Google ADS

Rekomandimet e KDI-së për rritje të transparencës së partive politike

14:48 | 20 Dhjetor 2018
V. S.

 

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka mbajtur sot tryezë diskutimi, gjatë së cilës është prezantuar një analizë ligjore lidhur me partitë politike dhe transparencën në fushatë, e cila përmban pesë standarde me të cilat kërkohet ngritja e transparencës dhe e llogaridhënies së subjekteve politike para publikut.

Në hapje të kësaj tryeze pjesë e së cilës ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka bërë të ditur se kjo analizë ka për qëllim ngritjen e transparencës së partive politike dhe vjen si shkëmbim i përvojave me Transparency International të Republikës së Çekisë. Kurse Florent Spahija nga KDI ka folur për të gjeturat dhe rekomandimet e kësaj analize duke shpjeguar standardet të cilat rekomandohen për subjektet politike me qëllim të ngritjes së llogaridhënies përtej detyrimeve ligjore.

Këto standarde kanë të bëjnë me: publikimin e emrave të të gjithë anëtarëve të shtabit zgjedhor; Detyrimin ligjor që i obligon subjektet politike për hapjen e llogarive financiare; Publikimin e financave të secilit kandidat në fushatë; Publikimin e të dhënave edhe për subjektet juridike (kompanitë) që japin donacione për subjektin politik, dhe jo vetëm pronarëve; Publikimin e kalendarëve të të gjitha ngjarjeve, të cilat do t`i realizoj subjekti politik gjatë fushatës. “Pra duhet të ketë publikim të emrave të të gjithë anëtarëve të shtabit zgjedhor të subjektit politik si dhe të bëhet caktimi dhe publikimi i emrit të menaxherit financiar për fushatën.

Publikimi i emrave të anëtarëve të shtabit zgjedhor (dhe shtabeve në degë regjionale) të subjektit politik dhe emrit të financierit të emëruar vetëm për fushatë do ta rriste transparencën e subjektit politik përballë publikut”, ka thënë Spahija. Duke folur për standardin e radhës që duhet të arrihet, detyrimin ligjor që i obligon subjektet politike për hapjen e llogarive financiare për shpenzimet e fushatës zgjedhore ka shtuar se hapja e llogarive nënkupton bërjen publike e të qasshme në kohë reale përmes portalit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndonjë portali tjetër apo vet portalit të subjektit politik/ kandidatit.

“Po ashtu duhet të bëhet publikimi i financave të secilit kandidat në fushatë. Secili subjekt politik duhet ti publikoi dhe duhet t detyroi të gjithë kandidatët që të raportojnë në subjektin me të cilin kandidojnë. Të dihet cili është kontributi financiar i tyre në fushatën e subjektit politik, me të dhënat se nga e ka financuar kandidati fushatën e tij personale”, ka shpjeguar ndër të tjera ai.

Publikimi i të dhënave sipas Spahisë duhet të bëhet edhe për subjektet juridike (kompanitë) që japin donacione për subjektin politik, dhe jo vetëm pronarëve dhe se me këtë ndryshim ligjor publiku do ta kuptonte se cili është pronari i fundit që ka dhënë donacionin për subjektin politik, kjo sidomos tek kompanitë që kanë shumë pronarë, të cilët mbahen të fshehur.

“Duhet të bëhet edhe publikimi i kalendarëve të të gjitha ngjarjeve, të cilat do t`i realizoj subjekti politik gjatë fushatës. Këtu duhet të përfshihen edhe ngjarjet të cilat janë organizuar apo do të organizohen nga kandidatët pa përkrahjen e subjektit politik”, plotësoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme