Google ADS

Dialogun duhet ta udhëheqë Qeveria, jo forca e katërtë dhe e gjashtë në Kuvend

00:23 | 21 Dhjetor 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, i është përgjigjur me pyetje pyetjes se pse kjo parti nuk po bëhet pjesë e dialogut.

Në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se ai dëshiron të pyet se “pse kur LDK-ja muaj më parë filloi me mbledhjet e partive politike dhe dha orientimet e veta nuk ndodhi konsensusi”.

Nuk e ka vonuar përgjigjen në pyetjen e tij. Ka thënë se LDK-ja i thërriste këto tryeza duke ditur edhe fragjilitetin e këtij koalicioni edhe mungesën e orientimit të qartë të Kosovës në dialog.

“Por arroganca e koalicionit qeverisës ishte vendimtar në prishjen e mundësisë për konsensus”, ka thënë Rugova, teksa tha se pas saj asaj filloi një vakum, i cili çoi në këtë opsion që PSD-ja të bëhet pjesë e dialogut.

“Pra ishte arroganca e këtij koalicioni, që sillej sikur i ka 100 vota në Kuvend që prishi gjithçka”, thotë ai.

Rugova ka thënë se vetë ai nuk do të donte që të jetë pjesë e këtij Ekipi që i ka vetëm 59 vota nga 120 deputetë.

“Ne si LDK i kemi orientimet bazë sa i përket dialogut. Ne mendojmë se dialogun duhet ta udhëheqin institucionet. Mendojmë se barra i bie kryeministrit, i cili pati hequr dorë me një lehtësi shumë të madhe. Aktualisht dialogun synojnë ta drejtojnë forca e gjashtë (Nisma v.j.) dhe e katërtë (PSD-ja v.j) në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Rugova.

Rugova ka komentuar edhe letrën e presidentit Trump drejtuar presidentit Thaçi.

“Ai në mënyrë eksplicite, bën apel që të krijohet një zë unik sa i takon dialogut. Një prej shtyllave kryesore të LDK-së është dialogu, prandaj LDK-ja është për dialog, por konsideron se me dialogun duhet të udhëheqë Qeveria sepse është aparati që ka në dorë mekanizmat, infrastrukturën, informatat”, ka thënë Rugova, përcjell Koha.net. “Qeveria, edhe për shkak të kompetencave ekzekutive dhe të limiteve që i posedon”, ka thënë më tej.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme