”, ishte një postim që u pa mbrëmë dhe dje nga figura të Lëvizjes Vetëvendosje.

Molliqaj i quan ‘grup i falltorëve të dobët’, dhe thotë se atyre u është ndalur ora.

“Fillimisht, grupi i falltorëve të dobët thanë se ne u larguam sepse ishim spiun të Stanishiqit. Pastaj thanë se ne u larguam sepse na kishin blerë Devollët. Më vonë thanë se arsyeja e largimit tonë ishte ndikimi i ambasadave ndërkombëtare. Dikur thanë se ne u larguam për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi. Pastaj “zbuluan” se ne u larguam për shkak se ishim të interesuar për t’u futur në Qeveri. Pak më vonë thanë se në fakt arsyeja e largimit tonë qenka falja e tokave Serbisë. E sot e paskan “zbuluar” se kemi dalur për të përfunduar në prehër të PDK-së”, ka shkruar Molliqaj në Facebook, transmeton Koha.net.

Tutje, ai thotë se ‘Kushedi se çfarë zbulime e parashikime do të dalin tash e tutje nga grupi i falltorëve të dobët. Por, ajo që dihet është që kësaj partie iu ka ndalur ora qysh kur ne jemi larguar nga aty. Vazhdimisht thonë se jemi pak aktivistë, të vegjël e të parëndësishëm, por vihen shumë në siklet nëse kalon vetëm një ditë pa shpifur për neve’.

“E ne fatkeqësisht do t’i zhgënjejmë. Përveç se nuk do të futemi në këtë Qeveri, do të angazhohemi vazhdimisht që PDK-në ta largojmë nga pushteti pas kaq shumë vitesh keqqeverisje. Ju vazhdoni të qitni fall, se pavarësisht që parashikimet i keni të dobëta, ndoshta me kalimin e kohës përmirësoheni në këtë fushë”, ka përfunduar Molliqaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme