Zyrtarët qeveritarë të Indonezisë kanë thënë se të paktën 168 persona kanë vdekur dhe 745 janë lënduar pasi një cunami e goditi bregdetin e Ngushticës së Sundas. Agjencia shtetërore për menaxhimin e emergjencave ka deklaruar se qindra ndërtesa janë dëmtuar nga kjo fatkeqësi natyrore.
Besohet se shkaktare e këtij cunami ishte lëvizja e shtresave të tokës në det pas shpërthimit të vullkanit “Krakatoa”. Ngushtica e Sundas gjendet mes Detit Java dhe Oqeanit Indian. Agjencia shtetërore për menaxhimin e emergjencave ka thënë se numri i vdekjeve ka gjasë që të rritet. Numri më i madh i vdekjeve është raportuar në rajonet Pandeglang, Lampung dhe Serang.
Oystein Lund Andersen, fotograf norvegjez i vullkaneve, i cili ndodhej afër zonës së goditur, ka thënë se vullkani ka nxjerrë shumë lavë para se valët e fuqishme të detit të ngriheshin. “Më herët vullkani ishte shumë aktiv por disa çaste para valëve, gjithçka ishte e qetë. Papritmas i pashë valët e larta dhe u detyrova të vrapoj. Drejt tokës erdhën dy valë, e para ishte më e dobët, ndërsa e dyta më e madhe”, tha ai.
Shkaqet e cunamit janë ende duke u hetuar. Eksperti i vullkaneve, Jess Phoenix, i ka thënë BBC-së se shpërthimi i vullkanit shkakton shtypje ndaj shtresave nëntokësore dhe kjo mund ta nxisë lëvizjen e shtresave. Rrjedhimisht, toka e detit e trazon ujin dhe krijon valë të larta. Në anën tjetër, agjencia gjeologjike e vendit ka kërkuar që askush të mos i afrohet vullkanit në largësi më të vogël se dy kilometra, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Biden takon liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë
Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Duke kujtuar të kaluarën, men...
Abdixhiku në Podujevë: Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndrysh...
Autoritetet zvicerane iu dalin “hak” huliganëve ...
Kosova dominon në Bukuresht, por nuk ka gola pas pjesës së p...
Kuvendi me sqarim për kontratën e re për pastrim dhe mirëmba...